20 vjet Monitor!

26/12/2020 10:45 PM 0 komente

Në këto 20 vjet, Revista “Monitor” dhe portali Monitor.al, kanë qenë dëshmitarë të ecurisë ekonomike të vendit, me gjithë problemet apo zhvillimet pozitive të saj…

 

Në dhjetor të 20 viteve më parë, kopertina e parë e Revistës “Monitor” kishte një qiri, që simbolizonte jo vetëm problemet energjetike që vendi po kalonte në atë kohë, por edhe errësirën e informacionit, sidomos në fushën e lajmeve ekonomike.

Premtimi që bëmë atëherë, sa i rëndësishëm, aq dhe i vështirë, ishte për të mbushur boshllëkun në lajmet nga fusha e bizneseve, zhvillimeve fiskale, financave personale, analizave sektoriale, përpunimit të shifrave, informacionet për ndërmarrjet, monitorimin e buxhetit dhe premtimeve elektorale dhe zbatimin e politikave zhvillimore të çdo qeverie.

“Monitor” ishte e para revistë e specializuar e profesionale për ekonominë, sipërmarrjet, por edhe më gjerë, fillimisht e përdyjavshme dhe brenda dy vitesh nga publikimi i parë, doli në treg e përjavshme. Që në fillimet e saj, revista synoi të sillte një këndvështrim ndryshe të informacionit, duke u fokusuar tek ekonomia reale, përpunimi i të dhënave nga të gjithë sektorët e bizneseve, duke u bërë njëkohësisht dhe një përcjellëse e shqetësimeve dhe sugjerimeve të sipërmarrjeve nga të gjitha fushat në vend.

Prej më shumë se 10 vjetësh publikohet renditja e kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor dhe fitimeve, një publikim që tregon, ndër të tjera, edhe tendencat e zhvillimeve ekonomike dhe modelit drejt të cilit po orientohet vendi.

Nga viti 2012, një tjetër dimension iu shtua revistës. Në linjë me zhvillimet e shpejta të internetit dhe teknologjisë, faqja e internetit www.monitor.al filloi të publikojë lajme të përditshme, duke ruajtur profilin e saj të fokusit te lajmi real, analizën e të dhënave dhe dhënien e thelluar të lajmit të ditës. Shumë shpejt Monitor.al arriti të diferencohej në morinë e faqeve të internetit që u shtuan me shpejtësi, duke u kthyer në një referencë të besueshme për lajmin ekonomik në vend.

Dy vitet e fundit, “Monitor” ka kapërcyer përtej kufijve, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë edhe lajmeve ekonomike nga Kosova. Ashtu siç kemi publikuar renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha në Shqipëri, nga ky vit ka nisur publikimi i kësaj renditjeje edhe me sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në Kosovë, teksa gradualisht, pas Rrugës së Kombit, janë rritur marrëdhëniet me Kosovën, duke shkruar gradualisht drejt një shkrirjeje mes dy tregjeve.

Në këto 20 vjet, Revista “Monitor” dhe portali Monitor.al, kanë qenë dëshmitarë të ecurisë së vendit dhe ekonomisë në rritje, pavarësisht problematikave që ajo ka shfaqur. Kemi qenë dëshmitarë të integrimit të shqiptarëve në ekonominë dhe të ulje-ngritjeve në këtë ecuri që, pavarësisht krizave, duket se vazhdon të mbajë gjallë shpresën e shqiptarëve për integrim.

Për fat të keq kemi qenë dhe dëshmitarë të modelit të cunguar të zhvillimit ekonomik, të udhëhequr nga rastësia, ose interesat afatshkurtra të fitimeve, të nivelit të lartë të informalitetit dhe përpjekjeve të dështuara për ta ulur atë, të futjes së parave me origjinë të dyshimtë në ekonomi, apo të lënies mënjanë të sektorëve, në të cilët vendi ka avantazh konkurrues dhe që do t’i jepnin vlerë të shtuar atij. Mungesa e politikave zhvilluese afatgjata e ka lënë ende Shqipërinë të fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe për pasojë, po vazhdon të nxisë emigracionin masiv të të rinjve, që pritet të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit.

Në linjën e saj të pakompromistë për të hedhur dritë mbi ekonominë reale dhe për të thënë të vërtetën, “Monitor” nuk ka ngurruar asnjëherë në këto vite të denoncojë zhvillimet që janë gjykuar se nuk janë në të mirë të vendit. Kemi hedhur dritë për shumë koncesione, analiza kosto-përfitime e të cilave tregonte se barra mbahej nga taksapaguesit dhe vetëm një pakicë përfitonte.

Kemi argumentuar se hyrja e parave me origjinë të panjohur dhe orientimi drejt ndërtimit nuk po i sjellin asnjë të mirë ekonomisë. Kemi folur shpesh për mungesën e një modeli të zhvillimit të qëndrueshëm. Kemi bërë gjithnjë transparencë për buxhetin, me synimin kryesor për të rritur ndërgjegjen qytetare që të ushtrojnë presion për miradministrimin e taksave që ata paguajnë.

Është e vërtetë që në 20 vjet, shumë gjëra kanë ndryshuar. Nga qiriri i dy dekadave më parë, sot flitet për informatizimin dhe fiskalizimin e bizneseve. Por, shumë sfida dhe probleme mbeten po aq të mëdha sa dhe në vitin 2000. Korrupsioni, keqqeverisja, shpërdorimi i parave të buxhetit, politika në favor të një grupi të vogël, që rrisin pabarazinë, mungesa e politikave për të nxitur rritjen e produktivitetit e bashkë me të, edhe të pagave vijojnë të na shoqërojnë.

Pas krizës së krijuar nga Covid-19, sfida edhe më të mëdha na presin, që në radhë të parë kërkojnë më shumë vizion dhe përgjegjshmëri nga politikëbërësit. Dhe “Monitor” do të jetë gjithmonë vigjilent për të bërë transparencë dhe për të evidentuar çdo veprim që është në dëm të taksapaguesve. Kemi 20 vjet që e bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë edhe për shumë të tjerë!

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of