Varësia nga importi, dhe efekti i zhvlerësimit të lekut bëri që prodhimi ushqimor në vend të ulet. Ulja e fuqisë blerëse rriti kërkesën për produkte të lira, pak të përpunua
Prodhimi i agroindustrisë në vend pësoi një rënie prej 13 % gjatë vitit të kaluar krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave statistikore të ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, vlera e prodhimit agroushqimor zbriti në 34.7 miliard lekë, gjatë vitit që shkoi duke u paraqitur për të dytin vit radhazi në rënie.
Vlerësimet e prodhimit kanë marrë për bazë çmimet e vitit 2006, periudhë kur çmimet ishin shumë më të ulëta se këto vitet e fundit. Ndaj, Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve për një pjesë të mirë prodhimesh, sipas ekspertëve të tregtisë, prodhimi i industrisë ushqimore është më i lartë në vlerat e tij reale.
Por, të dhënat zyrtare të prodhimit na shërbejnë për të parë luhatjen në sasi të prodhimit nga viti në vit, ndonëse ekspertët e tregtisë vlerësojnë se sasia e raportuar për shumë produkte ka gjasa të jetë më e ulët se prodhimi i realizuar.
Por, nga kontaktet me agropërpunuesit, vërehet se ky sektor është prekur ndjeshëm nga efektet e krizës. Rritja e vlerës së lekut ndaj valutës së huaj dhe vështirësitë e hasura me pagesat e furnitorëve kanë tkurrur tregun.
Drejt produkteve natyrale
Ndërsa në vitin 2007 dhe në pjesën e parë të vitit 2008, u vërejt një rritje e theksuar e produkteve të konservuara, gjysmë të gatshme dhe e prodhimeve që kërkojnë më shumë angazhim në përpunim si proshuta e stazhionuar, vitin e kaluar të gjitha këto prodhime kanë tërhequr më pak vëmendjen e konsumatorit.
Agropërpunuesit tregojnë se politikat e tyre të prodhimit nxiten nga kërkesat e konsumatorëve në treg dhe produktet me kosto të lartë prodhimi po kërkohen më pak krahasuar me dy vite më parë.
Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të përpunimit. Më shumë se sa produkte me bazë mishi, në treg është konsumuar prodhimi i mishit të freskët ose të ngrirë. Madje, të dhënat e prodhimit flasin hapur për orientimin drejt produkteve më të lira, pasi sasia e mishit të ngrirë të gjedhit që u hodh në treg gjatë vitit të kaluar ishte 2.6 herë më shumë se një vit më parë. Në po këtë masë u rrit edhe konsumi i mishit të shpendit (të freskët), ndërsa ra dukshëm konsumi i mishit të gjedhit të freskët. Shfaqja e gripit AHN1, solli një ulje drastike të konsumit të mishit të derrit në vend.
Ulje e prodhimit vërehet edhe për nënproduktet qumështit. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar u ul prodhimi i djathit të butë, ndërsa sasia e gjalpit dhe kosit të prodhuar ra 20%.
Tek brumërat me vlerë të lartë, rënia më e theksuar e prodhimit ka prekur pastiçeritë e piceritë. Prodhimi në këtë sektor, sipas të dhënave të agroindustrisë ka rënë 60% gjatë vitit që shkoi krahasuar me vitin 2008.
Prodhimet e brumit, ruajnë të njëjtën peshë
Brumrat vazhdojnë të zënë peshën më të madhe të prodhimit të industrisë ushqimore në vend. Gjatë vitit të kaluar, totali i vlerës së prodhimit të miellit dhe nënprodukteve të tij (bukë, pica, ëmbëlsira etj.) përbënte rreth 45% të vlerës së prodhimit agroushqimor duke ruajtur të njëjtën peshë të vitit të kaluar.
Buka vazhdon të zërë peshën më të madhe në prodhim me rreth 15% të totalit. Krahasuar me një vit më parë shqiptarët kanë konsumuar 12% më pak bukë për vitin që shkoi, por rënia e prodhimit agroindustrial në tërësi bëri që pesha e këtij produkti të mbetet e lartë.
Nga të dhënat e agroindustrisë, prodhimi i bukës ka tendencë rënie këto katër vitet e fundit. Për ekspertët e tregtisë, kjo rënie është pasojë e rritjes së konsumit të prodhimeve të tjera të brumta. Nga të dhënat e agroindustrisë, sasia e makaronave të prodhuara gjatë vitit të kaluar u rrit me 45%, duke arritur në 1.84 miliard lekë.
Pijet, 17 % të prodhimit
Prodhimi i pijeve gjatë vitit të kaluar, pësoi një tkurrje të dukshme, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit të pijeve freskuese dhe lëngjeve të frutave. Pesha e tyre në totalin e prodhimit agroushqimor, ra me 8% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë, vlera e pijeve freskuese të prodhuara në vend përbën 7% të vlerës së prodhimit agroindustrial, nga 11% që shënonte një vit më parë. Deri në vitin 2008, prodhimi i këtyre pijeve kishte tendencë rritje.
Përmbyset prodhimi i vajit të ullirit
Vaji i ullirit, është ndër produktet që ka pësuar rënien më të madhe të prodhimit gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të agropërpunimit në vend, vitin e kaluar u prodhuan vetëm 1600 ton vaj ulliri, ose mbi 70% më pak se një vit më parë.
Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit në vend, tregon se industria e vajit varet tërësisht nga furnizimi i lëndës së parë. Sipas saj, për vitin e kaluar pati pak prodhim të ullirit në vend. Në vitin 2008 u dyfishua prodhimi i ullirit, çka solli një rritje prej 45 % të sasisë së vaj ullirit të prodhuar.
Sipas ekspertëve të bujqëisë, luhatja e përvitshme e këtij prodhimi është pasojë e mungesës së shërbimit të ullirit dhe prodhimit të tij në kushte natyrale. Sipas të dhënave të tregut, prodhimi i vajit të ullirit vendas shkon kryesisht për furnizimin e tregut të brendshëm dhe plotëson rreth 80% të kërkesës.
Më shumë ujë natyral
Sasia e ujit të përpunuar dhe të hedhur në treg gjatë vitit të kaluar u rrit me 7% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të MBUMK-së, vlera e këtij prodhimi ishte 1.18 miliard lekë dhe ndikimin më të madh në këtë rritje e dha prodhimi i ujit natyral (17% rritje). Ndërkohë, prodhimi i ujit të gazuar vazhdon të paraqitet në rënie.
Sipas Administratorit të stabilimentit të prodhimit të ujit “Tepelena”, Luciano Cirillo, “prodhimi i këtij uji gjatë vitit të kaluar pësoi një rritje prej 5%”. Por ai pranon se ka pasur një rënie të prodhimit të ujit të gazuar, për shkak të rënies së konsumit të tij në treg. Në vendin tonë po vërehet e njëjta tendencë e tregjeve në tërësi: më shumë konsum të ujit natyral.
Zhvlerësimi i lekut, pengesë për lëndën e parë
Sipërmarrësit e agroindustrisë që punojnë me lëndë të parë të importuar, tregojnë se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e prodhimit, është kostoja e rritur e lëndës së parë të importuar. Për shkak të zhvlerësimit të lekut ndaj valutës së huaja, kryesisht euros, agropërpunuesit vlerësojnë se kanë pasur një rritje prej 10-12% të çmimit të lëndëve të para. Këtë rritje e ka vërejtur më së shumti industria e përpunimit të mishit dhe prodhimit të pijeve, si lëngje frutash, birrë, e pije alkoolike me ngjyrë. Ndikimi më i ndjeshëm ishte në ato sektorë, në të cilët çmimet e lëndëve të para nuk pësuan ulje në tregjet e huaja.
Sipas drejtuesve të industrisë së sallamit, forcimi i dollarit ndaj lekut u transportua tërësisht në rritjen e çmimit të importit të mishit. Krahas kësaj, vjet u vërejt një rritje e çmimit të mishit në tregjet nga ku importojmë, duke ndikuar në uljen e prodhimit të sallamit në vend. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i sallamit ra me 8.5 % gjatë vitit të kaluar, ndërsa u prodhua 35% më pak proshutë krahasuar me një vit më parë.
Në këtë periudhë, vërehet edhe një rënie e theksuar e prodhimit të birrës. Të dhënat e prodhimit tregojnë se vjet u u hodhën në treg 1.87 miliard lekë birrë (249 mijë hl), ose 25% më pak se një vit më parë
Sipërmarri i i birrës “Stela” Stefan Pinguli, shprehet për “Monitor”, se gjatë vitit të kaluar, sasia e prodhuar nga kjo kompani ra me 8% krahasuar një vit më parë. Ai tregon se rritjen e kostos së prodhimit, për efekt të zhvlerësimit të lekut, nuk e transportoi në çmim, duke ruajtur të njëjtin nivel çmimi shitje. Megjithatë, kjo peshë për kompaninë ka ndikuar në kufizimin e shpenzimeve në marketing, duke bërë që kërkesa në treg të bjerë.
I njëjti fat ka ndjekur prodhimin e lëngjeve të frutave në vend, të cilat punojnë tërësisht me koncentrate të importuara. Me një vlerë prodhimi prej 552 milion lekës, kjo industri pësoi një rënie prej 19% krahasuar me një vit më parë.
Pagesat e vonuara, pengojnë prodhimin
Mungesa e likuiditetit në treg, nuk la pa prekur edhe sektorin e agropërpunimit.
Prodhuesit kryesorë në vend tregojnë se vazhdojnë të hasen me probleme të pagesave të klientëve. Ky problem është vërejtur kryesisht në industrinë e pijeve, prodhimit të bulmetrave dhe të brumrave.
Altin çela, drejtori i shitjeve pranë kompanisë së prodhimit të qumësishtit “Ferlat” shprehet, se krahas rritjes së konkurrueshmërisë në treg, kompania është përballur edhe me probleme në pagesa. Ndonëse ai tregon se prodhimi i kësaj kompanie u rrit me 4-5% vitin që shkoi, pagesat e vonuara kanë qenë një pengesë për blerjen e qumështit për përpunim. Në disa prej industrive përpunuese, pagesat e vonuara kanë penguar deri diku edhe investimet.
Plane të kufizuara prodhimi
2010, Agropërpunuesit: do të ruajmë të njëjtin nivel prodhimi
Sipërmarrësit e agroindustrisë në vend, tregojnë se edhe në pjesën e parë të këtij viti kanë vazhduar të hasen me të njëjtat vështirësi të vitit të kaluar. Ndaj, pjesa më e madhe e tyre e shikojnë të vështirë mundësinë e rritjes së prodhimit.
Përpunuesit e industrisë së qumështit shprehen se këtë vit do të synojnë të ruajnë të njëjtat nivele prodhimi të një viti më parë. Të njëjtën sasi prodhimi pritet të kemi edhe në industrinë e pijeve freskuese e alkolike. Sipërmarrësi i birrës Stela, shprehet se, gjatë këtij viti do t´i kushtojë më shumë rëndësi marketingut të shitjes, për të ruajtur pozicionin në treg.
Plane për rritje të prodhimit kanë bërë kompanitë që e shikojnë ende të pangopur tregun vendas, apo që synojnë eksporte.
Prodhuesit e ujit Tepelena, shprehen se konsumi i ujit për frymë në vend është ende i ulët krahasuar me normën mesatare të konsumit në Evropë. Ndaj, me një investim prej 1.5 milion euro të planifikuar për impiantin e përpunimit dhe laboratorët, ata planifikojnë rritjen e peshës në tregun e brendshëm dhe rritjen e eksporteve në shtetet fqinje. Rritje e prodhimit pritet edhe në konservat e produkteve, kryesisht atë të peshkut. Industria e konservave të peshkut gjatë vitit të kaluar rriti prodhimin me më shumë se 50%. Për këtë vit, sipërmarrësit e këtij sektori shprehen se planifikojnë të rrisin 60-70% prodhimin, pasi kërkesa konsumatore në tregjet e Evropës Perëndimore ka filluar të rritet.
Industritë që punojnë:
Tërësisht me lëndë të parë të importuar:
Fabrikat e përpunimit miellit
Fabrikat e prodhimit të nënprodukteve të mishit
Industria e prodhimit të lëngjeve të frutave
Tërësisht prodhim vendas
Industria e konservimit të perimeve
Industria e përpunimit të qumështit dhë nënprodukteve
Burimi:KASH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.