Shtëpia koreane Samsung premton se në vitin 2012 do të prezantojë shumë të reja. Njëra prej tyre është edicioni i tretë i Samsung Galaxy dhe rikonfigurimi i modelit shumë me fat Samsung Galaxy II, këtë herë në versionin dual SIM. Ajo që thuhet për momentin është se modeli i ri i Samsung do të jetë një smartphone me sistem operativ Android 4.0 Ice Cream Sandwich. “Zemra” e telefonit do të udhëhiqet nga një procesor dual core. Mësohet se do të jetë i pajisur me ekran Super AMOLED HD, 5 polësh dhe fotokamerë 12 megapiksel, me flesh Xenon. Për të pasur më shumë informacion në lidhje edhe me çmimin, duhet të presim deri nga fundi i muajit shkurt, kur do të mbahet në Barcelonë Kongresi Botëror i Celularëve. Te të rejat e vitit 2012, Samsung do të përfshijë edhe modelin e tij shumë të dashur Samsung Galaxy S II, që pas versionit në ngjyrë të bardhë dhe rozë, do të propozohet edhe me dy karta (dual SIM). Shtëpia koreane duket se po fokusohet shumë tek ofrimi i celularëve me dy karta. Pasi hodhi në treg versionin me dy karta Galaxy Y e Galaxy Y Pro, tashmë së shpejti do të prezantojë edhe Galaxy S II. Celulari do të bazohet në Android Gingerbread dhe do të programohet të suportojë edhe rrjetet GSM CDMA2000. Karakteristikat e tjera do të qëndrojnë të pandryshueshme. Le të kujtojmë që Galaxy SII ka ekran 4.52 polësh, Super AMOLED Plus me rezolucion 480×800 piksel, procesor dual core 1.2 GHz. Fotokamera e pasme është 8 megapiksel, ndërsa ajo e përparme 2 megapiksel. Te ky model nuk mungojnë lidhjet WiFi, Bluetooth 3.0, por edhe radioja FM Stereo me RDS. Ka 6 GB memorie që mund të zgjerohet me anë të kartës microSD, ndërsa bateria është 1.800 mAh. Galaxy SII Duos do të jetë smartphone i parë, i vërtetë i fashës së lartë që do të suportojë dy karta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.