Intervistë me znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2016?
Edhe viti 2016 është shoqëruar nga një situatë e vështirë e me problematika të ndryshme për sistemin bankar, të ndikuara nga ngjarjet dhe zhvillimet ekonomike-financiare si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Sistemi bankar vazhdon të shënojë tregues shumë të mirë në lidhje me likuiditetin dhe kapitalet, të cilët qëndrojnë në nivele shumë komforte mbi minimumet rregullatore, faktorë këta që garantojnë për një sistem bankar solid dhe të aftë për të përballuar rreziqe të mundshëm. Nga ana tjetër, situata e përfitueshmërisë së sistemit bankar është cenuar duke pasur një ulje krahasimisht me vitin paraardhës.
Rreziku më i pranishëm dhe domethënës që ndikon në mënyrë direkte situatën e sistemit bankar, vazhdon të jetë ai i kredive me probleme, i cili vazhdon të mbetet në nivele të larta.
Ngjarjet në lidhje me sigurinë fizike dëshmojnë për një rrezik të ri të shfaqur së fundmi në sistemin bankar, i cili ndikon jo vetëm përfitueshmërinë e bankave, por gjithashtu cenon dhe imazhin dhe reputacionin e tyre në publikun e gjerë.
Viti 2016 ka qenë dinamik dhe i suksesshëm për Bankën ProCredit. Ka qenë viti i konsolidimit të modelit tonë të ri të biznesit dhe fokusimit tek profili i klientëve tanë të synuar, në linjë me të cilat shkojnë edhe investimet e bëra në Zonat 24/7, në pjesën e imazhit dhe rrjetit të njësive të biznesit.
Vazhdojmë të pozicionohemi si bankë inovative në treg, që nëpërmjet teknologjive të avancuara sjellim një frymë të re nëpërmjet zhvillimit të banking-ut elektronik, si për biznese ashtu edhe për individë. Më konkretisht, gjatë vitit 2016 kemi zbatuar depozitimin në ATM për monedhat LEK dhe EUR, duke qenë banka e parë dhe e vetme në treg, që ofron këtë shërbim. Gjithashtu gama e mundësive dhe shërbimeve në mënyrë elektronike është zgjeruar më tej, duke iu sjellë klientëve tanë mundësi të kryejnë shërbime bankare edhe jashtë orarit zyrtar të bankës, kurdo që është e favorshme për ta, 24 orë në 7 ditë të javës.
Gjithashtu për sa i përket kredidhënies, në një vit plot me sfida dhe ndryshime, banka ka arritur të mbajë një portofol me cilësi të mirë, gjë që na pozicionon në pozita shumë të mira dhe nën mesataren e tregut.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?
Bazuar në pritshmëritë mbi rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2017, si dhe vazhdueshmërinë e një politike monetare lehtësuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, 2017-a pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, bazuar dhe në përvojat e shkuara, si dhe në faktin që 2017 është një vit zgjedhor dhe me paqëndrueshmëri politike në vend, ekzistojnë rreziqe potenciale që rezultati final të mos jetë në linjë me pritshmëritë. Në radhë të parë duhet të ekzistojë një klimë e qetë dhe e favorshme për investitorët (vendas dhe të huaj), të cilët janë partnerët kyç për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues, si një motor i gjenerimit të rritjes së sistemit bankar.
Fitch Ratings, në publikimin e raportit të saj, ka rritur vlerësimin për ProCredit Bank Shqipëri, në “B+”, duke dhënë një siguri shtesë mbi perspektivën e qëndrueshme afatgjatë për rrezikun afatgjatë të kreditit. Ky vlerësim bazohet në angazhimin dhe mbështetjen strategjike si të aksionerit ProCredit Holding (100%), ashtu edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, që janë aksionerët kryesorë të ProCredit Holding, të cilët ofrojnë bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje për kapital dhe likuiditet për ProCredit Holding si edhe bankat e grupit.
Për ProCredit Bank, 2017 do të jetë viti i konsolidimit të mëtejshëm të modelit të ri të biznesit, gjatë të cilit pritet të merren dhe frytet e përpjekjeve, punës dhe investimeve të bëra gjatë dy viteve të fundit. Kjo do të arrihet nëpërmjet forcimit të pozicionit tonë si bankë e fokusuar tek bizneset SME, duke ofruar partneritet dhe shërbim të plotë bankar për bizneset e konsoliduara dhe të suksesshme në Shqipëri, të cilët vlerësojnë dhe përqafojnë modelin tonë të biznesit. Gjithashtu edhe pjesëmarrja në Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit, i prezantuar nga BERZH, do t’i mundësojë bankës sonë të rrisë huadhënien në këtë sektor, duke mbështetur financimin e agrobizneseve shqiptare. Si një bankë e specializuar për bizneset SME, ne jemi të përkushtuar të mbështesim investimet e reja dhe t’i ndihmojmë ata t’u përgjigjen sfidave dhe mundësojmë të investojnë në teknologji moderne, të ndërmarrin projekte të eficencës së energjisë, dhe të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut. Ne i konsiderojmë këta si faktorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm të bizneseve, por në mënyrë indirekte dhe ekonomisë ku ato operojnë.
Fokus të veçantë do të ketë mbajtja dhe forcimi i marrëdhënies me klientët individë, duke vazhduar të promovojmë kulturën e kursimit, si mënyra më e mirë për ndërtimin e aseteve familjare, si dhe promovimin e përdorimit të shërbimeve bankare elektronike.
Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?
Ashtu siç është shprehur në pikën paraardhëse, pritshmëritë për ecurinë e kreditimit janë pozitive, ashtu siç ishte planifikuar në planet e biznesit të bankës, por situata e brendshme dhe e jashtme e vendit është njëkohësisht komplekse dhe me shumë rreziqe që mund të ndikojnë në materializimin e pritshmërive për rritje të kreditimit.
Gjithashtu, pritshmëritë për ecurinë e kreditimit për bankën ProCredit janë pozitive, bazuar në fokusin që kemi në mbështetjen e bizneseve SME. Investimet inovatore në shërbimet bankare dhe financiare që ofrojmë janë një hap në drejtim të qëllimit afatgjatë për të ofruar të gjitha kushtet për të qenë banka partnere e tyre dhe për t’i mbështetur ato për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme.
Për sa u përket NPL-se së bankës, banka ProCredit ndër vite ka pasur një cilësi të mirë të portofolit të kredisë dhe përgjatë 2016 ka vijuar të ketë një performancë më të mirë se sistemi bankar. Ecuria e cilësisë së portofolit ka qenë pozitive për fundin e vitit 2016 ku NPL për dhjetor 2016 ka rezultuar 11.7% kundrejt 18.2% të mesatares së sistemit bankar.
Për 2017, pritshmëritë janë për një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së portofolit të kredisë, e cila do të reflektohet edhe në NPL. Trendi i NPL për 3-mujorin e parë të vitit 2017 vazhdon të jetë pozitiv. Banka ProCredit vazhdon t’i kushtojë vëmendje të veçantë kredidhënies së përgjegjshme dhe mbështetjes së investimeve të bizneseve SME që operojnë kryesisht në fushën e prodhimit, shërbimit apo tregtisë. Për ne është shumë e rëndësishme që çdo klient të marrë shërbimin që i përshtatet më mirë nevojave të tij në përputhje, me kushtet dhe planin e investimit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një intervistë të fundit për “Monitor” ka shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të euroizimit të vendit dhe ka deklaruar se po hartojnë një plan së bashku me Ministrinë e Financave për të dekurajuar përdorimin e euros. Po ju sa problematik e shikoni euroizimin dhe çfarë masash propozoni për të ulur përdorimin e euros në vend?
Është e vërtetë që ekonomia shqiptare historikisht ka qenë e prekur nga fenomeni i euroizimit, si në marrëdhënie tregtare të bizneseve, qoftë dhe në transaksione bazike dhe rutinë të individëve. Ky fenomen ka disa aspekte negative dhe të pafavorshme në sistemin financiar dhe bankar, si në vijim: a. vështirësi në transmetimin në ekonomi të politikës monetare të Bankës Qendrore, gjë që e bën këtë politikë pjesërisht efektive (vetëm për aktivitetin në monedhë kombëtare); b. qarkullim të lartë të monedhës EUR, edhe në formë cash-i, në sistemin bankar, proces që shoqërohet me kosto e risqe shtesë për bankat e nivelit të dytë, në kushtet që në Shqipëri nuk ofrohen mundësi për klerimin e cash-it dhe të pagesave për valutën; c. Një ekspozim të shtuar valutor, si në bilancet e bankave, ashtu dhe në ato të kompanive dhe individëve.
Banka Qendrore dhe në vijim bankat e nivelit të dytë, kanë implementuar prej vitesh disa masa që tentojnë në mos-stimulimin e kredive dhe depozitave në valutë të huaj, por rezultatet tregojnë për pamjaftueshmëri të këtyre masave.
Fenomeni duhet të adresohet në nivel më global të ekonomisë, ku të dekurajohet (ose ndalohet) përdorimi i EUR në marrëdhënie tregtare, të cilat ndodhin brenda Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, për sa kohë tregtia me jashtë (importet dhe eksportet) vazhdon të ngelet sektor i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, nuk mund të shmanget përdorimi i monedhave të huaja nga subjektet e përfshira në këto marrëdhënie ndërkombëtare, por të paktën kjo të mos transmetohet te pjesëmarrësit e tjerë të tregut lokal.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës së re, si dhe uljen e nivelit të kredive me probleme. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.