2018- Festa vazhdon

15/01/2018 2:17 PM 0 komente

Edhe në Shqipëri pritet që të reflektohet atmosfera pozitive, e cila karakterizon gjithë globin. Nivelet e prodhimit pritet që të rriten lehtas, duke iu afruar edhe më shumë kufirit të 1 milion tonëve në vit

 

Nga Panajot Soko*

 

Nëse ndalojmë për një moment dhe shikojmë sesi po shkojnë gjërat, ajo që vëren me lehtësi është që në botë ka optimizëm, por numri i sfidave është po njëlloj. 2017-a ishte një vit progresiv për ekonominë dhe kjo u reflektua kudo. Materialet në përgjithësi dhe posaçërisht nafta, u sinkronizuan në të njëjtën oktavë me pjesën tjetër të ekonomisë botërore, duke iu përmbajtur relativisht pa gabime skriptit të skenarit global të ecurisë ekonomike që specialistët kishin parashikuar në fillim të tij. Nivelet e çmimit të arit të zi arritën nivelet e 66+$/Bbl (Brent Price) në fund të 2017-s, çka do të thotë që më në fund, aktorët përgjegjës, si vendet e OPEC, ashtu dhe prodhuesit e mëdhenj jo-OPEC, arritën të vendosnin pak rregull brenda kaosit që anarkia e vitit 2015 prodhoi në tregun e naftës. Faktorët kryesorë të stabilizimit ishin katër. Faktori ekonomik, politik, financiar dhe industrial.

Në aspektin ekonomik, në krahun e kërkesës, bota vazhdoi të përjetonte rigjallërimin e parashikuar, ku ekonomitë kryesore që janë dhe konsumuesit kryesorë të energjisë rritën kërkesën e tyre si pasojë e rritjes ekonomike-industriale që vendet e tyre përjetuan.
Në parashikimin e fundit të publikuar nga BQE, rritja ekonomike e Eurozonës pritet të jetë në kufijtë e 2.2%, çka është ndjeshëm më e lartë nga parashikimi fillestar prej 1.7%. Ndërsa ekonomia e Bashkimit Europian pritet të kapë nivelet e 2.3%, çka është 20% më lart nga parashikimi i mëparshëm prej 1.9%. Të dyja këto shifra përbëjnë rritjen më të fortë në 10 vitet e fundit.

Dhe ekonomia amerikane vazhdon të ruajë ritmin e rritjes që është futur tashmë në vitin e tetë radhazi. Rritja prej 3.3% e regjistruar në tremujorin e tretë theu parashikimet prej 3.1% të bëra më herët. Si vit, në 2017-n, ekonomia amerikane pritet të rritet me 2.5%. Dhe rritja e Kinës, Indisë, Brazilit dhe Rusisë qëndroi brenda ose tejkaloi parashikimet.

Në krahun e ofertës, respektimi i angazhimit për shkurtimin e prodhimit u respektua në përgjithësi dhe këto shkurtime dhanë efektet e tyre në kurbën e çmimit të produktit. Koha tregoi që strategjia e kartelit për vendosjen e kuotave të reduktimit, rezultoi e suksesshme edhe për faktin se Rusia iu bashkëngjit atij. Sipas EIA, pas vërshimit përmbytës të prodhimit në 2015-n, ky ishte viti i parë që patëm deficit prodhimi karshi kërkesës.
Në aspektin politik, mbyllja e krizës së Sirisë dhe çmontimi i Shtetit Islamik ishte një frymëmarrje lehtësuese për industrinë e prodhimit të naftës. Vendosja e kontrollit legal në territoret e veriut të Irakut dhe në rafineritë lokale, bëri që nafta e pompuar ilegalisht në treg të ndërpritej dhe këto asete t’u nënshtroheshin regjimeve të kontrolluara të prodhimit dhe shitjes.

Njëkohësisht dhe relaksimi i presionit ekonomik të SHBA ndaj marrëveshjeve të tregtisë së lirë ku SHBA merr pjesë, kjo kryesisht për shkak të pengesave juridike, bëri që frika e një destabilizimi të tregtisë dhe marrëdhënieve tregtare mes vendeve pjesëmarrëse në këto marrëveshje të ulej në nivele që nuk përbëjnë kërcënim.
Në aspektin financiar, monedha mbështetëse e industrisë së prodhimit, dollari amerikan, performoi qëndrueshëm dhe përballoi me sukses të tre rishikimet e normës së interesit që FED ndërmori gjatë vitit. Ai qëndroi brenda segmenteve optimalë të këmbimit karshi monedhave të shportës, çka injektoi më shumë besim në treg dhe stabilitet tek industritë që mbështeten tek ai.
Në aspektin industrial vlen të theksohet fakti që parashikimet për impaktin e shale-it amerikan në treg ishin të sakta, çka bëri që strategjia neutralizuese e efektit të tij në diagramën e ofertës të rezultonte e suksesshme.

 

 

Çfarë do të ndodhë në 2018?

Natyrisht që analiza për 2018-n është komplekse, pasi duhet shqyrtuar në disa prizme, si politika industriale, gjeopolitika, ekonomia, financat. Më poshtë po rendis analitikisht faktorët kryesorë që do të udhëheqin tregjet dhe bashkë me to, edhe kërkesë-ofertën për energji.

 Pavarësisht se në përgjithësi, niveli i deficitit të prodhimit të naftës karshi kërkesës do të ruajë nivele optimale, këtë vit mendoj se do të dëgjojmë një term të ri “OPEC-xit”. Niveli i kuotave me të cilin duhet të reduktohet prodhimi, është shumë bezdisës për prodhuesit e vegjël të naftës brenda kartelit. Kështu që disa prej tyre do të tentojnë të shkëputen nga diktati i kartelit, duke u çliruar rrjedhimisht dhe nga masat shtrënguese që ai kushtëzon.

 Kërkesa për naftë do të vazhdojë të rritet dhe në 2018. OPEC parashikon që kërkesa në 2018-n të rritet me 1.5 milionë fuçi në ditë, duke arritur nivelin e 98.45 milionë fuçi në ditë.

 Kuotat e shkurtimit të prodhimit arrijnë nivelin 1.8 milionë fuçi në ditë në mars 2018.

 Niveli i prodhimit të naftës në SHBA do të vazhdojë të rritet dhe në 2018 dhe me shumë mundësi, ai do të arrijë nivelin e 10 milionë fuçive në ditë. Por kjo duket se nuk do të ndodhë me prodhuesit e tjerë jo-OPEC. Parashikimi i rritjes së prodhimit nga këto vende pritet të korrektohet në zbritje me rreth 70 mijë fuçi në ditë, ku rënia më e fortë u atribuohet Meksikës dhe Norvegjisë. Rritja e prodhimit për këto vende do të jetë 870 mijë fuçi në ditë.

 Ekonomia botërore do të vazhdojë të jetë në rritje dhe në 2018-n. Europa, SHBA do të vazhdojnë trendet pozitive të ecurisë së ekonomive respektive. Parashikimet janë që ato të lundrojnë në nivelet e kënaqshme ndërmjet 2 dhe 3%. Njëkohësisht dhe pjesa tjetër e botës do të vazhdojë të karakterizohet nga rritja e qëndrueshme pozitive ekonomike. Gjithsesi, në një atmosferë të tillë “festive”, Kina është një shqetësim ngacmues. Procesi i ndryshimit të modelit ekonomik, nga një ekonomi me bazë investimet e huaja tek një ekonomi me bazë konsumin, mbart rreziqet e veta. Rritja ekonomike për vitin tjetër parashikohet në 6.4% nga 6.7% që ishte në 2017-n. Gjithsesi, mbajtja në nivele pranë 6.5% është një element shpresëdhënës për qëndrueshmërinë e kërkesës për energji.

 Në aspektin politik, pavarësisht gjuhës së fortë, Presidenti Trump nuk pritet të nisë një luftë eventuale me Korenë e Veriut, sipas bindjes së shumicës së analistëve politikë, ndërsa konflikti eventual mes Izraelit dhe Palestinës nuk pritet të zgjerohet.

 Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë diferencat që ekzistojnë mes Uashingtonit dhe Pekinit për të tentuar një aleancë me këtë të dytin, me qëllim rritjen e ndikimit të saj në Lindjen e Mesme, pasi dihet që influenca kineze, si klienti më i madh i naftës arabe, është gjithnjë e më në rritje në rajon. Natyrisht, Rusia do të përpiqet të përfitojë nga kjo aleancë për të ndikuar në çështjen e marrëveshjes nukleare të Iranit dhe në forcimin e pozitave të Bashar Al Asadit në Sirinë e çliruar nga lufta. Njëkohësisht Rusia do të përpiqet të ndikojë në rritjen e ndasive tashmë të qarta mes aleatëve perëndimorë, me qëllim dobësimin e bllokut dhe rritjen eventuale të faktorit rus.

 Dollari amerikan do të vazhdojë të tregohet i qëndrueshëm në krahasim me monedhat e shportës dhe nuk pritet të ketë luhatje të forta të paparashikueshme.

Rreziqet në horizont

Rreziku kryesor për vitin 2018, e shoh në dy pika.
E para janë tregjet. Pyetja që ngrihet sot është: – A janë të gatshëm investitorët të vazhdojnë të paguajnë çmimet e larta të aksioneve, në një kohë kur pjesa më e madhe e rritjes së këtyre çmimeve është konsumuar tashmë me rritjen ekonomike të deritanishme?

Në vitin 2017, S & P 500 SPX, regjistroi një rritje të çmimit afër 20% dhe u shoqërua nga tre karakteristika identifikuese:
1. Pati më shumë se zakonisht thyerje rekordesh vlere;
2. Një numër nën-mesatare i ditëve ku luhatshmëria ka qenë 1% +; dhe
3. Një distancë më të gjerë mes kthimeve nga çmimi të sektorit më të mirë dhe sektorit më të keq.

Pas viteve me karakteristika të tilla, S & P 500 ka parë historikisht një çmim mesatar më të ulët se normalisht. Dhe njëkohësisht do të ketë rritje të luhatshmërisë. Si rezultat, mund të thuhet se në 2018, investitorët duhet të presin “më shumë, për më pak”, domethënë më shumë paqëndrueshmëri për më pak kthim. Natyrisht, jo për të mbështetur skepticizmin, por gjithsesi risku është aty dhe nuk duhet injoruar.
E dyta janë kriptomonedhat (crypto-currencies). Aktualisht, ekspozimi i tregut ndaj këtyre monedhave është 500 miliardë USD, me një mbivlerësim të çmuar në rreth 450 miliardë USD (kërkesa efektive për shërbimet e kripto-monedhave kap vlerën e 50 miliardë USD dhe kryesisht përbëhet nga shërbime të tregut të zi, ilegal, informal dhe parasë së pistë).

Sipas të gjithë analistëve aty ekziston një flluskë, e cila po fryhet ditë pas dite nga spekulantët dhe nga ajo që Warren Buffet e quan FOMO (fear of missing out), që do të përkthehej frikë nga humbja e mundësisë për të fituar.
Niveli aktual i kapitalit të angazhuar dhe rrjedhimisht të rrezikuar për t’u humbur në këtë flluskë, momentalisht është i ulët, 0.5% e vlerës 90 trilionë USD të totalit të tregut dhe plasja e saj në këtë moment nuk do të përbënte problem për tregjet. Por rritja e nivelit të ekspozimit, si në gjerësi (përfshirja e gjithnjë e më shumë operatorëve në tregun e kriptomonedhave) dhe në thellësi (ekspozimi në shifra gjithnjë e më të mëdha) mund të përbëjë kërcënim për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike.

Ajo që shqetëson më shumë në këtë çështje është shpejtësia virusale e rritjes së fenomenit. Rritja e frikshme prej 1600% që vlera e Bitcoin pësoi brenda një periudhe vetëm disamujore, tregon që në këtë rast kemi të bëjmë me një flluskë atipike që duhet konsideruar si e tillë. Kjo do të thotë që vërtet ekspozimi aktual mund të mos përbëjë një problem për ndikimin e ecurisë ekonomike, por nëse vitin tjetër përsëritet i njëjti skenar me rritje 1600%, atëherë ekspozimi bëhet vërtet serioz dhe i afrohet ekspozimit të tregjeve gjatë flluskës së subprimes, të vitit 2008.
Referuar gjithçka përmenda më sipër, parashikimet për vitin 2018 qëndrojnë optimiste. Pavarësisht disa luhatjeve të lehta që pritet të ketë në fillim të 2018-s, çmimi i naftës për vitin që vjen pritet eventualisht të qëndrojë në nivelin e rreth 65-70 USD për fuçi.

Industria shqiptare

Edhe në Shqipëri pritet që të reflektohet atmosfera pozitive, e cila karakterizon gjithë globin. Nivelet e prodhimit pritet që të rriten lehtas, duke iu afruar edhe më shumë kufirit të 1 milion tonëve në vit. Niveli i investimeve do të rritet si nga prurjet e kontratave të reja në blloqet e kërkimit Velça dhe Blloku 4, por edhe nga kompanitë ekzistuese të nxjerrjes. Dy kompanitë ekzistuese të nxjerrjes (pa përfshirë shtetëroren Albpetrol) kanë parashikuar rishikimin me korrektim të planeve të zhvillimit.

Gjithsesi, edhe pse me korrektim, niveli i investimeve pritet të jetë më i lartë nga vitet paraardhëse. Kryesisht investimet prodhuese do të fokusohen në hapjen e puseve të rinj horizontalë dhe remontet e puseve ekzistuese, ndërsa ato të kërkimit në sizmikë dhe ndoshta dhe shpimi i ndonjë pusi kërkimi. Natyrisht që nivelet e investimit, pavarësisht se më të larta se në 2017-n, përsëri do të vazhdojnë të jenë shumë më të ulëta sesa nivelet e viteve 2011-2014. Nominalisht, investimet në industrinë e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës, për 2018-n, pritet që të jenë në kufirin e 100 milionë USD.

Risku kryesor për 2018-n pritet të jetë i natyrës tregtare. Ekspozimi i madh ndaj rafinerisë vendase, në nivele të larta borxhi, pritet të sjellë probleme për operatorët përkatës. Gjithsesi, niveli i kontaminimit nuk pritet të jetë në nivele të tilla, që të ndikojë në ecurinë e investimeve.

*Ekspert i fushës së naftës

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of