2018, investimet publike në raport me PBB, më të ulëta se në vitin 1993

02/11/2017 8:01 AM 0 komente

Investimet publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2018 do të jenë më të ulëta se ato të vitit 1993, ku vendi sapo kishte rrëzuar komunizmin dhe ishte para një emergjence të furnizimit me ushqime.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në vitin 1993, fondet për investimet publike ishin sa 7.3% e PBB. Shuma në vlerë neto ishte 11 miliardë lekë, por duke marrë në konsideratë inflacionin e kohës, vlera konsiderohet e lartë.

Rekordi i investimeve publike është thyer vetëm në vitin 2001, ku vlera e tyre në raport me PBB arriti 7.4%. Në fillim të viteve 2000, pati një fokus të shtuar në investimet në rrugë. Në ato vite përfundoi autostrada Tiranë -Durrës dhe gjithashtu nisën punimet për autostradën Tiranë -Shkodër. Këto ishin dy projektet e para në infrastrukturën shqiptare, që vunë standardin e autostradës nga rrugët nacionale me dy kalime.

Pas vitit 2001, investimet publike në raport me PBB pësuan rënie sistematike, për t’iu rikthyer rritjes në vitet 2008 -2009 me respektivisht 8.7 dhe 8.4% të PBB, për shkak se në këtë kohë u ndërmor investimi më i madh i njohur ndonjëherë në infrastrukturën rrugore, autostrada e Kombit që ka angazhuar që nga ajo periudhë mbi 1 miliard euro investime.

Pas vitit 2009 nisi rënia sistematike për të parë nivelin më të ulët në vitin 2016 që nga 1997 me vetëm 45të PBB-së. Në presionin e krizës ekonomike dhe konsolidimit fiskal për shkak të saj, gjatë viteve 2012-2017 investimet publike performuan poshtë kufirit 5% të PBB-së, i cili është rekomanduar nga FMN si nivel dysheme për vendet në zhvillim. Por për herë të parë pas 5 vitesh, më 2018, investimet do të jenë mbi kufirin 5% e PBB më 2017. Për të kuptuar se sa rëndësi i jep qeveria zhvillimit të një sektori të caktuar, krahasimi i shpenzimeve publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto jep informacionin më të saktë.

Ministria e Financave ka pohuar se, investimet publike afatshkurtër dhe afatmesëm janë ruajtur në nivelin 5% të PBB-së dhe vlerësohen të rëndësishme për rritjen potenciale në afatmesëm dhe afatgjatë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of