Flet Julian Mane, Zv. president i Balfin Grup
Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në 2017? Cilët sektorë panë rritje?
Ecuria e shitjeve me pakicë për grupin Balfin në vitin 2017 ka qenë mjaft pozitivë. Rritjen me të madhe e ka pasur sektori i produkteve ushqimore, në të cilin rrjeti i supermarketeve Spar është rritur ndjeshëm. Ajo që është pozitive në këtë sektor është që po forcohet konkurrenca dhe kjo i bën mire tregut në tërësi. Për sa i përket elektroshtëpiakeve rritja me e madhe ka ardhur prej shitjeve të mira të telefonave celulare. Edhe pse tregu i celularëve mbetet nga më informalët ne vend, konsumatori është i prirur që të zgjedhë rrjetet e besueshme që operojnë në këtë fushë, ku padyshim zgjedhja e parë e konsumatorëve ngelet kompania Neptun dhe rrjeti i ri i dedikuar i celularëve i quajtur Smart Point.
Zhvillime interesante ka në fushën e tregtimit të veshjeve, ku prezenca tashmë prej disa vitesh e rrjeteve ndërkombëtare si Zara, Mango, Cortefiel, Geox apo LC Waikiki po kontribuojnë ndjeshëm ne përmirësimin e kulturës së blerjes në këtë sektor.
Në kushtet e aksionit antiinformalitet, a u reflektua një përmirësim në këtë sektor?
Unë i vlerësoj përpjekjet serioze të qeverisë për të përmirësuar sadopak klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe sigurisht lufta ndaj informalitetit është drejtimi i duhur për të arritur këtë qëllim. Sigurisht kjo është diçka që do të kërkojë kohë por formalizimi i ekonomisë është e vetmja rrugë për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe krijimit të kushteve të barabarta për të kryer biznes. Efektet e para kanë filluar të ndihen dhe nëse angazhimi i qeverise do të vazhdoje të jete këmbëngulës në këtë drejtim shumë shpejt rezultatet do të jenë akoma më të mira.
Cilët ishin vështirësitë kryesore të sektorit këtë vit?
Vështirësitë kryesore të vitit 2017 për sa i përket shitjeve me pakicë kanë ardhur kryesisht nga një proces i tejzgjatur elektoral i cili fatkeqësisht ne një ekonomi të vogël si e jona ka mjaft ndikim. Kjo ka të beje me ndikimin e klimës parazgjedhore dhe të procesit ne vetvete tek sjellja konsumatore.
Pasiguria reflektohet tek konsumatorët dhe ne situate të tilla shkakton një tkurrje të shpenzimit dhe rrjedhimisht të ardhura me të ulëta për biznesin. Natyrisht dhe informaliteti në ekonomi ka patur efektin e vet në ecurinë e shitjeve për vitin 2017.
Si pritet viti 2018? Çfarë planesh investimi keni?
Viti 2018 shpresoj qe të jetë i suksesshëm si për shitjet me pakice ashtu edhe për ekonominë shqiptare. Ne parashikojmë qe të kemi rritje të ndjeshme të shitjeve ne të gjithë sektorët ku operojmë, kjo për shkak edhe të zgjerimit të rrjeteve të dyqaneve me pakice të grupit Balfin. Në lidhje me investimet ajo qe vlen për tu përmendur është zgjerimi i numrit të dyqaneve të supermarketeve Spar, hapja e dyqaneve të reja të rrjetit Smart Point i cili është një projekt i ri i Balfin Group që tregton telefona celulare dhe shërbime e aksesore të lidhur me to.
Vlen për t’u përmendur se brenda vitit 2018 do të përfundojë edhe rinovimi me një vlerë prej 12 milion eurosh i Qendrës Tregtare Univers (QTU) e cila është qendra e pare tregtare në Shqipëri.
Balfin gjithashtu brenda vitit tjetër do të sjellë një format siç është ai i “Retail Park” i cili është një koncept qe funksionon mjaft mire ne vendet e Ballkanit dhe Europe dhe që i përshtatet mjaft mirë qyteteve të Shqipërisë jashtë Tiranës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.