2018, sektori publik u zgjerua edhe me 73 institucione të reja buxhetore

13/09/2019 11:33 AM 0 komente

Reduktimi i numrit të ministrive në vitin 2017 ka prodhuar institucione të reja shtesë, duke e çuar më tej zgjerimin e sektorit publik. Sipas INSTAT në vitin 2018 u numëruan 1275 institucione buxhetore dhe ekstra buxhetore të cilat përdorin financime publike.  Numri i institucioneve u shtua me 73 në raport me vitin 2017 ose me një zgjerim 6 për qind në raport me vitin e mëparshëm.

INSTAT, ofron për përdoruesin listën e institucioneve publike që janë pjesë e sektorit të Qeverisë së Përgjithshme si dhe korporatat Financiare dhe Jo-financiare që janë në pronësi të entiteteve publike për vitin 2018.

Njësitë shpenzuese buxhetore të Sektorit publik përbëhen nga nën-sektori i Qeverisë Qendrore me 919 njësi shpenzuese buxhetore, nën-sektori i Qeverisë Lokale me 184 njësi shpenzuese buxhetore dhe nën-sektori Fondet e Sigurimeve me 2 njësi shpenzuese.

Ndryshimi i numrit të njësive shpenzuese buxhetore vjen si rrjedhojë e ndryshimeve strukturore të Qeverisjes Qendrore, riklasifikimeve, si dhe njësive të reja apo të mbyllura.

Njësitë extra-buxhetore të Sektorit publik përbëhen nga nën-sektori i Qeverisë Qendrore me 66 njësi shpenzuese dhe nën-sektori i Qeverisë Lokale me 86 njësi shpenzuese.

Përveç institucioneve buxhetore dhe extra-buxhetore, sektori publik, përfshin edhe nën-sektorin e Korporatave Publike Jo-financiare  me 16 njësi, nën-sektorin e Korporatave Publike Financiare me 1 njësi dhe nën-sektorin e Bankës Qendrore me 1 njësi.

Njësite shpenzuese janë ente buxhetore që e kanë të bazuar veprimtarinë e tyre me financime publike nga buxheti i shtetit. Numri i përgjithshëm i tyre ka nisur të publikohet vonë nga Ministria e Financave si pjesë e një projekti që synon të përmirësojë llogaritë kombëtare.

Shqipëria hyn në vendet ish komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut.

Ulja e madhësisë së shtetit në ekonomi ishte në themel të programit të qeverive, të cilët pas vitit 2005 ulën me tej peshën e sektorit shtetëror në ekonomi si në pronësinë e ndërmarrjeve ashtu edhe në punësim.

Pas vitit 2008 për shkak të kushteve të reja që solli kriza ekonomike, me përgjysmimin e rritjes ekonomike dhe rënien e të ardhurave buxhetore, reformat mbi administratën publike me qëllim uljen shpenzimeve publike vijuan.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of