Bujqësia është sektori që dominon punësimin në vend, por gjatë vitit 2018 pesha e saj ra në 37.4% totalit të të punësuarve nga 38.2% që ishte gjatë vitit 2018.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, struktura e punësimit sipas sektorëve u zhvendos nga bujqësia te shërbimet dhe prodhimi.
Gjatë vitit të kaluar, sektori i tregtisë dhe shërbimeve zuri 25.7% të të punësuarve gjithsej, me 0.7% rritje në krahasim me vitin 2017.
Pesha e sektorit të prodhimit shënoi gjithashtu rritje në strukturën e punësimit. Më 2018 të punësuarit në fabrika zunë 10.6% të totalit nga 10.1% një vit më parë.
Sektori i ndërtimit po reflekton ekspansionin edhe në punësim teksa zuri 7% të totalit.
Rënie të peshës në totalin e të punësuarve patën sektorët e industrisë dhe të administrimit publik.
Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, por ka peshën më të lartë të ushqimeve të importuara ndaj totalit të importeve.
Edhe pse vlera e shtuar në bujqësi zë rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, Shqipëria importon prodhime bujqësore më shumë se sa eksporton.
Në vendet e tjera të rajonit, bujqësia zë një pjesë më të vogël në ekonominë totale, por siguron prodhim dhe eksporte më të larta se Shqipëria.
Duke ju referuar të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2016, Moldavia renditet e dyta pas Shqipërisë në Europë për madhësinë e bujqësisë me rreth 14% të totalit të ekonomisë. Në vend të tretë renditet Ukraina me 13.7%. Lista vijon me vendet e Ballkanit Perëndimor. Vlera e shtuar e bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruton në shtetin e Kosovës përgjigjet vetëm për 13.4% të gjithë ekonomisë.
Në Maqedoni, vlera e shtuar në Bujqësi është sa 10% e PBB-së, në Malin e Zi 9%, ndërsa në Serbi 7.9%. Bosnjë dhe Hercegovina ka vlerën më të ulët të shtuar nga bujqësia, vetëm 7.7% të PBB të vendit.
Në shtetet e zhvilluara të Europës, bujqësia zë më pak se 5% të ekonomisë, ku niveli më i ulët regjistrohet në Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, me më pak se 1%.
Paradoksi qëndron që edhe pse jemi vendi më bujqësor i të gjithë Europës, kemi peshën më të lartë të importeve për grup-mallrat e ushqimeve. Sipas përllogaritjeve të ‘Monitor’, duke iu referuar të dhënave të INSTAT mbi importet ndër vite, pesha e importeve të ushqimeve ndaj totalit të importeve është 11.4%. Krahasuar me dy vendet e tjera më bujqësore të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë një vlerë të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm gati dy herë më pak se yni, pesha e importeve të ushqimeve është më e ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.