2019, ja sektorët me rritje më të lartë të pagave, lajme të këqija për bankierët

11/09/2019 11:02 PM 0 komente

Sektorët që vuajnë mangësi të fuqisë punëtore kanë nisur të përdorin rritjen e pagave si një mjet për të mbajtur prodhimin dhe shërbimet nën kontroll.

Në tremujorin e dytë të vitit, sektori i informacionit dhe komunikimit, bujqësia, hoteleria, baret dhe restorantet ofruan rritjet më të larta të pagave për punonjësit e tyre, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Ndërsa punonjësit në sektorin e ndërtimit dhe sektorin bankar kanë pësuar ulje të pagës në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të 2018.

Në sektorin financiar dhe atë të sigurimit, pagat shënuan ulje me 0.7%. Paga mesatare në këtë sektor arriti në 113,339 lekë nga 114,162 lekë që ishte në tremujorin e dytë 2018. Rënia e pagës ka ardhur nga ndryshimet që po pëson sektori bankar. Bankat kanë hyrë në një proces ristrukturimi dhe shitjesh, çka ka sjellë uljen e stafeve të punonjësve. Oferta më e madhe për punonjës ka sjellë edhe uljen e nivelit të pagave në sektor. Gjatë vitit të fundit, sektori bankar e ka shkurtuar numrin e punonjësve me 180, duke arritur gjithsej në 6,688 të punësuar.

https://www.monitor.al/shit-blerjet-e-bankave-numri-i-punonjesve-ne-sistem-ulet-me-180-ne-nje-vit/

Pagat shënuan ulje edhe në sektorin e ndërtimit me 2.6% në tremujorin e dytë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe pse vendi është përfshirë në një valë ndërtimesh nga numri më i madh i lejeve, kompanitë e ndërtimit nuk po performojnë mirë me të ardhurat për shkak të kërkesës së dobët për banesa. Paga mesatare mujore bruto ishte 42,521 lekë në tremujorin e dytë 2019, nga 43,654 lekë që ishte më tremujorin e dytë 2018.
Nga ana tjetër, rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në sektorin e hotelerisë dhe turizmit me rritje vjetore 13%. Paga mujore bruto në mars-qershor 2019 arriti në 56,295 lekë nga 49,740 lekë që ishte më 2018. Hotelet e mëdha në vend kanë pohuar më herët se, janë detyruar të risin pagat për shkak mungesës së fuqisë punëtore.

Më tej, ritmet më të larta të rritjes i pati sektori i komunikimit me 11% dhe më tej bujqësia, tregtia, shërbimet dhe transporti raportuan rritje vjetore të pagave me 6.3%.
Me gjithë këto ndryshime Shqipëria vijon të ofrojë pagat më të ulëta në Europë dhe në rajon për një të punësuar.

Sektori që paguan më shumë në Shqipëri është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, me 113 mijë lekë në muaj, i ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 87 mijë lekë. Ky sektor ka parë dhe rritjen më të lartë të pagës në vlerë absolute, teksa zhvillimi i teknologjisë së informacionit në biznese po i bën profesionistët e kësaj fushe gjithnjë e më të kërkuar.

Aktivitetet e tjera paguajnë mesatarisht më pak se 60 mijë lekë në muaj, ku më e keqpaguara është bujqësia.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of