2020, çmimet e prodhimeve bimore u ulën me 2%, por prodhimet blegtorale u rritën 4.5%

02/07/2021 1:22 PM 0 komente

Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën me 0.8% gjatë vitit të kaluar, në krahasim me vitin 2019 raportoi sot INSTAT, por brenda sektorit, çmimet e prodhimeve bimore shënuan rënie, ndërsa ato të prodhimeve blegtorale u rritën.

Gjatë vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rënie mej 2,0%, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale shënoi rritje me 4,5%, krahasuar me një vit më parë.

Rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar çmimet e grupit “Qumësht” me 8,1%. Rritje krahasuar me një vit më parë kanë shënuar edhe çmimet e grupit “Drufrutorët” me 2,6%, “Mish peshë e gjallë” me 2,0% dhe çmimet e grupit “Drithëra” me 1,5%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Patate” kanë shënuar një rënie të konsiderueshme prej 29,4% krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu rënie krahasuar me një vit më parë pësuan edhe çmimet e grupit “Bimë foragjere” me 2,9%, “Perime” me 1,4% dhe çmimet e grupit “Bimë industriale” me 0,8%.

Ecuria e çmimeve për prodhimet bujqësore pati ecuri të ngjashme me prodhimin bujqësor dhe të blegtoral. Psh rritja e prodhimit bimor u reflektua edhe me rritje të eksporteve dhe ulje të çmimeve.

Në vitin 2020, prodhimi i perimeve është 1.295.726 tonë, duke shënuar rritje vjetore me 2,99%, krahasuar me vitin 2019. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 506.531 tonë, Berat me 131.735 tonë dhe Tiranë me 130.001 tonë. Prodhimi i drithërave në vitin 2020 është 684.023 tonë, duke shënuar rritje me 2,61%, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 170.229 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 99.858 tonë dhe Korçë me 78.801 tonë.

Gjithashtu prodhimi i pemëve frutore në vitin 2020 është 273.749 tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 82.007 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 38.470 tonë dhe Fier me 33.829 tonë.

Në të kundërt sektori i blegtorisë shënoi rënie si numër krerësh ashtu edhe në prodhime, teksa çmimit për produktet blegtorale u rriten.

Numri i gjedhëve në vitin 2020 është 362.583 krerë, duke shënuar rënie me 12,76%, në krahasim me vitin 2019. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në qarkun e Fierit me 16,15% dhe në qarkun e Korçës me 10,87% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve.

Çmimet e produkteve bujqësore mblidhen nga Anketa Mujore për Produktet Bujqësore në të gjithë territorin e vendit. Mbledhja e të dhënave kryhet pranë fermave, tregjeve të gjësë së gjallë, tregjeve të shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen. informacioni merret vetëm për çmimet në nivel ferme për produktet vendase, duke përjashtuar taksat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of