Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, Achilleas Kanaris
2020-a ishte një vit i pazakontë për të gjithë botën, për shkak të COVID-19. Shqipëria u përball me krizën e shkaktuar nga pandemia, pas një përvoje të hidhur nga pasojat shkatërruese të tërmetit të 26 nëntorit. Kjo situatë po i detyron bizneset në vend dhe në gjithë botën të përshtatej me një realitet të ri. Si reagoi Vodafone ndaj këtij realiteti?
Në përgjithësi, shumë gjëra, ndryshuan shpejt. E në këtë dinamikë të re ngjarjesh, ne duhet të përgjigjeshim menjëherë, në shumë drejtime, jo vetëm në mënyrën sesi punojmë, por edhe sesi të mbështesnim klientët tanë në këtë situatë të pazakontë.
Duhet të siguronim rrjet të qëndrueshëm, për të përballuar fluksin në rritje të komunikimit. Kërkesa për internetin fiks u dyfishua në pak kohë, ndaj na u desh të reagonim shpejt për të rritur kapacitetet e për të mbështetur klientët, kolegët, bashkëpunëtorët dhe mjedisin e jashtëm, në një kohë të paprecedentë.
Cili ka qenë ndikimi i ngadalësimit ekonomik të shkaktuar nga COVID-19 në aktivitetin e Vodafone?
Kemi dy histori të ndryshme. Pamë një rënie në përdorimin e shërbimeve të telefonisë celulare e si rrjedhojë e kësaj, sjellja e klientëve ndaj shpenzimeve për telefoninë celulare ndryshoi, shkoi në rënie. E kundërta ndodhi me telefoninë fikse, e cila u rrit gjatë vitit. Në tërësi, sektori ynë sigurisht që u ndikua nga situata, por pjesa më e rëndësishme për ne ishte shpejtësia e reagimit, si nevojë emergjente për të ndryshuar mënyrën e operimit si biznes dhe të siguronim që kapaciteti i rrjetit tonë, të përballonte nevojat e klientëve.
Reagimi kryesor i kompanive ka qenë investimi në teknologji për të rritur eficiencën dhe për të përballuar orientimin drejt punës online. Po për Vodafone, cila ka qenë përqasja e investimit në teknologji?
Vodafone është një kompani teknologjie dhe përpos kësaj, është pjesë e një grupi ndërkombëtar, si Vodafone Group, që sjell tek ne njohuri dhe ekspertizë mbi teknologjinë edhe nga përvoja e shteteve të tjera ndërkombëtare. Ndryshuam mënyrën e të punuarit duke kaluar plotësisht online, pra nga shtëpia, një mënyrë të punuari, që jo për çdo zë të kompanisë ishte praktikuar.
P.sh., në harkun kohor të një jave nga nisja e karantinës, kolegët e call center për shërbimin ndaj klientit kaluan tërësisht online nga shtëpia, ashtu si gjithë stafi i Vodafone. Që nga marsi, ne vazhdojmë të praktikojmë punën nga shtëpia. Edhe sot, zyrat nuk funksionojnë në kapacitet të plotë, duke e kthyer kështu mentalitetin e punës online dhe përdorimin e zgjidhjeve dixhitale, si pjesë të së përditshmes sonë në Vodafone. Pjesa tjetër shumë e rëndësishme ishte që në këtë ndryshim të ndihmonim edhe klientët tanë, veçanërisht klientët e biznesit, për të cilët hodhëm në treg produkte me zgjidhje dixhitale, që mbështesin punën në distancë.
Dhe së fundmi por jo nga rëndësia, i kemi dhënë një tjetër ritëm zhvillimit të shërbimeve dixhitale me aplikacione të reja, blerje online, duke ditur se shumë shpejt në të ardhmen, mënyra sesi do të ndërveprojmë me klientët do të jetë tërësisht online, një mënyrë që garanton sigurinë dhe shëndetin e klientëve dhe punonjësve tanë në raste të tilla si pandemia e COVID-19.
Si e shihni tani zyrën e së ardhmes?
Unë shoh një të ardhme ku puna në zyrë do të kombinohet me punën nga shtëpia. Do të lëmë pas kohën kur puna zhvillohej vetëm në ambientet e zyrave tona, në çdo ditë të javës, nga e hëna në të premte. Do të shohim shumë e më shumë zgjidhje për punën në distancë. Mbetet ende e papërcaktuar ndarja e kohës mes zyrës dhe shtëpisë, por disa role do të mund të kryhen plotësisht në distancë. Për shembull, inxhinierët dhe zhvilluesit dixhitalë mund të punojnë tërësisht online.
Një tjetër rol që mund të kryejë funksionet në distancë është edhe operatori i shërbimit të klientit etj., ashtu siç ka edhe role të tjera menaxheriale që duhet të kombinojnë punën online me zyrën. Një prej gjërave që po diskutojmë së fundmi është të kthejmë Vodafone Albania në një hub për zhvillimin e zgjidhjeve dixhitale për të gjithë Vodafone Group. Ky ndryshim do të ndodhë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Mendoj se 2021 do të jetë viti kur koncepti i zyrës do rikonceptohet tërësisht.
Rreth një vit më parë, Vodafone përthithi operatorin e trefishtë të telefonisë, Abcom. Si ka ecur ky proces dhe çfarë vlere të shtuar i ka sjellë Vodafone ky bashkim?
Ishte një hap i pashmangshëm për Vodafone Albania, duke qenë se të gjitha tregjet europiane, ku Vodafone operon, ofrojnë shërbime të konverguara, pra celular, fiks dhe TV. Vodafone Albania nuk mund të mbetej pas. Patjetër që sjell vlerë të shtuar për ne si Vodafone, por edhe më shumë për klientët dhe tregun shqiptar. Me këtë bashkim, ne si Vodafone kemi më shumë produkte dhe shërbime në dispozicion të klientëve, qofshin ata individë apo biznes. Ky kombinim produktesh e shërbimesh fikse, celulare dhe TV, i japin përfitime klientit jo vetëm nga ana ekonomike, pra çmimit, por edhe nga ana e eksperiencës së shërbimit.
Në 6 muajt e fundit, ne kemi investuar fort e intensivisht në infrastrukturën fikse dhe sot jam i lumtur që ish-Abcom, pra rrjeti Vodafone fiks, është më i miri në treg. Një tjetër shembull që tregon sesi kombinimi i shërbimeve fikse dhe celulare janë përfituese për klientin është produkti ynë më i ri në treg, Giga Garantuee, që siç e bën të qartë dhe vetë emri që mbart, u premton klientëve tanë zgjidhje për çdo problem që mund të kenë me linjën e internetit fiks, pra kanë mundësi të përdorin Giga Garantuee me internet pa limit, deri në zgjidhjen e problemit. Pra klientët tanë nuk mbeten asnjëherë pa akses në internet.
Cili ka qenë kontributi social i Vodafonë gjatë vitit 2020?
Siç e përmendëm edhe më lart, Shqipëria ka kaluar në kohë krizash, që prej vitit të kaluar, me tërmetin, dhe më tej me COVID-19. Në të dyja rastet, ne si Vodafone reaguam shpejt dhe radikalisht. Në përgjigje të emergjencës COVID-19, Vodafone ndoqi një program kontributi social, me një vlerë prej 4 milionë euro, një kontribut social që deri më sot, mbetet nga më të mëdhenjtë që një kompani private jep në Shqipëri.
Po ku konsistoi ky kontribut? Së pari, që të ofronim më shumë komunikim me paketa ekonomike për klientët tanë gjatë periudhës së karantinës. Së dyti, që të ofronim më shumë shërbime dhe komunikim falas për punonjësit e shëndetësisë, që ishin e janë në vijë të parë të shërbimit e së treti, dhuruam 15,000 tableta për fëmijët e familjeve pa akses online, duke u mundësuar këtyre fëmijëve akses në edukim online, me qëllimin për mos të lënë asnjë fëmijë larg shkollimit, pavarësisht kushteve dhe rrethanave të situatës. Ky ishte projekti “Red For Kids”, i cili do të ndiqet nga projekte të tjera në vazhdim vitin e ardhshëm.
Dy prioritete mbeten pjesë e planeve tona të kontributit social edhe në vazhdim: 1- Gjithëpërfshirja, që synon të mos lërë askënd jashtë zhvillimit dixhital të shoqërisë dhe 2- Edukimi dixhital për të rinjtë. Po punojmë në këtë kuadër dhe se si do të zhvillohen e mundësohen, do të informoheni më konkretisht gjatë vitit që po vjen.
Cilat vlerësoni se ishin sfidat dhe arritjet kryesore të vitit? Cila ka qenë strategjia e Vodafone, në mënyrë që këtë krizë ta kthejë në një mundësi?
Pikëpamje e drejtë. Ne e themi gjithnjë mes kolegëve se krizat të japin mundësinë për të ndryshuar. Pa diskutim që sfida më e madhe në këtë vit ishte të siguronim mbarëvajtjen operacionale dhe të ndryshonim mënyrën e të punuarit në kohë rekord. Nga ana tjetër, oportunitetet që lindën kanë patjetër lidhje me sfidat pasi prej tyre lindin edhe mundësitë për zhvillim. Duke hedhur vështrimin pas, në pak muaj u kthyem në një biznes plotësisht të konvergjuar. Kemi prezantuar shumë inovacione jo vetëm për të krijuar mënyrën e re të të punuarit si kompani dhe për të ndikuar në edukimin e klientëve tanë, në po të njëjtin drejtim. Pra, ky fundvit na gjen si një biznes ndryshe nga çfarë ishim në fillim të vitit.
Cilat janë planet e kompanisë për vitin e ardhshëm? Telekomunikacioni është në fazë saturimi për shkak të konkurrencës nga shërbimet e internetit. Si janë planet tuaja në këtë drejtim?
Keni të drejtë. Biznesi i telefonisë celulare është i maturuar dhe i stabilizuar. Jam shumë optimist për dy momente. Së pari, me prezantimin e internetit ultra të shpejtë me bandë të gjerë dhe teknologjisë 5G, shpaloset një portofol i gjerë shërbimesh e produktesh të reja për tregun shqiptar, ashtu si dhe në vendet europiane, ku kanë nisur të aplikohen. Nga ana tjetër, Internet of Things dhe teknologjia që qëndron pas IoT na jep mundësi të jashtëzakonshme për të dixhitalizuar industri të rëndësishme për vendin. Po ju marr dy shembuj ku jemi përqendruar, agrikulturën dhe turizmin.
Aktualisht, nëpërmjet zgjidhjeve IOT, kemi dixhitalizuar një prej fermave në Shqipëri dhe fokusi ynë është ta replikojmë këtë model edhe në ferma të tjera. Në të njëjtën kohë duam të formalizojmë dhe dixhitalizojmë turizmin me krijimin e një platforme dixhitale që bashkon klientët dhe ofruesit e produkteve turistike, me qëllim promovimin e turizmit për Shqipërinë. Një pjesë tjetër e rëndësishme e planeve tona është dixhitalizimi. Duam apo s’duam, ky është momenti i domosdoshëm për të përshpejtuar procesin e dixhitalizimit.
Tani, ashtu si ne edhe autoritetet po flasin për domosdoshmërinë e investimit në teknologjinë dixhitale, si një hap kyç drejt rimëkëmbjes ekonomike. Kjo është mundësi shumë e mirë jo vetëm për Vodafone që operon në treg në këtë linjë, por edhe për tregun ku duhet të ndryshohet mënyra e operimit. Jam pak pesimist për biznesin tradicional të telekomunikacionit, por jam shumë optimist për këto mundësi të reja biznesi.
Një vit më parë ishit tepër optimist për 5G në Shqipëri, si e shihni sot?
5G është një çështje që lidhet me faktin se me sa vendosmëri dhe shpejtësi do të na ndihmojnë autoritetet, që ta arrijmë këtë zhvillim. Po ju marr një shembull. Pak javë më parë, po ndiqja tenderin e frekuencave 5G në Greqi, ku shteti grek vendosi të ofrojë frekuencat 5G për operatorët, me një çmim dysheme relativisht të ulët, por i inkurajoi ata për të dedikuar fonde investimesh në inovacion, si dhe prezantimin sa më të shpejtë të teknologjive të reja.
Pra, nëse qeveria shqiptare na ndihmon të çojmë përpara këtë proces, premtimi për ta ofruar këtë shërbim do të ndodhë shpejt. Në mendimin tim, nëse flasim për dixhitalizimin e vendit, nuk mund ta lëmë pas shtrirjen e infrastrukturës 5G dhe internetit ultra të shpejtë me bandë të gjerë për infrastrukturën fikse.
Së fundmi, si e shihni ekonominë e Shqipërisë në vitin e ardhshëm? Në opinionin tuaj, ku janë pikat e forta dhe të dobëta?
Mendoj që rritja ekonomike varet shumë nga shpejtësia e investimit në ekonomi. Në këtë kuadër presim të shohim planin e Shqipërisë për rimëkëmbjen ekonomike, ashtu si dhe planin e Bashkimit Europian për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria. Pra, shpejtësia e lëvrimit të fondeve për Shqipërinë do të luajë një rol të rëndësishëm.
Pjesa e dytë e rëndësishme është përkushtimi për të investuar në projekte që garantojnë rritje të qëndrueshme për vendin, siç është dixhitalizimi i sektorëve të ekonomisë, një hap ky që garanton optimizim të produkteve dhe shërbimeve, rritje të punësimit me rritjen e kërkesës për produkte cilësore dhe rrjedhimisht rritje të indikatorëve të ekonomisë së vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.