2020 pritet të jetë një vit sfidues për ndërtimin, taksat do rrisin çmimet e apartamenteve

18/01/2020 10:03 PM 0 komente

Për aktorët kryesorë të sektorin të ndërtimit në vend 2020 pritet që të jetë një vit sfidues. Tërmeti i fuqishëm në 26 nëntor nxori në pah problematikat që lidheshin ngushtësisht me këtë sektor dhe me cilësinë e ndërtimit, por që për aktorët kryesorë të tregut nuk do të ndalë hovin e lejeve të ndërtimit që janë dhënë tashmë.

Sipas tyre sektori i ndërtimit do të jetë më sfidues për shkak edhe kostove të reja ndaj ndërtuesve. Me bumin e ndërtimeve klientët e interesuar për të blerë apartamente kanë edhe më shumë oferta në treg por kanë edhe mungesë informacioni mbi morinë e projekteve që janë hedhur në tregun e pasurive të paluajtshme. Kjo për ndërtuesit përbën një terren të mirë për ndërtuesit jo seriozë.

 

Taksat, si do të ndikojë te çmimet

Në vitin 2020, taksa 3% e strehimit social, si dhe sigurimi i detyrueshëm i pallateve deri në 10 vjet nga ana e ndërtuesve, pritet që të ndikojë drejtpërdrejtë në çmimet e apartamenteve. Për më tepër, nisur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili la të pastrehë me mijëra qytetarë, qeveria do të kërkojë vjeljen e taksës së strehimit social që në nisje të ndërtimit, çka pritet që të sjellë vështirësi edhe me likuiditet e firmave të ndërtimit, të cilat do t’ju duhet të paguajnë paradhënie 3% të sipërfaqes së godinës me çmim tregu.

Hajredin Fratari, ndërtues, u shpreh për Monitor se në sektorin e ndërtimit çmimet nuk janë rritur nga ndërtuesit, por kanë ardhur si rrjedhojë e taksave të shtuara.

“Ne jemi vendi me taksat më të larta në Europë edhe në Ballkan. Shumë ndërtues po transferojnë ndërtimet në vendet e rajonit, si Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë aplikohet një taksë prej 10% te sektori i ndërtimit, taksa për sigurimet ndahet midis punonjësit. Në Maqedoni dhe në Malin e Zi është i njëjti sistem taksimi. Taksimi 3% për strehimin social është një taksë e jashtëzakonshme. Ne si ndërtues paguajnë 8% të çmimit referencë si taksë infrastrukture, e cila është reflektuar tek çmimi final që paguan klienti. Deri më tani taksa e infrastrukturës ka shkuar në destinacionin që është mbledhur, duke u investuar aty ku duhet,- u shpreh ai.

Ndërsa Sokol Kika po planifikon të pezullojë ndërtimet në periudhat e ardhshme. Për të nuk është më tërheqëse të investojë në këtë moment, ku për të nisur një projekt të ri do t’i bllokoheshin një pjesë e mirë e likuiditeteve.

Një tjetër barrë i është shtuar ndërtuesve, sikurse është sigurimi për 10 vjet i sigurimit të detyrueshëm të pronës. Ky sigurim i detyrueshëm bën fjalë për 1% të çmimit të tregut të banesës, e cila e paguar për 10 vjet, do të thotë që ndërtuesi duhet të paguajë 10% të çmimit të referencës.

Sokol Kika thotë se kjo është një barrë që në momentin e parë po rëndon te ndërtuesit, pasi ata nuk mund të reflektojnë te kontrata që janë lidhur tashmë me blerësin, por padyshim që për apartamentet që do të shiten në të ardhmen kjo do të thotë rritje e çmimit.

Edhe përfaqësuesit e kompanisë Gener2 pohuan se taksat e reja pritet të ndikojnë në mënyrë direkt te kostot e ndërtimit dhe rrjedhimisht do të ndikojë edhe te çmimi i blerësve. Ndërsa për sa i përket masës së sigurimit për 10 vjet ata u shprehen se kjo masë është më shumë transferim risku nga një palë në një palë tjetër; ndërkohë që për ndërtuesin ose banorin në rastin kur apartamenti është vendosur kolateral për një kredi bankare, është një kosto e shtuar kjo masë duhet të analizohet nga shoqëritë e sigurimit të cilat edhe do ta mbartin riskun për 10 vite.

 

Informaliteti

Barra e taksave shton rrezikun për hyrjen dhe lulëzimin e kompanive anonime, të cilat kanë burime të larta të likuiditeteve.

 

Si do të ndikojë tërmeti te kërkesa për apartamente

Post-trauma e tërmetit gjeneroi një kërkesë të lidhur ngushtë me panikun për shtëpi private apo për apartamente në kate të ulëta. Stela Dhami, drejtuese e Colliers Interantional Albania tha për Monitor se sektori i cili po ndjen një ndikim të menjëhershëm në qytete si Tirana dhe Durrësi është ai rezidencial, ku vihet re një rritje kërkesash për hyrje në kate më të ulëta në godina rezidenciale shumë katëshe. “Po ashtu vihet re edhe një rritje të kërkesës për troje në periferi të Tiranës ku çdo blerës mund të ketë mundësinë që të zhvillojë projektin e tij rezidencial,”- shprehet Dhami.

Të njëjtën tendencë shprehin edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, por ndërtuesit mbeten skeptikë.

Përfaqësues të kompanisë Orion Construction thonë se kanë vënë re një qasje të klientëve për godina të ulëta. “Për shkak të trembjes së tërmetit ka interes në rritje për klientët për të blerë apartamente në godina deri në tre kate, por shumë pak prej tyre janë finalizuar në shitje pasi rezulton e vështirë për klientët që të shesin apartamentet ekzistuese që të kalojnë në investime të tjera”,- thonë ata.

Megjithatë Hajredin Fratari beson se nuk do të ketë ndryshim në preferencat e njerëzve.

“Ka dy shtresa që kërkojnë të blejnë shtëpi, shtresa e mesme që janë nëpunësit që blejnë shtëpi me kredi bankare, të cilët do të blejnë në godina kolektive, të cilat shiten edhe me një çmim të përballueshëm, ndërsa shtresa e pasur do të jetë ajo që do të kërkojë ndërtesa të ulëta. Kullat po ecin normalisht,- shprehet ai.

Edhe përfaqësuesit e kompanisë GENER2 mbështesin mendimin se kërkesa për banim nuk është në varësi të dukurive natyrore. Ata parashikojnë se nuk do të ndryshojë në sasi si kërkesë, por do të jetë e orientuar drejt sigurisë dhe cilësisë.

Inxhinier Raniel Sulaj, nga Gener2, argumenton se viti 2020 pason një vit ku janë dhënë disa qindra leje ndërtimi të cilat janë në proces, kështu qe ofertat janë në treg. Gjithashtu, sipas tij çmimet në përgjithësi janë vendosur, si në bazë të zonave si në bazë të cilësisë së ndërtimit. “Nuk mendojmë që do të ketë ndryshime madhore në këtë drejtim”, pohon ai.

 

Pezullimi i lejeve

Pas tërmetit shkatërrues të 26 janarit, qeveria ka marrë vendimin për të pezulluar lejet e ndërtimit në zonat e prekura nga ndërtimi, konkretisht në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Njoftimi zyrtar është bërë nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

“Bazuar në kërkesën e disa bashkive të prekura nga dëmet e tërmetit të datës 26.11., si dhe në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019, ndryshuar me VKM Nr.751 datë 29.11.2019, ju njoftojmë se është realizuar me sukses pezullimi i aplikimi për leje ndërtimi në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë”, thuhet në njoftim.

Për këto qarqe mund të aplikohet shërbimi vetëm “Aplikim për leje ndërtimi, riparimi, restaurimi (rastet e emergjencave civile).

Njoftimi i është shpërndarë edhe bashkive që janë në këto tre qarqe si Durrës, Tiranë, Vorë, Shijak, Krujë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe Kurbin.

Megjithatë ndërtuesit sipas Hajredin Fratarit pezullimi i lejeve të ndërtimit në këtë moment do të kishte ndikim në ekonomi.

Gjithsesi, sipërfaqja e dhënë për leje arriti në nivel rekord për 9 mujorin e 2019-s, ndërtime që pritet të vihen në jetë në periudhën në vazhdim.

Përpara se të binte tërmeti, vrulli i ndërtimeve nuk kishte të ndalur. Të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT për lejet e ndërtimit, në tremujorin e tretë, tregojnë se për 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017.

Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë dy vitet e fundit po siguronte gati një të tretën e të ardhurave të veta nga taksa e ndikimit të infrastrukturës dhe ndalimi i lejeve pritet që të presë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për këtë bashki.

Projekti financatvendore.al, që monitoron shpenzimet e bashkive e kishte theksuar disa herë varësinë e të ardhurave të buxheteve të bashkive, sidomos të zonave kryesore në Durrës e Tiranë, nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja.

Për të gjithë vendin, INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë 2019 janë miratuar gjithsej 293 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 343 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rënie prej 14,6 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2019, është 685.455 m², nga 330.725 m² miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje me 2,1 herë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of