Viti 2021 është i mbushur me pasiguri për sektorin e tekstilit dhe prodhimit të këpucëve. Nga njëra anë, kriza po prodhon mundësi për të diversifikuar prodhimin dhe burimet e eksportit, por rënia e porosive dhe pasiguritë për zgjatjen e pandemisë zbehin shpresat për përmirësim këtë vit.
Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se fabrikat do të përballen me rënie të kërkesës edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2021, pasi partnerët tregtarë, kryesisht në Europën Perëndimore, po zbatojnë masa të rrepta të kufizimeve në lëvizje.
Përmirësimet do të qartësohen në 6-mujorin e dytë, pasi aplikimi në masë i vaksinës dhe krijimi i imunitetit të tufës ndaj koronavirusit pritet t’i çojë zhvillimet drejt normalitetit. Pasi efektet e pandemisë të zbehen, kërkesa për veshje do të jetë më e lartë se zakonisht për të zëvendësuar blerjet e munguara, por humbjet që janë krijuar gjatë vitit 2020 nuk pritet të kompensohen as në 2021, – pohoi Zekja.
Fabrika më e madhe e prodhimit të këpucës në vend, “ProDyn”, parashikon ecuri të dobët të kërkesës në 6-mujorin e parë. Eva Laro, e cila administron “ProDyn”, tha se ecuria e aktivitetit këtë vit do të varet nga mënyra se si do të ndikojë vaksinimi në situatën e krijuar në Europë. Gjithsesi, parashikimi i shitjeve dhe për 6-mujorin e parë të vitit do të jetë i zymtë. Laro tha se i për sa i përket prodhimit, pritet rritje e porosive nga muaji mars-prill, gjithsesi sërish nuk do të kapin 100% nivelin e mëparshëm.
Nazmi Grori, i cili zotëron një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të veshjeve për eksport, “Naber”, tha se porositë për 6-mujorin e parë kanë pësuar rënie me 50% dhe prodhimi është vetëm në gjysmën e kapacitetit. Sipas tij, edhe ky vit do të jetë sa për mbijetesë dhe kthimi në normalitet nuk do të jetë i afërt.
Diversifikimi i prodhimit, një mundësi për rritje
Por si çdo krizë tjetër, edhe kjo e pandemisë, përveç falimenteve, po e çon industrinë fason drejt mundësive të reja. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve tha se, shumë fabrika kanë transferuar një pjesë të prodhimit ose tërësisht për veshje mjekësore dhe maska.
Zekja pohoi se shumë fabrika shqiptare kanë lidhur kontrata afatgjata për veshje mjekësore dhe kjo do t’u mundësojë atyre ta kapin këtë treg për një afat të gjatë, pasi shumë vende europiane, madje edhe SHBA, nuk duan të kenë varësi 100% nga Kina. Por për disa fabrika, kriza nuk ka qenë një mundësi, por fatalitet. Disa lojtarë të mëdhenj kanë pezulluar aktivitetin përkohësisht, ndërsa të tjerë po punojnë me 30-50% të kapacitetit.
“Tekstilet dhe këpucët”, grupi më i madh eksportues në vend, u tkurr në tetor me 2.1%. Për gjithë 10-mujorin, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë me gati 15%, duke shënuar ecurinë më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator. Përfaqësuesit e sektorit thonë se e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive të një vale tjetër të virusit, që ka ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.
Pas hapjes së ekonomisë, sektori fason nisi ta rimarrë veten nga dëmet që i shkaktoi mbyllja e kufijve, por me nisjen e kufizimeve në vendet e BE-së, efektet e rënies po ndihen përsëri, tha Edvin Prençe, kryetar i “Pro-Eksport Albania” (PEA) Ai shton se aktualisht, prodhimi ka rënë 65%. Gati gjysma e rënies së totalit të eksporteve në vlerë i dedikohet grupit “Tekstile dhe këpucë”.
Sipas të dhënave nga tregu, deri më tani, 37% e fabrikave kanë diversifikuar prodhimin, nga këpucët dhe veshjet tek furnitura për spitalet, të tilla si maska, veshje njëpërdorimshe për mjekët, etj. Zhvillime të tjera pozitive lidhen me zhvendosjen e shitjeve nga Italia drejt vendeve perëndimore si Gjermania, Britania, Franca dhe deri në Japoninë e largët. Ndonëse me vlerë më të ulët, eksportet drejt këtyre shteteve janë rritur me ritme dy dhe treshifrore. Këto përvoja do të shtrojnë rrugën për kontrata të qëndrueshme dhe në afat të gjatë me këto vende, duke ulur ekspozimin ndaj krizave në Italinë fqinjë.
Laro, nga fabrika “ProDyn” tha se, gjatë vitit 2021, do të rrisë bashkëpunimin dhe sasinë e prodhuar për klientin e ri “Clarks” dhe do të shtohet një klient i ri në fushën e veshjeve sportive të këmbëve. Ajo tha se kontrata me “Clarks” ka ndihmuar parashikimet të mbajë prodhimin e këpucës në 100% të kapacitetit.
Ajo thotë se do të vazhdojë prodhimin në segmentin e ri që diversifikoi gjatë 2020-s me veshje (mjekësore). “Tashmë jemi përgatitur me markën tonë ‘EFA Solution’ në PPE, të certifikuar në Kategorinë III (që mbulon mbrojtje të niveleve të larta të riskut) dhe po ashtu, kemi standardizuar prodhimin me ISO 13485, ‘Medical Quality Management System’, duke siguruar standard të lartë në cilësinë e produktit që ofrojmë në tregjet europiane dhe urojmë së shpejti, edhe në tregun amerikan” – pohoi Laro.
Transferimi i prodhimit në Europë, një mundësi për 2021
Sektori fason është para një mundësie të re për të rritur fitimet nga kërkesa e re që imponohet gjatë kësaj dekade, por edhe në vijim. Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se aktualisht Europa, por edhe mbarë globi, kanë deficite të larta për maska, veshje mjekësore dhe për spitalet.
Nga njëra anë, magazinat dhe stoqet janë boshatisur, ndërsa në anën tjetër, kërkesa e re është shumëfishuar për shkak të pandemisë. Problematikat që u shfaqën me furnizimet nga Kina gjatë valës së parë të pandemisë i kanë bërë skeptike shtetet europiane, të cilat po kërkojnë që një pjesë e prodhimit të diversifikohet në Europë.
Përveç Europës, edhe SHBA po diversifikon furnizimet nga Kina. Burimet nga tregu pohuan se ka kërkesa dhe porosi nga klientë amerikanë për t’u furnizuar me pajisje mjekësore nga Shqipëria. Kompania “Prodyn” është duke negociuar një kontratë me SHBA-në, e cila do të rrisë shitjet në vijim. Zekja thotë se, për të përfituar nga këto mundësi të reja, që ka gjeneruar kriza, qeveria duhet të ndihmojë fabrikat që të kryejnë ciklin e mbyllur.
Industria e fasonit mund të sigurojë një përshtatje të qëndrueshme për të përballuar krizën, nëse realizon ciklin e mbyllur. Në ditët e fundit, shoqata “Pro-Eksport Albania” zhvilloi një anketim me anëtarët e saj, fabrika të prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve. Me një kampion prej 68 sipërmarrjesh të mëdha, të mesme dhe të vogla të sektorit të anketuara, që përfaqësojnë mbi 10% të totalit të 660 fabrikave të regjistruara me status aktiv.
Rezultatet treguan se kampioni kërkon të paktën 5 milionë euro investime për të përshtatur teknologjinë për të realizuar ciklin e mbyllur. E gjithë industria kërkon së paku 50 milionë euro për të realizuar këtë proces. 86% e kompanive të pyetura janë shprehur të gatshme të orientohen drejt ciklit të mbyllur.
Rezultatet treguan se shumica e fabrikave prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpucëve po punon sot për mbijetesë. Kufizimet e prodhimit gjatë pandemisë sollën largimin e detyruar nga puna të mijëra punonjësve të industrisë për periudhën mars-qershor 2020. Sektori është humbësi më i madh në punësim në Shqipëri, për shkak të COVID-19. Në bazë të të dhënave të INSTAT, eksportet e vendit si total, gjatë periudhës prill-qershor 2020, ranë me një të tretën (32%), ndërsa eksportet e industrisë së veshjeve dhe këpucëve u përgjysmuan, duke rënë me 48%.
Kjo ka shkaktuar një humbje mbi 180 milionë euro për sektorin. Rreziku i falimentimeve në masë është ende i dukshëm. Problemet kryesore të ndërmarrjeve të sektorit janë mungesa e theksuar e likuiditetit për të paguar pagat e punonjësve dhe lëndën e parë; mungesa e theksuar e likuiditetit për të kryer investime (blerje makinerish) për kërkesat e ndryshuara në treg për produkte njëpërdorimshe dhe produkte të pajisjeve mjekësore për mbrojtjen individuale nga koronavirusi.
Fabrikat kanë raportuar mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar për teknologjinë e kërkesave të reja në treg dhe akses të dobët në tregun bankar për kredi dhe për huatë e ofruara me Garancitë Sovrane 1 dhe 2. Anketa ka gjetur njohje të pakët nga ndërmarrjet për ofertat e reja të tregut dhe mundësi tejet të kufizuara për pjesëmarrje në panaire virtuale të rajonit. Fabrikat kanë raportuar mungesë të theksuar bashkëveprimi me strukturat shtetërore të arsimit profesional dhe me donatorët për programe konkrete kualifikimi dhe trajnimi për punonjësit e sektorit, ose për punonjësit e rinj.
Sektori minerar nuk pritet të rikuperojë këtë vit rënien e lirë që pësoi në vitin 2020, për shkak të pandemisë. Kjo pasi rënia kishte nisur shumë më herët.
Përfaqësues të disa prej kompanive të sektorit minerar në vend pohojnë se është e nevojshme të rritet vëmendja ndaj sektorit. Luan Saliaj, Drejtor Ekzekutiv i “Albchrome”, shprehet se prodhimi shqiptar po bëhet jokonkurrues në kushtet kur çmimi i energjisë është tejet i lartë.
“Që sektori i metalurgjisë në Shqipëri të ketë një perspektivë afatgjatë dhe të shfrytëzojë potencialet në maksimum, është e nevojshme që të sigurohet furnizimi me energji elektrike me çmime të favorshme, të cilat duhet të jenë në nivel mesatar 30-40 USD për MWh. Aktualisht, prodhuesit shqiptarë e sigurojnë vetë energjinë elektrike nga Bursa, me çmime shumëfish më të larta.
Pa një zgjidhje të shpejtë për çmimin e energjisë, prodhimi shqiptar rrezikon të mbetet jokonkurrues në tregjet ndërkombëtare dhe në mëshirën e koniunkturave afatshkurtra të tregut, pa mundësi për të bërë plane zhvillimore afatgjata” – pohon ai. Edhe Sokol Mati, njohës i mirë i sektorit dhe këshilltar i Bordit pranë “Beralb SH.A.”, nënvizon se kushtet e vështira do të sjellin falimente në sektor kudo në botë dhe Shqipëria nuk është e izoluar.
Ai pohon se viti 2021 nuk pritet të nxjerrë nga situata e vështirë sektorin, ndërkohë edhe investimet pritet të mbeten të ulëta. “Do të jetë e vështirë për ringritje, sidomos për sektorin e kromit, ku ende nuk vihet re një rritje e qëndrueshme e çmimeve, ka një sasi të madhe produkti të pashitur sot, me një vlerë relativisht të vogël.
Sektorët e tjerë gjykoj se do të kenë gjithsesi problematika me pandeminë, si në lidhje me fuqinë punëtore, vështirësitë në sigurimin e aktiviteteve ndihmëse, likuiditetin, paqëndrueshmërinë e çmimeve në tregjet globale, nivelin e kërkesës në tregun e lindjes (Kina) dhe atë europian” – thotë ai, duke sjellë në vëmendje se për bakrin, situata shfaqet disi më optimiste.
INTERVISTA
“Prodhimi mes 40-60% e kapacitetit, kosto të rritura nga energjia”
Si e vlerësoni vitin 2020 sa i takon ecurisë, duke pasur parasysh pandeminë dhe efektet që dha ajo në tregje e për rrjedhojë, edhe në sektorin minerar?
Viti 2020 kishte ndikim të gjithanshëm në ecurinë e kompanisë sonë dhe kompanive të ngjashme, ku parësore ishte kujdesi dhe mbrojtja e shëndetit të punonjësve.
Në aspektin e ecurisë së aktivitetit, 2020 përkeqësoi situatën e vështirë që kaloi industria në vitin 2019. Për shkak të kërkesës së dobët, çmimet e FeCr pësuan rënie të fortë me rreth 35%, duke arritur nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit.
Me shfaqjen e pandemisë, fillimisht në Kinë, pastaj në Europë dhe vende të tjera të botës, masat kufizuese që vendet ndërmorën, ndikuan fort në kërkesën dhe ofertën e FeCr. Në disa vende pati probleme me transportin rrugor dhe detar.
Si pasojë e situatës së krijuar, klientët ndaluan përkohësisht blerjet. Kompania u gjend në një situatë pa të ardhura të nevojshme për të mbështetur aktivitetin prodhues dhe kjo dha ndikim në cash flow. Në 6-mujorin e parë të vitit 2020, prodhimi i FeCr ra me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Edhe shitjet e kompanisë arritën nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit.
Në baza vjetore, pritet që prodhimi i FeCr në vend të jetë rreth 20% më i ulët se viti 2019. Megjithatë, kompania, jo vetëm që nuk preku asnjë vend pune, dhe nuk e pezulloi për asnjë ditë aktivitetin, por që nga 1 maji 2020, ngriti pagat për të gjithë minatorët me 10-13%. Kjo u arrit falë menaxhimit të mirë të resurseve në vitet e mëparshme, duke parashikuar edhe perspektivat jo fort të favorshme.
Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur dhe si e shihni lehtësimin e bërë nga qeveria që ka ngrirë rentën për tre vjet? Si pritet të ndikojë në sektor?
Pasojat që solli pandemia ishin të përmasave shkatërruese dhe mbështetja e qeverisë për bizneset dhe individët ishte e domosdoshme. Sidomos për industrinë e rëndë, ndërprerja e menjëhershme e kërkesës që solli rënie drastike të shitjeve krijoi vështirësi likuiditeti.
Vende me ekonomi më të fuqishme dhe me përvojë në menaxhimin e krizave, miratuan shumë shpejt paketa shpëtimi për biznese dhe lehtësi të tjera. Ndër më të rëndësishmet ishte dhe mbulimi i pagës së punonjësve për një periudhë disamujore në nivelin 80 deri në 100% të pagës bruto, kredi sovrane dhe lehtësi të tjera financiare. Disa lehtësi që u ofruan nga qeveria në Shqipëri, si kredia sovrane dhe shtyrja e kësteve të kredisë, ishin të mirëpritura.
Si e parashikoni vitin 2021 në përgjithësi dhe planet tuaja të investimit?
Pavarësisht disa parashikimeve për rritje të kërkesës në 2021, pasojat e pandemisë së shfaqur në 2020-n pritet të shtrihen edhe në vitin 2021, sidomos në pjesën e parë të vitit, që e bëjnë situatën tepër të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.
Gjatë kësaj periudhe, parashikimi i prodhimit të ferro-kromit në Shqipëri pritet të jetë rreth 40-60% e kapacitetit të instaluar. Sot në vend janë gjithsej 100.000 tonë kapacitet prodhues për prodhimin e FeCr dhe deri në fund të vitit, pritet të arrijnë 120.000 tonë. Kostoja e lartë e prodhimit, e ndikuar kryesisht nga energjia elektrike, bën që sot vetëm gjysma e këtyre kapaciteteve të jenë aktive. Me disa lehtësi dhe një strategji më konkrete mes shtetit dhe industrisë në fusha të caktuara si energjia, shfrytëzimi i këtyre kapaciteteve në nivel vendi mund të arrijë 100%*.
Investimet e kompanisë “AlbChrome” do të vijojnë të jenë të larta, ku fokus do të kenë projektet për zhvillimet minerare dhe investimet në teknologji të pastra. Ne do të përqendrohemi në veçanti te “green technologies”, dhe rritja e eficiencës energjetike.
Sfida kryesore do të jetë investimi në zëvendësimin e sistemeve aktuale me teknologji të re, duke u shkëputur përfundimisht nga trashëgimia e së kaluarës, kur miniera nuk administrohej nga “AlbChrome”, edhe pse investimet nga ana jonë kanë qenë të konsiderueshme në këto 7 vite.
Në këtë përpjekje, “AlbChrome” pret mbështetje të shtetit shqiptar në nxitjen dhe financimin e investimeve në projekte që sjellin eficiencë energjetike. Nisma të tilla janë të domosdoshme dhe emergjente, duke pasur parasysh koston e lartë të energjisë që prodhuesit shqiptarë paguajnë në raport me vendet e tjera prodhuese të FeCr.
Që sektori i metalurgjisë në Shqipëri të ketë një perspektivë afatgjatë dhe të shfrytëzojë potencialet në maksimum është e nevojshme të sigurohet furnizim me energji elektrike me çmime të favorshme, që duhet të jetë në nivel mesatar 30-40 USD për MWh. Aktualisht, prodhuesit shqiptarë e sigurojnë vetë energjinë elektrike nga Bursa, me çmime shumëfish më të larta.
Pa një zgjidhje të shpejtë për çmimin e energjisë, prodhimi shqiptar rrezikon të mbetet jokonkurrues në tregjet ndërkombëtare dhe në mëshirën e koniunkturave afatshkurtra të tregut, pa mundësi për të bërë plane zhvillimore afatgjata. Pa mbështetje, rënia e këtij sektori do të jetë graduale dhe e pashmangshme, me pasoja të mëdha për ekonominë (205 milionë euro eksporte) dhe kapitalin human të angazhuar në këtë industri.
Çmimet dhe prodhimi prekën ndër nivelet më të ulëta në historinë e sektorit të kromit
Si ishte viti 2020 për sektorin minerar në tërësi? Si u ndikua nga pandemia dhe çmimet në tregje sektori minerar shqiptar?
Pandemia, si në çdo sektor tjetër prodhues, dha efektet e saj edhe në industrinë minerare, e cila prej 2014-s, vëren ulje në vlerën e të ardhurave të krijuara prej saj.
Kjo vjen për një sërë arsyesh, si çmimet e mineraleve, niveli i prodhimit, problematikat me fuqinë punëtore, mosfunksionimi normal i zinxhirit me aktivitetet ndihmëse, etj. Në rastin e produkteve të kromit, çmimet dhe prodhimi prekën ndër nivelet më të ulëta në historinë e sektorit.
Ato ishin në nivele të ulëta edhe para pandemisë (që prej gushtit të 2019-s), por ajo thjesht i përkeqësoi. Kjo solli që pothuajse shumica e subjekteve në krom të ndërpresin veprimtarinë dhe të shesin vetëm në këta muajt e fundit megjithëse me çmime nën kosto, për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të detyrueshme për kostot fikse, taksa tatime, pagat e punonjësve, etj.
Shumë pak subjekte minerare, që numërohen me gishta, në Bulqizë, Mat dhe Tropojë (si “AlbChrome”, e pak të tjerë), kanë punuar gjatë 2020, shumë syresh me kapacitete të reduktuara. Megjithëse e paraportuar, vërehet një mundësi për faliment të shumë subjekteve të vogla, për shkak të situatës globale, pandemisë, mbarimit të rezervave, pamundësisë së tyre për zbulim të rezervave të reja, si dhe pamundësisë së realizimit të investimeve për përgatitje dhe marrje të rezervave të xeherorëve të varfër në objektet ekzistuese, si pasojë e mungesës së likuiditetit dhe kushtëzimit të theksuar të financimeve nga ana e institucioneve financiare.
Situata u paraqit më mirë në produktet e bakrit, ku çmimet shënuan një rritje duke arritur deri në 7300-7500 USD/tonë metal bakër në dhjetor 2020, por gjithsesi kanë qenë të paqëndrueshme, pasi kanë variuar shumë gjatë vitit (6000-7500 USD/tonë metal bakër), gjithsesi kjo ndihmoi, që dy subjektet kryesore të prodhimit të koncentratit të bakrit të punojnë me kapacitet të reduktuar në miniera, me ndalesa të shkurtra kohore në muajt mars – qershor 2020. “Beralb Sh.A.” ka plotësuar pjesërisht kapacitetin e objekteve përpunuese, duke futur dhe riciklimin e mbetjeve, gjë që rriti prodhimin e koncentratit, megjithëse me cilësi të ulët.
Ndërsa nikeli, edhe pse pati një rritje të çmimeve që variuan nga 16000-17000 USD/tonë metal nikel, nuk dha ndonjë impakt pozitiv në prodhim, pasi siç është thënë shpesh në industrinë e nikelit, ne jemi tërësisht të varur nga objektet përpunuese të rajonit. Gurët dekorativë të destinuar kryesisht për eksport patën rënie të lehtë të kushtëzuar dhe nga kërkesa e ulur e tregut europian, por u ndihmuan edhe nga kërkesa e rritur e tregut vendas, si rezultat i ndërtimeve.
Materialet e ndërtimit u raportuan në të njëjtat nivele me gjithë bumin e madh të ndërtimeve, por për këto produkte, pjesa e informalitetit është në nivele të panjohura. Mineralet e tjera, në përgjithësi, njohën rënie të prodhimit, dhe niveli i prodhimit nga shifrat e raportuara (të cilat ende nuk janë konfirmuar nga institucionet AKBN, MIE) është rreth 5-7% më pak se ai i vitit 2019.
Përmirësimet e çmimeve të metaleve, sidomos në muajt e fundit sollën rritje të vlerës së eksporteve të metaleve veçanërisht në tremujorin e katërt, por kjo e kushtëzuar, siç përmenda më sipër, dhe nga detyrimi i pagesave të kostove fikse.
Cili është ndikimi që jep ngrirja e rentës për 3 vjet për kromin?
Renta minerare, si taksë e veçantë e sektorit të industrisë nxjerrëse, është pagesë që duhet të realizohet nga subjektet që kryejnë veprimtari nxjerrëse karshi shtetit, për shfrytëzimin që këto subjekte u bëjnë pasurive natyrore dhe janë të papërsëritshme. Është një pagesë e të mirave materiale që këto subjekte marrin nga pronat e shtetit.
Moratoriumi është një lehtësim në frymëmarrjen e biznesit minerar, sidomos për kromin, i cili prej gushtit të vitit të kaluar, ka pësuar goditje të madhe, për efekt të uljes drastike të çmimeve, deri aty sa nuk ekzistonte koncepti ofertë-kërkesë, por njëkohësisht dhe nga fakti se nga viti në vit, për efekt të zvogëlimit të rezervave, kalimit të tyre në thellësi, uljes së përmbajtjes, paaftësisë për investime, etj., kanë bërë që ky sektor të ndiejë rëndë krizën.
Në të ardhurat totale të buxhetit, ndër vite, renta minerare (gjithë industria nxjerrëse, nafta dhe mineralet), përbënte një vlerë që varionte nga 2-4% të buxhetit ose rreth 0.7-1.4% të PBB, në vlerë nominative ka variuar nga 10-180 milionë USD, kjo variancë, për efekt të rritjes së prodhimit, por dhe të përqindjes për njësi minerali. Kontributi, nga ana e mineraleve në këtë taksë, ka qenë nga 5 deri në 20%, në varësi të nivelit të prodhimit dhe çmimeve të metaleve në tregun global. Kromi, në përgjithësi, ka pasur rreth 50-60% të kësaj vlere, bakri 20-25% dhe pjesa e mbetur, mineralet e tjera. Efekti i nikelit ka qenë i vogël, pasi ne shesim thjesht mineral, në vlerat 25-35 USD/tonë mineral.
Për vitin 2020, renta minerare, përbënte rreth 0.5% të sasisë totale të të ardhurave të vitit 2020, dhe për mineralet më vete përbënte rreth 11.7% të kësaj vlere ose në total, një vlerë prej rreth jo më shumë se 170-185 milionë lekë (1.6-1.8 milionë USD).
Duke vlerësuar që në dy vitet në vazhdim, përmirësimi në sektor do të jetë shumë i vështirë, humbja në buxhet për efekt të moratoriumit të rentës nuk e kalon vlerën e 5-6 milionë USD. Kjo ndihmesë për sektorin që ndikon në vlerë në total, në rreth 15% të PBB, është më se e justifikueshme. Gjithsesi pa hequr rëndësinë e kësaj mase për sektorin kërkohet liri e zhvillimit ekonomik, me ligj të qëndrueshëm dhe për më tepër zbatim rigoroz i ligjit nga një administratë profesionale.
Logjika që do të rivlerësohet si taksë pas moratoriumit shkon në drejtimin e duhur, pasi kjo taksë duhet të përcaktohet lehtësisht nga biznesi dhe institucionet tatimore e doganore, pa mundësi abuzimi prej tyre, (kjo takse është e trajtuar në shumë akte, duke krijuar konfuzion në institucionet shtetërore të taksave dhe biznesin), të jetë lehtësisht e kontrollueshme dhe e mbledhshme nga organet tatimore dhe doganore, të stimulojë investimet dhe zhvillimin e aktiviteti minerar.
Si e prisni vitin 2021, duke qenë se ka paqartësi në lidhje me drejtimin që do të marrë pandemia dhe ekonomia globale?
Të vështirë për ringritje, sidomos për sektorin e kromit ku ende nuk vihet re rritje e qëndrueshme e çmimeve, ka një sasi të madhe produkti të pashitur sot, me vlerë relativisht të vogël. Sektorët e tjerë gjykoj se do të kenë gjithsesi problematika më pandeminë si për sa i përket fuqisë punëtore, vështirësive të sigurimit të aktiviteteve ndihmëse, likuiditetit, paqëndrueshmërisë së çmimeve në tregjet globale, nivelit të kërkesës në tregun e lindjes (Kina) dhe atë europian.
Te bakri ka më shumë shpresë, pasi dhe fryma e investimit sikur po rikthehet, ndërsa nikeli është në një gjendje pezull, investitorët ngurojnë pasi kemi të bëjmë në kërkesa për investime me shifra të mëdha që kalojnë vlerat e 150 milionë USD. Sektorët e tjerë të tregut vendas do të vazhdojnë të qëndrojnë nëse dhe ecuria e ndërtimeve do të ketë qëndrueshmëri.
Për më tepër, humbjet në biznesin minerar të dy viteve të fundit, që ende është i brishtë, jo i konsoliduar, me probleme të organizimit të strukturave të tij si nga ana profesionale, ajo financiare, por dhe të konceptit për të bërë biznes ‘alla shqiptare’, kërkojnë bashkëpunim dypalësh me strukturat shtetërore, në mënyrë që këto struktura të mos kryejnë thjesht rolin e policit minerar, vendimeve arbitrare, por në situatën e kësaj krize të sektorit t’i mëshojnë më shumë funksionit këshillues, orientues, mbështetës për biznesin në konceptin teknik të shfrytëzimit të objekteve minerare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.