Vitin që vjen, kufiri i patatueshëm i pagave do të bëhet 50 mijë lekë nga 40 mijë lekë aktualisht.
Kjo do të thotë se personat që kanë paga bruto 50 mijë lekë në muaj do të paguajnë 0 tatim. Ky kufi është 40 mijë lekë aktualisht.
Ministria e Financave përllogarit se, rritja e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë do reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 miliard lekë në vit, por ndërkohë do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj.
Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.
Si pjesë e ndryshimeve të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, vitin që vjen do të futen në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira. Kjo masë vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me 2 miliardë lekë në vit.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimi, ka referuar për deputetët e Komisionit të Ekonomisë se, janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listë-pagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13% dhe 23%.
Ajo shpjegoi se ndryshimet eliminojnë edhe praktikat e transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15% tek personat fizikë të vetëpunësuar me shkallë tatimore 0 %, nëpërmjet faturimit të shërbimeve.
Tatimi për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj, të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe SHPK, dhe që realizojnë xhiro deri në 14 milionë lekë do jetë 0 % deri në fund të vitit 2029, tha Ibrahimi.
Rritja e kufirit të patatueshëm të pagës në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë u aplikua në mes të këtij viti.
Rritja e kufirit të patatueshëm të pagave ndihmon në rritjen e deklarimit real të pagave, pasi informaliteti është ende i lartë në këtë drejtim.
Rritja e deklarimeve, nga ana tjetër, do të ndihmonte qeverinë të arkëtonte më shumë të ardhura nga kontributet e sigurimeve./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.