Balluku inspekton punimet në bypass-in e Tepelenës: Të kompensojmë humbjet e kohës në të shkuarën dhe ta përfundojmë para afatit

24/06/2019 11:03 AM 0 komente

Puna për bypass-in e Tepelenës po vijon sipas grafikut të parashikuar për të bërë të mundur që kjo vepër e rëndësishme të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë. Në të gjithë gjatësinë e tij është duke u punuar ndërsa janë marrë masat për të siguruar si mbrojtjen lumore ashtu edhe shpatin përgjatë kalasë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, si dhe deputetët e Partisë Socialiste, Qarku Gjirokastër, ndoqën nga afër punimet ku u njohën me ecurinë e tyre.

Përfaqësuesit e kompanisë, që po realizon punimet sqaruan se janë vendosur një numër i madh pilotash për të siguruar mbrojtjen e shpatit të kalasë dhe shtati të lumit, si dhe ndërhyrjet e tjera që pritet të realizohen me qëllim ofrimin e një vepre me cilësi dhe standarde për qytetarët.

“Parashikohet një segment rreth 2.1 kilometra i gjithi që do bëhet rrugë me të gjitha standardet, me dy korsi kalimi, me trotuar. Është parashikuar mbrojtja lumore  e cila në masën 99 përqind është përfunduar duke u vendosur pilota dhe perde të papërshkrueshme nga uji për ta siguruar të gjithë shpatin pasi kishim probleme të gërryerjes nga lumi. Gjithë shpati i kalasë do mbushen të gjitha zgavrat ku ka gërryerje erozioni, do mbushen me beton dhe gurë dhe pastaj do vendoset rrjeta për ta zgjidhur një herë e mirë këtë problem që ka pasur kalaja e cila rrezikohej në aspektin e qëndrueshmërisë së shpatit”, deklaroi inxhinieri i firmës kontraktore.

Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato bëri të ditur se për shkak të qarkullimit të dendur që ky aks ka gjatë sezonit turistik do të merren masa paraprake për të lehtësuar lëvizjen e drejtuesve të mjeteve.

“Po marrim masa provizore që për sezonin turistik aksi të jetë i lirë dhe të mos krijojë shqetësime për trafikun dhe ngarkesën që do ketë rruga ku do të lidhet me jugun e vendit”, u shpreh Qato.

Duke vlerësuar këtë segment si tepër të rëndësishëm, pasi lidh autostradën Levan-Tepelenë me atë Tepelenë-Kakavijë, ministrja Belinda Balluku, e vuri theksin tek angazhimi që kjo vepër të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë pavarësisht se bëhet fjalë për një vepër me kompleksitet të lartë.

“Strategjia e re për të kompensuar të gjitha humbjet e kohës në të shkuarën është që të dorëzojmë vepra para afatit. Kjo është diçka që po e bëjmë gjashtë mujorin e fundit dhe duam që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. E njohim kompleksitetin, sigurisht siguria qoftë gjatë punimeve  dhe qoftë cilësia që mbetet në përfundim të projektit janë shumë të rëndësishme për ne megjithatë kemi një dëshirë të madhe t’i dorëzojmë të gjitha veprat qoftë edhe në një kohë të shkurtër para afatit”, nënvizoi Balluku.

Deri më tani janë vendosur mbi 300 pilota, përjashto mbrojtjen lumore, ndërsa parashikohet ndërtimi i trotuareve tek segmenti përgjatë pjesës së kalasë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of