Kriza dhe ulja e fuqisë blerëse nuk i ka ndaluar konsumatorët vendas që të blejnë produkte bio e tipike shqiptare. Nën markën “Garancia Shqiptare”, ofrohen tashmë prej kohësh një mori produktesh, që nga jufkat (makarona tipike dibrane), mjaltë, verë, fruta të thata dhe lëngje frutash, të cilat tregtohen në supermarkete dhe njësi të ndryshme ushqimore.
Një pjesë e madhe e tyre kanë shitje të qëndrueshme në tregun e brendshëm, ndërsa disa kanë qenë të suksesshme edhe në tregjet e eksportit në vendet perëndimore.
“Kriza nuk e ka ulur aspak konsumin e tyre, sepse kanë regjistruar vazhdimisht rritje”, thotë Iris Kazazi, drejtuese e projektit SASA, e cila ka asistuar nismën.
Si në tregjet ndërkombëtare, edhe në ato vendase, ka më shumë kërkesë për produkte organike dhe të prodhuara natyrshëm dhe kjo do të thotë mundësi të reja për ndërmarrjet bujqësore dhe ato të agrobiznesit. Sipas të dhënave nga tregu, çmimet e prodhimeve bio rezultojnë rreth 20% më të shtrenjta se ato konvencionale, por kjo nuk i ka ndaluar konsumatorët që të shpenzojnë më shumë. Fermerët thonë se është një fakt, që njerëzit po tentojnë të blejnë produkte të shijshme e të shëndetshme, kjo sepse produktet e modifikuara gjenetikisht janë shtuar shumë vitet e fundit.
Sot, në vend janë nëntë pika shitjeje, të cilat ofrojnë një varietet me produkte organike dhe tipike, siç është Këndi i Shëndetit tek supermarketi “Mercator”, që ndodhet te “City Park”, dhe një dyqan “Duty Free” tek Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”.
Për zëvendësdrejtoren e “Mercator”, Juliana Zagorçani, ngritja e një këndi me këto produkte, ka qenë një nga iniciativat më të mira që ka ndërmarrë kompania.
“Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë dhe jemi të hapur për të pritur çdo produkt vendas në rrjetet e supermarketeve tona”, tha ajo.
Një nga sfidat më të mëdha mbetet rritja e prodhimit, me qëllim përballimin e kërkesës së brendshme, por edhe hyrja në tregjet e huaja. Megjithëse ka shumë interes në tregjet e huaja, shumë fermerë nuk po arrijnë dot të rrisin prodhimin. Shkaku kryesor mbetet pamundësia financiare për të zgjeruar linjat e prodhimit, sidomos në një kohë krize, ku gjetja e financimeve bëhet edhe më shumë e vështirë. Bujqësia mbetet një nga sektorët më pak të kredituar nga bankat vendase, megjithëse zë një pjesë të konsiderueshme në ekonominë e vendit.
Financimi i këtij sektori mbetet edhe më i vështirë, në një kohë kur edhe qeveria ka ulur ndjeshëm buxhetin e saj për bujqësinë dhe kur mbështetja direkte e bujqësisë organike është ende larg vëmendjes së saj.
“Me qëllim që bujqësia shqiptare të jetë konkurruese, prodhuesit duhet të hyjnë në tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare me produkte unike, të cilat mbajnë një identitet të përcaktuar dhe i japin blerësit siguri”, tha Ambasadorja Zvicerane Sh.S., Yvana Enzler.
Mbështetja zvicerane për sektorin e bujqësisë filloi në vitin 2001 dhe fokusi kryesor ishte vendosja e një sektori organik funksional me qëllim përmirësimin e ekonomisë rurale. Përmes aktiviteteve, projekti injektoi një metodë të orientimit nga tregu dhe prezantoi teknologji që janë miqësore ndaj mjedisit.
Si rezultat, më shumë se 3,000 njerëz që punojnë në bujqësi kanë përfituar, ndërsa mbi 100 firma dhe ndërmarrje kanë marrë pjesë në proceset e zhvillimit të tregjeve të reja. Përveç asistencës ndaj bizneseve, një rezultat i rëndësishëm i projektit ishte krijimi i institucioneve shqiptare të certifikimit dhe inspektimit, të cilat sigurojnë mbajtjen e standardeve të BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.