Bum turistësh në qershor, kryeson Kosova, me rënie vetëm polakët; Ikin dhe shqiptarët

23/07/2019 11:54 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Qershori e ka gjetur Shqipërinë të mbushur me turistë, si asnjë vit më parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në qershor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 630.334. Krahasuar me qershor 2018, ky numër është rritur me 27,0%.

Vendin e parë e mbajnë shtetasit nga Kosova, me një rritje të ndjeshme prej 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më para. Në total kanë hyrë 213.5 mijë shtetas nga Kosova. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, ata janë dyndur në plazhet e Shqipërisë, duke shfrytëzuar sidomos fundjavat.

Në vend të dytë janë maqedonasit, me rreth 68 mijë hyrje dhe rritje 14,3%.

Nga Greqia kanë hyrë 10% shtetas më shumë (rreth 46 mijë). Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar edhe të italianëve, hyrjet e të cilëve u rritën me rreth 9% (41.5 mijë). Rritje të ndjeshme kishin turistët nga Anglia, me 34% (14.3 mijë) dhe sidomos nga Mali i Zi me 35% (rreth 38 mijë hyrje). Të ardhurit nga Zvicra u rritën ndjeshëm me rreth 55%, por gjithsesi ata mbetet shumë të paktët në numër, në rreth 5 mijë persona.

Të vetmit që po e “braktisin” Shqipërinë janë polakët, të cilët ishin të parët që e “zbuluan” atë. Maciej Sokalski, koordinator i shitjeve për agjencinë “Rego-Bis” në Poloni dhe rezident në Durrës, ka pohuar më parë për “Monitor” se arsyeja e kësaj rënieje lidhet me faktin që shprehet se në vitin 2018, paketat turistike të vendit tonë u bënë relativisht të shtrenjta. Ai nënvizon se nga kontaktet që ka me 500 agjentë në Poloni, të cilët marketojnë paketat e vendeve të ndryshme, Shqipëria tashmë nuk konsiderohet si destinacion ekonomik. https://www.monitor.al/pse-po-ikin-polaket-shqiperia-po-shtrenjtohet-mund-te-blejme-greqine-dhe-turqine-me-te-njejten-vlere/

Ikin dhe shqiptarët

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2019 është 2.136.952, duke u rritur me 11,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

95% e shtetasve të huaj kanë ardhur për pushime, ose për vizitë tek familjarët, (emigrantë me pasaportë të huaj).
Në gjashtëmujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 34,6% ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 6,4%.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Qershor 2019, janë 1.103.782 duke shënuar një rritje me 23,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2019, janë 459.567. Krahasuar me qershor 2018, ky numër është rritur 11,8%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit qershor 2019, janë 644.215. Krahasuar me qershor 2018, ky numër është rritur 33,0%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin e parë 2019, është 2.656.440 duke u rritur 10,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of