Në janar – shtator 2019 tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 3.04% duke arritur në 12 miliardë e 839(rreth 100 milionë euro) por primet për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës kanë shënuar rënie me 29 për qind.
Të dhënat zyrtarë të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se shqiptarët kanë shpenzuar vetëm 881 milionë lekë për periudhën janar shtator të këtij viti për sigurimin nga risqet natyrore nga 1 miliardë e 244 milionë lekë që ishin shpenzuar një vit më parë.
Pas tërmetit të 21 shtatorit 2019 shoqëritë e sigurimit u përfshinë në fushata marketing për rritjen e tregut të sigurimit nga katastrofat natyrore. Por efektet e kësaj fushate pritet të reflektohen në muajt e ardhshëm pasi siç rezulton nga shifrat në shtator ka patur rënie të fortë të të ardhurave që kanë gjeneruar nga sigurimi zjarrit dhe rreziqeve natyrore, tërmeteve dhe përmbytjeve.
Nga ana tjetër në periudhën 10 mujore janë rritur ndjeshëm dëmet e paguara për sigurimin nga zjarri dhe dëme të tjera në pronë me 57 % krahasuar me 10 mujorin e vitit 2018.
Qeveria në mbledhjen e datës 2 tetor ka mirtatuar një vendim për sigurimin e dëtyrueshëm të ndërtesave. Sipas VKM “ndërtuesi, përpara dorëzimit të lejes së ndërtimit, duhet të kryejë dhe të dorëzojë kontratën e sigurimit të detyrueshëm për mbulimin e përgjegjësive civile dhe profesionale që rrjedhin nga gabime dhe neglizhenca që çojnë në mosrespektimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi, në zbatim të nenit 47, pika 2, të Ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
Sigurimi i detyrueshëm për ndërtesat, në fakt, ishte parashikuar sipas neneve 42 dhe 47 të Ligjit Nr. 107/2014, datë 31/07/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, por mbetet e paqartë se pse nuk ishte miratuar VKM përkatëse prej më shumë se 5 vitesh kur hyri në fuqi ligji.
Kryeministri Rama ka sqaruar mediat se “qeveria ka marrë vendim me impakt afatgjatë, parashikon masat detyruese për ndërtuesit, për zhvilluesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar me blerësit e apartamenteve, kontrata mbulon dëmet ndaj të tretëve që rrjedhin, ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndërtimi shembet -pjesërisht ose tërësisht, apo paraqet rrezik shembje”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.