2454 biznese të tregtisë falimentuan më 2016, nuk përballuan formalizimin dhe konkurrencën e qendrave tregtare

27/06/2017 8:45 AM 0 komente

Më shumë se 2400 biznese të sektorit të tregtisë dhe mijëra të tjera në sektorë të tjerë si ndërtimi, industria dhe shërbimet kanë falimentuar vitin e kaluar, pasi nuk i bënë ballë procesit të formalizimit dhe konkurrencës gjithnjë e në rritje nga qendrat tregtare.

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2016, bizneset në sektorin e tregtisë arritën në 51 mijë e 245 subjekte, nga 53,699 mijë që ishin në 2015 pas një aksioni agresiv në terren të administratës tatimore për të pajisur me NIPT që nga ambulantët deri te fermerët.

Para se të ndodhte formalizimi në vitin 2014, sektori i tregtisë kishte rreth 45 mijë biznese. Kështu nga 8600 bizneset e formalizuara, rreth 2400 prej tyre kanë falimentuar ose 27%.

Vitet e fundit, kostot e bizneseve janë rritur për shkak të taksave më të larta dhe çmimit më të lartë të energjisë. Shumë biznese në sektorin e tregtisë kanë pohuar më parë se, nëse do të paguanin në mënyrë të rregullt taksat dhe detyrimet e tjera ndaj pushtetit lokal dhe sigurimeve shoqërore e kanë të pashmangshëm falimentin.

Struktura e bizneseve në vendin tonë tregon se mbi 90% dominohet nga persona fizikë. Këto biznese që operojnë në sektorin e tregtisë së fundmi po konkurrohen nga qendrat tregtare dhe supermarketet.

Tregtia me pakicë në vendin tonë, vitet e fundit, ka rritur përqendrimin teksa qendrat tregtare, të cilat po shtohen dita-ditës, po marrin tregun e njësive të vogla. Falimentet duket se do të shtohen në vitin në vijim, teksa shihet se regjistri i bizneseve pasive që raportohen nga Tatimet, ka arritur mbi 104 mijë në fund të katërmujorit të parë.

Modeli i ekonomisë shqiptare është fokusuar te tregtia, shitblerja, dhe jo te prodhimi, prandaj ka një mbiofertë në treg, thotë një tjetër tregtar, që ushtron aktivitetin prej 20 vitesh. Ne jemi shoqëri konsumi.

Të shumtë janë ata që provojnë të hapin një biznes me qëllim vetëpunësimin, mirëpo fuqia blerëse aq është.

Sektori i shitjeve me pakicë kohët e fundit është përballur me vështirësi, dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Në Amerikë, zinxhirët e dyqaneve të tregtimit me pakicë po shkojnë drejt falimentimit me një ritëm rekord, ndërkohë që po përballen me zgjerimin e shpejtë të tregtisë online.

Edhe në Shqipëri, disa prej aktiviteteve kanë filluar të riorganizohen. Një pjesë e dyqaneve të kontaktuara nga ‘Monitor’ tregojnë se një pjesë të punës e kryejnë online. Tashmë rrjetet sociale iu japin mundësi bizneseve që të kenë faqet e tyre të sponsorizuara dhe në këtë mënyrë, të arrijnë më shpejt te klienti. Po shkojmë drejt zvogëlimit të sipërfaqeve fizike të dyqaneve dhe zgjerimit të hapësirave në rrjet, megjithatë edhe këtu konkurrenca është tepër e lartë.

 

ndermarrjet sipas aktivitetit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of