Të enjten, Sportico publikoi klasifikimin e 25 atletëve më të paguar të të gjithë kohërave, i cili kryesohet nga Michael Jordan e Tiger Woods.
Klasifikimi merr parasysh si fitimet “në fushë”, kontratat e lidhura me klubet (apo skuadrat) apo shpërblime në rast fitoreje, si dhe fitimet “jashtë fushës” – kontratat e sponsorizimit apo aktivitetet josportive që vazhdojnë edhe në fund të karrierës.
Në bazë të fitimeve gjatë karrierës, të përshtatura sipas inflacionit, Jordan e Woods janë të vetmit atletë që kanë fituar të paktën 2 miliardë dollarë.
Jordan kryeson klasifikimin me 2.62 miliardë dollarë, falë mbi të gjitha 1 miliard dollarë në royalties (honorarë) që Nike i ka paguar që kur u tërhoq nga basketbolli në 2003, ndërkohë që Woods ka fituar 2.1 miliardë dollarë, duke përfituar edhe nga bashkëpunimi i gjatë me Nike.
Nga 25 atletë në klasifikim, 12 kanë fituar të paktën 1 miliard dollarë që kur janë bërë profesionistë.
Golfi duket se është sporti më fitimprurës, duke qenë se katër golfistë – Woods, Palmer, Nicklaus e Mickelson – bëjnë pjesë në top 12.
Futbolli nuk mbetet shumë pas, me Cristiano Ronaldo, Messi e Beckham të cilët hyjnë në top 12.
Kobe Bryant, ylli i Los Angeles Lakers (i cili humbi jetën vitin e kaluar në një aksident ajror) renditet i 13-ti në klasifikim, me 930 milionë dollarë, pak më poshtë pragut 1 miliard dollarë.
Kurt Badenhausen, analist në Sportico, vëren se pasuria e Bryant kohët e fundit është rritur me 400 milionë dollarë për shkak të shitjes së BodyArmor te Coca-Cola. Bryant do ta kishte kapërcyer pragun prej 1 miliard dollarë nëse ajo shitje do të ishte aplikuar, por të ardhurat e Bryant u llogaritën vetëm pas vdekjes së tij të parakohshme.
NBA ka një përfaqësim të dukshëm në klasifikimin e përgjithshëm me Jordan, James, Bryant, Shaquille O’Neal (870 milionë dollarë) dhe Kevin Durant (625 milionë dollarë) në top 25.
Boksi (Mayweather, Mike Tyson, Manny Pacquiao, Oscar De La Hoya) dhe garat automobilistike (Schumacher, Lewis Hamilton, Jeff Gordon) janë ndër sportet e tjera me të paktën tre përfaqësues në klasifikim.
Major League Baseball përfaqësohet me vetëm dy atletë, ish-shokë skuadre të New York Yankees, Alex Rodriguez (650 milionë dollarë) e Derek Jeter (555 milionë dollarë).
Pavarësisht se është liga sportive më e famshme dhe më fitimprurëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NFL përfaqësohet me vetëm një atlet – ish-qendërmbrojtësi i Indianapolis Colts dhe Denver Broncos, Peyton Manning.
Në Top 25 nuk bën pjesë asnjë atlete femër. Badenhausen thekson se legjenda e tenisit, Serena Williams ishte në vendin e parë në mesin e atleteve me fitime gjatë karrierë në 480 milionë dollarë, gjë që e rendiste jashtë top 40.
/Bleacher Report (Foto: AP/ADOBE/DESIGNED BY MARIO PAULIS)