25 destinacionet më të mira për 2020 sipas National Geographic

04/12/2019 4:51 PM 0 komente

Të vëzhgosh fokat në Québec, të sfidosh lartësitë e urës më të lartë në botë në Kinë, apo të përshkosh shtegun “National Blue Trail” në Hungari.

National Geographic publikoi listën e destinacioneve më të mira për vitin 2020, për t’u zhytur në natyrë, për të zbuluar qytete dhe kulturën e një vendi dhe për të jetuar një përvojë të paharrueshme…

 

 

 

Grand Canyon, SHBA

Në listën e National Geographic, janë 25 destinacionet e përzgjedhura nga redaktorët, ekspertët e udhëtimeve dhe lexuesit. Në kategorinë “Natyrë” nuk mund të mungonte Parku Kombëtar Grand Canyon në Arizonë, i cili në vitin 2019 festoi 100-vjetorin e krijimit të tij. “Spektakli më sublim në Tokë” – kështu e cilësoi National Geographic.

Ishujt Magdalena, Kanada

Magdalen Islands (Ishujt e Magdalenës) është një arkipelag i vogël prej tetë ishujsh në Québec. Në Gjirin e Shën Lorencit, gjatë shkurtit dhe marsit, fokat e rritura migrojnë këtu nga Arktiku për të lindur të vegjlit. Fokat shtatzënë kërkojnë akull të përshtatshëm për të lindur dhe meshkujt i ndjekin, për t’u çiftëzuar. Kur këshillohet të shkoni? Gjatë periudhës shkurt – mars shkruan revista. Mënyra më e mirë për të parë fokat është një ekspeditë e organizuar me varka.

Pylli i Bialowieza, Bjellorusi / Poloni

Pylli i Bialowieza, i cili ndodhet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, njihet për diversitetin dhe sepse në të jeton kopeja më e madhe e bizonëve europianë, żubr e famshëm. Pylli, Pasuri e Njerëzimit UNESCO, ka sipërfaqe 1400 kilometra katrorë. National Geographic e cilëson “një ndër vendet më të egra autentike në Europë “.

Shkretëtira e Kalahari, Afrika e Jugut

Shkretëtira e Kalaharit, shkretëtira e gjashtë më e madhe në botë, shtrihet midis Botswanës, Namibisë dhe Afrikës së Jugut. Këtu rriten më shumë se 400 specie bimësh. Në shkretëtirë do të shihni luanë, leopardë, gepardë, dhe elandë – antilopa më e madhe afrikane. Shkretëtira e Kalaharit këshillohet pasi është një ndër destinacionet më të mira në botë për të vëzhguar yjet.

National Blue Trail, Hungari

Ky destinacion i njohur tërheq turistë në kërkim të aventurës, nga e gjithë bota. National Blue Trail (në hungarisht Országos Kéktúra, OKT) është një ndër shtigjet më të bukura në Europë – 2500 kilometra, të ndara në tre seksione që përshkojnë pjesët veriore të Hungarisë. Njihet si një nga shtigjet më të bukura në Europë, është i ruajtur mirë, i shënjuar, i lehtë, madje edhe për familjet. Nëpërmjet tij mund të arrini në pikën më të lartë të vendit, Kèkes, 1014 metra mbi nivelin e detit.

Ishujt Canarie, Spanjë

Ishujt Canarie janë ndër destinacionet më të njohura në Spanjë. Në këta ishuj, të gjithë me origjinë vullkanike, kultivohen banane, kafe, portokaj dhe kallam sheqeri. Kur të shkoni? Çdo muaj i vitit është i përshtatshëm për t’i vizituar Canariet – shkruan National Geographic. Gjatë gjithë vitit, temperaturat janë të ngrohta.

Maldive

Maldivet, me një pasuri të madhe kulturore, ndodhen në Oqeanin Indian. Ato përbëhen nga më shumë se një mijë ishuj, me plazhe me rërë të bardhë. Maldivet (vendi i parë që ratifikoi Protokollin e Kiotos, marrëveshja e parë ndërkombëtare që synon të luftojë ndryshimet klimatike) sot janë në rrezik pasi kërcënohen nga ngritja e nivelit të detit.

Parma, Itali

Një surprizë e bukur në listën e National Geographic është Parma, e vlerësuar për pasurinë artistike dhe ato enogastronomike. Parma përshkruhet si “një përvojë shumëshqisore” dhe është shpallur Kryeqyteti italian i Kulturës për vitin 2020. Sheshi Duomo është një ndër shembujt më të bukur të arkitekturës romane me kryevepra artistike.

Filadelfia, SHBA

I quajtur “Qyteti i dashurisë vëllazërore” (The City of Brotherly Love), Filadelfia është qyteti më i madh i Pensilvanisë, i vlerësuar për historinë e pasur, ku ndodhet Liberty Bell apo Independence Hall (ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta). Si mund t’i rezistosh një foto me “Rocky” përballë “Philadelphia Museum of Art” apo me të famshmen “cheesesteak”, sanduiçi simbol i kuzhinës së rrugës së qytetit?

Telč, Republika Çeke

Qyteti historik i Telč u rrënua pas një zjarri në vitin 1530. Sot Telč është një nga destinacionet më të bukura të Republikës Çeke. Qendra e tij historike, me një arkitekturë të mrekullueshme të Rilindjes italiane, është pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s.

Fort Kochi, Indi

Fort Kochi (gadishull në shtetin Kerala) është një ndërthurje kulturash të ndryshme: kineze, hebraike, holandeze, angleze e portugeze, të integruara në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën. Fort Kochi është shndërruar në një qendër të rëndësishme të artit.

Mostar, Bosnjë-Hercegovinë

Mostari rilindi pas shkatërrimeve të luftës (1992-1995). Qyteti njihet për ndërtesat e vjetra prej guri dhe rrugët me kalldrëm, prej gurëve të lumit, përgjatë të cilit ngrihen minaret e xhamive. Mostar krenohet për një urë mbi lumin Neretva, një version i Stari Most (Ponte Vecchio) të shekullit XVI, e rindërtuar në vitin 2014. Ura lidh pjesën perëndimorë të qytetit, kryesisht e krishterë, me pjesën lindore, kryesisht myslimane.

Puebla, Meksikë

Puebla, qyteti i katërt më i madh në Meksikë, është një destinacion ende pak i vizituar nga turistët ndërkombëtar, pavarësisht se ka një pasuri unike me ndërtesa të stilit barok dhe më shumë se 350 kisha. Kisha Santo Domingo është e famshme për zbukurimet e saj në stilin barok, të veshura me ar.

Asturie, Spanjë

Në listën e 25 destinacioneve më të bukura për vitin 2020 janë edhe Asturie, rajon autonom në Spanjë. Të bëjnë për vete për natyrën e bukur të Parkut Kombëtar Picos de Europa, plazhet fantastike, më i bukuri nga të gjithë ai i qytetit bregdetar të Gijon, faunën e egër, kulturën e Oviedo (kryeqyteti i Asturias) etj.

Prefektura Guizhou, Kinë

Guizhou është një nga prefekturat kineze me rritjen më të shpejtë. Megjithatë, në fshatrat tradicionalë, duket se koha ka ndalur. Në Prefekturën Guizhou prodhohet një nga likeret më të njohur në të gjithë Kinën, Moutai. Këtu është ndërtuar gjithashtu edhe ura Beipanjiang, më e larta në botë (565 metra). Ndërsa në Zhijin (vend nën administrimin e prefekturës) ndodhen shpella spektakolare karstike.

Göbekli Tepe, Turqi

Ky qytet në Turqinë Juglindore ka një ndër tempujt më të vjetër në botë – Göbekli Tepe, i ndërtuar rreth 11.600 vjet më parë. Këshillohet të vizitoni edhe muzeun arkeologjik të Şanlıurfa.

Guatemala

Në listën e National Geographic është edhe Guatemala, vend i Amerikës Qendrore, me peizazhe që lënë prej shekujsh pa frymë vizitorët. Këtu ka shumë vullkane, ndodhet liqeni i bukur Atitlán, Río Dulce, Semuc Champey, El Mirador, Antigua. Në vend, gërmimet arkeologjike po zbulojnë ndërtesa të reja që datojnë në epokën e majave. Ndër sitet arkeologjike që mund të vizitoni përmendim: Uaxactún, Yaxhá, El Mirador dhe Tikal National Park.

Prefektura Mendoza, Argjentinë

Prefektura Mendoza, e cila ndodhet në majat e larta të Andeve, ka tre rajone që prodhojnë verë, me kantina ku prodhohet vera më e mirë në Argjentinë.

Abu Simbel, Egjipt

Në thellësi të jugut të Egjiptit ndodhet siti arkeologjik Abu Simbel me dy tempuj të jashtëzakonshëm të ndërtuar në shkëmbinj, më shumë se 3000 vjet më parë nga faraoni Ramses II. Aty pranë ndodhet edhe një tjetër tempull, në nder të Mbretëreshës Nefertari, i ndërtuar për adhurimin e Perëndeshës së Qiellit Hathor.

Tasmania, Australi

Në listën e destinacioneve për të gjithë ata që janë në kërkim të aventurës është Tasmania, aktualisht një nga destinacionet e udhëtimit më trendi në Australi, e pasur me histori, kulturë dhe peizazhe të bukura natyrore.

Grossglockner Hochalpenstrasse, Austri

Rruga Alpine e Grossglockner, 48 kilometra e gjatë dhe me 36 kthesa, konsiderohet një nga rrugët panoramike më të bukura në Europë. Rruga përshkon Parkun Kombëtar Hohe Tauern, një nga rezervat më të mëdha natyrore në Europën Qendrore.

The Wales Way, Uells, Mbretëri e Bashkuar

“The Wales Way” përbëhet nga tre shtigje që përshkojnë malet dhe detin e Uellsit. Çdo itinerar ofron një përvojë të ndryshme dhe të jashtëzakonshme. North Wales Way (120 km) ndjek rrugën e vjetër tregtare përgjatë Uellsit të veriut; ndërsa Cambrian Way (300 km) përshkon rajonet malore. Në fund Coastal Way (290 km) ngjitet në bregdetin perëndimor të Uellsit, rreth Cardigan Bay. Të tre itineraret mund të bëhen me makinë, tren, biçikletë, motor, apo më këmbë.

Rajoni i Tōhoku, Japoni

Rajoni japonez i Tōhoku, më pak se tre orë me tren nga Tokio, vendi ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike Verore në vitin 2020, njihet për peizazhet e mrekullueshme, pyjet e paprekura, grykat, liqenet, tempujt, malet dhe për numrin e ulët të turistëve. Gjatë dimrit, këtu bien reshje të dendura bore.

Gadishulli Kamchatka, Rusi

Gadishulli Kamchatka ndodhet në Rusinë Lindore. Ai ka disa atraksione – përbëhet nga dy vargmale mAdhështorë, me 127 vullkane (22 prej të cilave janë ende aktivë), pasuri e UNESCO-s. Zona njihet për dimrin e ftohtë dhe verën e freskët dhe të lagësht. Banohet nga popullsitë indigjene të Chukchi, Itelmen dhe Coriachi.

Parku kombëtar i Zakouma, Çad

Ndodhet në jug të Shkretëtirës së Saharasë dhe është i famshëm për faunën e kafshëve të egra. Popullsia e elefantëve, për herë të parë, pas kaq shumë vitesh, është në rritje. Këtu ka edhe antilopa, xhirafa, buaj dhe rinocerontë.

*Elmar Burchia
Burimi: Corriere della Sera

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of