Në kulmin e fushatës për ndërprerjen energjisë elektrike ndaj debitorëve dhe procesit të pagesave me këste, OSHEE, me mbështetjen e qeverisë, “liberalizoi sportelet e pagesës” së faturave.
Për të shmangur radhët e gjata në sportele, kompania lidhi marrëveshje me disa shoqëri. Tashmë, prej datës 12 shkurt, faturat e energjisë elektrike nuk paguhen vetëm tek OSHEE dhe në postë, por kudo që shikohet logo: “Këtu paguhet energjia elektrike”, madje edhe përmes aparatit celular.
Deri më tani, fatura e dritave paguhet në Western Union, Money Gram, EasyPay dhe Mpay, ku nga të dhënat e siguruara nga OSHEE, mësohet se janë kryer rreth 25 mijë pagesa përmes këtyre shoqërive, me vlerë rreth 600 mijë dollarë.
Për kuriozitet, përmes celularit janë mbi 500 fatura dritash, me vlerë afro 20 mijë dollarë. OSHEE thotë që shifra vjen në rritje.
Sakaq, kompania ka lidhur marrëveshje me shoqërinë e shërbimit të pajisjeve fiskale, AED. Përmes programit Factorial, të instaluar në kasën fiskale, çdokush mund ta paguajë faturën e energjisë edhe në dyqanin e lagjes, qendër tregtare, apo qoftë edhe në kafene!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.