25 milionë euro kredi për zonat rurale dhe urbane

22/06/2019 10:07 PM 0 komente

Flet Emin Barçi, Drejtor i Përgjithshëm i “Agrocredit”

 

Rreth 25 milionë euro planifikohen të jepen si kredi gjatë tre viteve të ardhshme për zonat rurale dhe suburbane nga “Agrocredit”, një institucion mikrofinanciar në pronësi të qeverisë shqiptare. Agrocredit është ish-Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF, e cila ka ndryshuar emrin për t’u kuptuar më mirë në misionin e saj.

Emin Barçi, Drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni financiar jobankar, shprehet se përmes këtij fondi synohet që të ndihmohen 8-9 mijë klientë të rinj, në fushën e bujqësisë, blegtorisë, të përpunimit të produkteve, agroturizëm, turizëm, peshkim. Një vit më parë, shoqëria iu nënshtrua një procesi të thellë riorganizimi të strukturave të saj, që konsistoi në përputhjen e procesit të kredidhënies dhe procedurave me strukturën e shoqërisë, teksa po përgatitet karta e re e produkteve që do jetë innovative, në përputhje me nevojat e bujqësisë, agroturizimit dhe gjithë skemat e financimit, që funksionojnë sot në Shqipëri.

Barçi pohon që ky riorganizim ka bërë që kreditë në vonesë (mbi 30 ditë) pritet të ulen në 10% deri në fund të këtij viti, nga mbi 30% që ishin në fund të 2018-s. Ai shton se të gjithë kreditë e disbursuara në 14 muajt e fundit janë standard, pa asnjë ditë vonesë.
Treguesi i kthyeshmërisë nga kapitali (ROE) pritet të arrijë në 17%, mbi nivelin mesatar të sistemit bankar. Me planet për të zgjeruar portofolin e huasë me 25 milionë euro, Agrocredit synon të jetë kryesues në financimin e zonave rurale dhe urbane në sistemin bankar dhe financiar.

 

Mund të themi dy fjalë për “Agrocredit” që duket si një institucion i ri financiar, por që në fakt nuk është kështu?

“Agrocredit” është trashëgimtarja e fondit të qeverisë shqiptare. Duke parë në atë kohë që sistemi privat bankar po i qëndronte larg financimit të zonave malore, kuptohet për shkak të specifikave që kishin në atë kohë zonat, si mungesa e dokumentacionit të pronësisë, informaliteti i lartë, ekonomia private ende e pastrukturuar mirë në vitin 2006, qeveria shndërroi Fondin e Zhvillimit të Zonave Malore në Shoqërinë e Parë Financiare të Zhvillimit. Nga një sondazh kuptuam që emri ishte pak i vështirë për t’u kapur nga marketingu për target grupin tonë të synuar dhe pas një pune gati njëvjeçare vendosëm dhe ndryshuam emrin në “Agrocredit”.

Si pasardhëse e Fondit të Financimit të Zonave Malore dhe Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit, “Agrocredit” gjatë rrugëtimit të vet ka kredituar mbi 30 mijë subjekte dhe individë, për një vlerë portofoli të akumuluar 90 milionë euro. Nga ana tjetër, vlera e kapitalit të shoqërisë të paktën nga 2008, kur është regjistruar si sh.a., dhe ka marrë licencën si institucion financiar jobankar, është rritur. Nga 1.1 miliardë që ishte kur u themelua, sot ajo është 1.2 miliardë.

Gjithë kjo përvojë na ka krijuar bindjen që të paktën deri në fund të vitit 2021, ne do të shohim mundësinë që mund të financojmë 8-9 mijë subjekte të tjera, të cilët kryejnë sipërmarrje në zonat rurale suburbane dhe aktivitete në fushën e bujqësisë, blegtorisë, të procesimit të produkteve, agroturizëm, turizëm, peshkim. Ne besojmë se mund të disburojmë edhe 25 milionë euro të tjera në tre vitet e ardhshme në financimin e zhvillimit rural dhe agroturizmit në Shqipëri.

Ju ofroni si pjesë të shërbimit edhe këshillimin ndaj biznesit? Çfarë problematikash vini re?

Qëllimi kryesor është të ndihmojmë zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme apo dhe të komuniteteve në zonat rurale dhe suburbane. Financimi është instrumenti për të arritur qëllimin, kurse këshillimi është pjesë e punës dhe filozofisë sonë. Ne financojmë kryesisht duke u bindur që i ndihmojmë klientët tanë, targetin e synuar dhe këtë e bëjmë përmes konsulencës. Edhe për shkak të përvojës së 30 mijë rasteve, ne njohim shumë mirë ekonominë bujqësore, problematikat që ka, por kemi gjetur edhe zgjidhje sesi të përballim një pjesë të tyre për menaxhimin e riskut apo reduktimin e tij.

Kemi fatin që bujqësia nuk bëhet vetëm, është një sipërmarrje që bëhet në familje dhe sot kemi karta teknologjike të shumicës dërrmuese të produkteve bujqësorë-blegtoral. Kur them karta teknologjike, ne e dimë çfarë nevojash ka fermeri, blegtori apo operatori turistik, që kur i lind ideja. Pra sesi do të rrjedhë procesi deri në realizimin e arkëtimeve të suksesshme. E gjithë kjo na ka bërë që ne, nga njëra anë, të vazhdojmë të disbursojmë kredi të mira dhe, nga ana tjetër, jemi duke riparë produktet tona dhe po përgatisim një kartë të re produktesh, të cilat do t’u përshtaten shumë më mirë nevojave të target-grupeve tona. Këto produkte do të arrijnë të përputhin më mirë nevojat me financim dhe kohën e arkëtimit të target¬-grupit me produktet tona.

Sa produkte ofroni aktualisht në treg?

Sot, ne ofrojmë 16 produkte. Jemi duke punuar që ta zgjerojmë këtë gamë, duke e pasuruar me produkte të reja inovatore që kanë dalë si rezultat i së njëjtës industrie në vende më të zhvilluara. Përvojat janë eksperimentuar dhe ne do të marrim të gatshëm modelin më të mirë, sepse dimë ku ka pasur sukses dhe ku ka pasur dështim. Lidhur me kartën e produkteve, brenda qershorit, ne mbarojmë procesin e analizës dhe vendosim cilët janë produktet që duhen hequr, sepse nuk kanë qenë të duhurat për target-grupin; cilat janë ato që duhen përmirësuar dhe cilat janë ato që do të mbeten të paprekura. Veç kësaj po përgatisim edhe disa produkte të reja, inovatore do të thoja për tregun bankar financiar, për financimin e zhvillimit rural.

Cilët janë sektorët që shfaqin potencial dhe kanë nevojë për mbështetje?

“Agrocredit” ka dy misione: misioni social dhe ai financiar. Nga pikëpamja e misionit social, interesi i pronarit, pra qeverisë, është të krijojë mundësi për 365 mijë ferma bujqësorë dhe blegtorale dhe mbi 50 mijë operatorëve të tjerë që funksionojnë në zonat rurale dhe suburbane të kenë akses në tregun e parasë dhe kapitaleve. Misioni financiar është që shoqëria të mos krijojë humbje, por një fitim të arsyeshëm. Vetëm përmes kësaj mund të ndihmojë sa më shumë, duke synuar që të vegjlit të bëhen të mesëm dhe të mesmit të mëdhenj, dhe duke pasur ndikim në mirëqenien e tyre dhe rritje të qëndrueshme.

Në vitin 2018, eksportet e bujqësisë u rritën 300 milionë euro, që është e barabartë me totalin e eksporteve në vitin 2005. Kjo tregon potencialin që ka bujqësia apo dhe agroturizmi. Rritja e numrit të turistëve vendas dhe të huaj tregon se ka shumë potencial. Ajo që na e vështirëson pak punën është se po kërkojmë që klientët tanë, jo thjesht të vijnë të marrin një kredi, por të ndërtojnë një projekt të suksesshëm që u garanton rritje të kapitalit, të ardhurave dhe mirëqenies.

Si qëndron sot raporti i kreditimit të sektorit bankar dhe institucioneve tuaja jobanka në financimin e zonave rurale?

Institucionet financiare jo bankë mbajnë peshën kryesore në zonat rurale. Vetëm 4% e portofolit të kredisë në banka ka shkuar për financimin e zhvillimit rural, që do të thotë se sot 90% të fshatit, zonave rurale, suburbane e kanë financiar institucionet financiare jo banka, dhe vetëm 10% bankat. Bankat stepen më shumë, pasi rreziku është më i lartë, mjaft të ndalemi vetëm në riskun natyror. Bankat nuk e duan këtë lloj risku dhe kjo është normale, pasi 90% të parave i kanë nga depozitat e qytetarëve, të cilat duhet t’ua kthejnë një ditë, me gjithë interes, ndaj është mëse logjike që bankat të jenë më të kujdesshme.

Institucionet financiare të mikrokredisë kanë arritur ta balancojnë riskun me interesin. Ashtu siç kemi pasur sukses, ka pasur dhe probleme që vijnë kryesisht për shkak të natyrës që ka sipërmarrja që ne financojmë. Është një sektor delikat dhe i varur nga shumë faktorë të jashtëm, më shumë sesa nga aftësia e fermerit për të bërë biznes-plan apo për të menaxhuar financat e veta. Në këtë pikëpamje, ne ndihmojmë që klientët tanë të kenë të qartë si bëhet menaxhimi financiar, i ndihmojmë të bëjnë një biznes-plan që funksionon dhe na është shpërblyer në njëfarë mënyre. Të paktën nga kreditë e aprovuara, nga 1 marsi 2018 deri më sot, s’ka asnjë kredi me ditë vonesë. Disa ndryshime që bëmë vitin e kaluar në procedurën e kredidhënies, por edhe asistencën ndaj klientit, kanë dhënë si rezultat zero kredi me probleme të disburusuara në 15 muajt e fundit.

Po kuadri ligjor, a është i plotë lidhur me mikrofinancën dhe a shihni nevojë për ndërhyrje?

Ne jemi një sh.a., në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sigurisht që ka probleme në sektor. Shoh një diferencë me sektorin privat, që është koha e marrjes së vendimeve, sepse në shtet, ka një kohë shumë më të gjatë. Mundohemi ta përballojmë edhe këtë.

Cilat janë sfidat e sektorit që shihni sot dhe mendoni se ka vend për vëmendje?

Si “Agrocredit”, sfida jonë është të disbursojmë 25 milionë euro pa i kërkuar pronarit para shtesë dhe pa marrë hua shtesë për rreth 8500 klientë. Synimi është që kredia mesatare të jetë diku tek 3 mijë euro. Historia ka treguar që këto janë edhe kreditë më të mira në cilësi, por edhe ato që u përshtaten nevojave të target-grupit. Kaq kushton ta mbjellësh, ta korrësh dhe shesësh një hektar me domate fushe për shembull. Pra i kemi arsyetuar për të parë nevojat e target-grupit me madhësinë e kredisë dhe kushtet. Mendojmë që mund të arrijmë 10-17% rritje të kapitalit të vetë shoqërisë, pra qeverisë t’i kthehen jo vetëm paratë që ka investuar në këtë shoqëri, por edhe një shtesë.

Ku luhatet interesi mesatar për kredinë dhe si janë përshtatur nevojat me politikat apo projekte të caktuara, që kanë dhënë ndikim në rritjen e kërkesës?

Interesi për të gjithë institucionet financiare jo bankë luhatet nga 15-30%, efektivi në lekë. Ne si “Agrocredit” kemi financuar mbi 30% të bujtinave të Valbonës dhe do të vazhdojmë të financojmë Valbonën sepse e shohim si një zonë me potencial dhe të njëjtën gjë po synojmë të bëjmë dhe me projektin e “100 fshatrave”. Ndikimi më interesant në “100 fshatrat” është ai psikologjik. Banorët dhe sipërmarrjet e këtyre zonave janë bërë më të guximshëm për të investuar, duke nxituar të shohim mundësitë që kanë, të kërkojnë grante dhe financim.

Ky projekt është në proces dhe nuk mund të thuash që është një gjë e përfunduar dhe është relativisht i vështirë, sepse koordinimi i të gjithë faktorëve dhe aktorëve publikë dhe privatë kërkon kohë. Efektin e vet, megjithatë, e ka dhënë. “Agrocredit” ka 30 zyra në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku ka fshatra të kësaj liste, ka mjaft interes në zyrat tona për të parë mundësinë sesi financohen. Ne nuk po fokusohemi vetëm në huadhënie, por po shohim mundësi që të ndihmojmë duke kombinuar kreditë me fondet e AZHBR, apo me skemën kombëtare të subvencioneve dhe projekte të tjera që funksionojnë në formë granti në vend.

Kemi nisur një bashkëpunim me Shoqatën e Siguruesve, për të parë mundësitë se si ata dhe ne të ulim riskun, duke paguar një prim të përballueshëm. Po punojmë me institucione private të specializuara, për të dhënë asistencë edhe në gjëra që duken jashtë botës së financës dhe bankës, siç është mënyra e arredimit apo fara më e mirë apo raca më mirë bagëtisë. Po mundohemi të jemi sa më të dobishëm dhe kredidhënia është si një fraksion i misionit tonë.

 

Kredia në zonat rurale

Institucionet financiare jo bankë mbajnë peshën kryesore në zonat rurale. Vetëm 4% e portofolit të kredisë në banka ka shkuar për financimin e zhvillimit rural, që do të thotë se sot 90% të fshatit, zonave rurale, suburbane e kanë financiar institucionet financiare jo banka, dhe vetëm 10% bankat. Bankat stepen më shumë, pasi rreziku është më i lartë, mjaft të ndalemi vetëm në riskun natyror.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of