Kancelari bën publik planin për të kompensuar ndikimin e një tarife të re për gazin, e cila do të fillojë në tetor
Gjermania ka shpallur planet për të ulur taksat për shitjet e gazit natyror, në mënyrë që të reduktojë presionin e kostove të larta të energjisë për shumë familje, duke kompensuar kështu ndikimin e një tarife të re për gazin që do të fillojë të aplikohet në tetor.
Kancelari Olaf Scholz njoftoi të enjten uljen e TVSH-së për shitjet e gazit, nga 19 për qind në 7 për qind, duke thënë për gazetarët se në javët e ardhshme do të bëhen publike edhe shumë masa të tjera për të adresuar krizën energjetike me të cilën po përballet Gjermania.
“Çështja e drejtësisë është thelbësore që vendi të qëndrojë i bashkuar në këtë krizë,” tha Scholz, duke shtuar se furnitorët e gazit duhet ta kalojnë këtë ulje të taksës plotësisht te klientët e tyre. “Ju nuk do të ecni kurrë vetëm,” tha Scholz, duke përsëritur sloganin e tij të përdorur shpesh.
Kjo lëvizje do të ulë kostot e energjisë për familjet gjermane dhe do të reduktojë presionet e inflacionit në ekonomi, por, nga ana tjetër, ka të ngjarë që të zbehë nxitjen e ofruar nga çmimet e larta për të konsumuar më pak.
Autoritetet gjermane synojnë të zvogëlojnë përdorimin total të gazit me 20 për qind këtë vit, për të shmangur nevojën e racionimit të furnizimeve për përdoruesit e industrisë së rëndë në rast se Rusia vazhdon të reduktojë furnizimet me gaz drejt Europës.
“Ulja e TVSH-së në çmimet e gazit është vërtet kundërproduktive,” tha Klaus Adam, profesor i ekonomisë në Universitetin e Mannheim. “Nuk është kurrë një ide e mirë që të ndërhysh në mekanizmin e çmimeve. Është më mirë të subvencionosh në një formë të targetuar, sipas nevojës, me pagesa të plota.”
Ulja e TVSH-së do të hyjë në fuqi në muajin tetor dhe do të kompensojë ndikimin e një takse shtesë e cila do të fillojë të aplikohet në të njëjtin muaj, siҫ u njoftua në fillim të kësaj jave, dhe do të shtojë 2,419 cent për kWh në faturat e gazit për të kompensuar furnitorët për çmimet e larta të shitjes me shumicë.
Jörg Krämer, kryeekonomist në bankën gjermane Commerzbank, vlerësoi se kjo masë do të reduktojë inflacionin në Gjermani me 0.3 pikë përqindjeje.
“Ky njoftim duket paksa si një veprim i dëshpëruar,” tha Carsten Brzeski, kreu i studimeve makroekonomike në bankën holandeze ING. “Çmimet janë rritur aq shumë saqë tashmë nuk ka të bëjë më me stimujt për të reduktuar gazin, por më tepër me mënyrën se si familjet të mund të paguajnë faturat e tyre të energjisë gjatë dimrit.”
Analistët në Deutsche Bank vlerësuan të enjten, përpara njoftimit për uljen e TVSH-së, se taksa e re do t’i kushtonte grupeve industriale 5 miliardë euro shtesë në vit.
Industria kimike, një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në Gjermani, u ankua se nuk do të përfitonte nga ulja e TVSH-së, duke shtuar se Berlini kishte rritur barrën e saj nëpërmjet tarifave shtesë për gazin. “Kompanitë nuk paguajnë TVSH, kështu që kjo masë nuk e lehtëson aspak gjendjen e tyre,” tha Wolfgang Grosse Entrup, kreu i shoqatës së industrisë kimike të vendit.
Përafërsisht gjysma e të gjitha familjeve gjermane përdorin gazin për ngrohje dhe qeveria ka vlerësuar se taksa e re do t’i kushtonte 484 euro shtesë në vit – pa TVSH – një familjeje mesatare prej katër personash me një konsum vjetor të gazit prej 20,000 kWh.
Gjermania është shumë e varur nga furnizimet me gaz rus. Deri në momentin e pushtimit të Ukrainës nga Moska, furnizimet nga Rusia përbënin 55 për qind të importeve të saj totale të gazit. Por, Rusia ka reduktuar furnizimet nga gazsjellësi Nord Stream 1, tubacioni kryesor për dërgimin e gazit në Europë, duke i çuar ato në vetëm 20 për qind të kapacitetit.
Çmimet e gazit me shumicë në Europë janë rritur në 225 € për megavat orë – duke arritur një nivel nëntë herë më të lartë se mesatarja e viteve të fundit. Kjo ka shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë elektrike.
Disa nga masat e ndërmarra nga Berlini në qershor për të përballuar krizën energjetike të vendit, të tilla si reduktimi i tarifës së karburantit dhe prezantimi i biletës mujore të subvencionuar prej 9 €, do të përfundojnë muajin e ardhshëm, gjë e cila do të rrisë barrën për familjet dhe bizneset./ Financial Times