3.3 miliardë ton luleshtrydhe

01/05/2012 1:41 PM 0 komente

Prodhuesit dhe konsumatorët më të mëdhenj janë amerikanët. Spanja po prodhon gjithnjë e më shumë për eksport

Tregu global i luleshtrydheve i ka kaluar 3.3 miliardë tonë prodhim në vit. Ky produkt, që gjithnjë e më shumë po konsumohet i përpunuar, në industrinë e ëmbëlsirave ka një rritje vjetore mesatare prej 4% në vitet e fundit. Struktura e tregut ka pothuajse të njëjtat “ngjyra” të disa viteve më parë. Prodhuesi kryesor është Amerika, ndërsa në eksporte kryeson Spanja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë mbi 30% të totalit të prodhimit global të luleshtrydhes. Sipas të dhënave zyrtare, luleshtrydhet janë fryti i katërt më i rëndësishëm i prodhuar në SHBA, për nga vlera e prodhimit, pas rrushit, portokajve dhe mollës. Prodhimi amerikan i luleshtrydheve është i përqendruar mbi të gjitha në zonat jugore dhe bregdetare të Kalifornisë, për shkak të klimës së përshtatshme. Florida dhe Oregoni janë dy shtetet e tjera më të mëdha prodhuese. I gjithë prodhimi i Floridës është për tregun e freskët. Florida është prodhuesi më i madh në SHBA për stinën e dimrit.

Eksportet e SHBA-së janë të drejtuara kryesisht në Amerikën e Veriut dhe pjesa më e madhe e tyre shkon në Kanada. Meksika është furnizuesi (eksportuesi) kryesor në Amerikë.

Tregtinë ndërkombëtare të këtij produkti e kryeson Spanja. Në pesë vitet e fundit, luleshtrydhet spanjolle kanë mbushur tregjet e huaja. Në vitin 2010, industria spanjolle e “arit të kuq”, siç e quajnë ekspertët, solli 396.7 milionë euro nga shitjet jashtë vendit. Spanja e ka pozicionuar veten si burimi kryesor i këtij prodhimi për pesë kontinente. Që nga viti 2007, ajo është eksportuesi kryesor në botë i luleshtrydheve.

Përmes procesit të kultivimit intensiv, Spanja mbledh disa të lashta në vit, duke mbuluar kërkesën globale. Shitja e luleshtrydhes së prodhuar në Spanjë llogaritet si një burim i mirë të ardhurash jo vetëm për prodhuesit por edhe për shpërndarësit, supermarkete dhe logjistikë, ku llogariten më shumë se 50 mijë të punësuar.
Në Spanjë, nëntë të dhjetat e prodhimit lënë vendin për t’u tregtuar në supermarketet e disa vendeve të BE-së. Që nga 2007, Gjermania ka marrë më shumë se një të tretën e prodhimit. Pas saj vjen menjëherë Franca.

Fushat jugore spanjolle, veçanërisht në provincën e Huelva, janë aktorët kryesorë në këtë treg. Për më tepër, edhe 50% të luleshtrydheve që Maroku eksporton në Europë janë të prodhuara nga kompanitë spanjolle, të cilat operojnë në mbretërinë e Alawite.

Në botë ka më shumë se një mijë lloje luleshtrydhesh, por ato të cilat kanë etiketën spanjolle janë liderët në eksportet botërore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of