Nëse jeni një nga njerëzit e shumtë që dëshirojnë të kenë një ndryshim në karrierë, por nuk jeni të sigurt se si ta bëni këtë, fokusohuni te këto elemente.
Shumë njerëz kanë shkruar nëpër artikuj të ndryshëm për mënyrën se si pandemia i bëri ata të rimendojnë jetën e tyre dhe të përpiqen për të bërë diçka ndryshe këtë vit.
Ndoshta kjo nuk është për t’u habitur. Psikologët na paralajmëruan se problemet e shkaktuara nga pandemia e Covid do të bënin që shumë njerëz të rikonsideronin vlerat e tyre dhe të rimendonin nëse jeta e tyre përputhej me to.
Procesi në vazhdim i Dorëheqjes së Madhe tregon se, nëse nga një anë, shumë punonjës me paga të ulëta ndihen të pakënaqur me praktikat shfrytëzuese në punë, edhe shumë profesionistë më të privilegjuar janë gjithashtu të lodhur dhe të pakënaqur me jetën e tyre të punës.
Me pak fjalë, një numër i madh njerëzish janë të dëshpëruar dhe duan të ndryshojnë jetën e tyre, por shumica ndoshta janë ende të pasigurt për mënyrën se si mund ta bëjnë këtë. Nëse edhe ju jeni njëri prej këtyre personave, atëherë autorja dhe trajnerja ekzekutive Ann Hiatt ka një sugjerim: fokusohuni te këto 3 elemente.
- Qëllimi
Shumë ekspertë të tjerë bashkë me Hiatt kanë vënë në dukje se puna më e mirë për ju (në të cilën keni më shumë gjasa të fokusoheni) është ajo që përputhet me vlerat ose qëllimin tuaj. Gjetja e qëllimit të jetës mund të duket diҫka shumë e vështirë, për të cilën do të nevojiteshin qëndrime të gjata e të vetmuara në majat e maleve, por Hiatt këmbëngul se disa pyetje të thjeshta mund ta bëjnë më të lehtë gjetjen e qëllimit tuaj.
“Për të zbuluar qëllimin tuaj në një rrugë më të shkurtër, mund të kujtoheni për momentin kur për herë të fundit përfunduat një ditë të gjatë duke u ndjerë energjik dhe krenar për atë që sapo kishit bërë, edhe pse ishit ende shumë larg mbarimit të projektit. Kjo ndodh kur vetë kauza ju shtyn përpara dhe ju jep energji, në vend që t’jua marrë atë,” shpjegon ajo.
Ju gjithashtu mund të provoni të pyesni veten: “Cilat kauza më tërheqin vëmendjen dhe më bëjnë të veproj?” dhe “Cilat veprime, ekspertiza dhe kontribute përbëjnë trashëgiminë time ideale?” Çështja këtu nuk është të përqendroheni tek ajo gjë ku ju jeni më të aftë, apo në atë që të tjerët vlerësojnë më shumë, por të fokusoheni tek ajo gjë që ndez në të vërtetë zjarrin tuaj të brendshëm.
- Njerëzit
Puna që nuk përputhet me vlerat tuaja të ҫon me patjetër drejt mjerimit, por po kështu është edhe puna me njerëzit e padurueshëm ose që thjesht nuk ju kuptojnë. “Njerëzit e ekipit tuaj tregojnë menjëherë ekspertizën që do të fitoni, aftësitë e lidershipit që do të trashëgoni dhe përvojat e rritjes që do të keni,” shpjegon Hiatt, kështu që “kërkoni ekipe njerëzish që jo vetëm ju pëlqejnë, por edhe që do të donit t’u ngjanit dhe që nxjerrin në pah më të mirën tuaj.”
Për t’i gjetur këta njerëz, provoni të pyesni veten: “Cili rreth njerëzish mishëron idealet e mia për ambicien, balancën, ekspertizën dhe prioritetet?” dhe “Cilët janë emrat e liderëve (në kompaninë, komunitetin dhe botën tuaj) që kanë aftësitë dhe reputacionin që unë do të doja të kisha?”
- Ritmi
Gjetja e një pune që përputhet me vlerat dhe personalitetin tuaj është thelbësore për lumturinë afatgjatë në karrierë. Po kështu është të qenët të sinqertë me veten për ritmin që dëshironi për jetën tuaj të punës. A jeni një person që i përballoni ngarkesat e mëdha, që mund të rezistoni edhe me pak orë gjumë? Apo jeni tipi i personit që kërkoni një orar më të qetë, i cili ju jep kohë për të ndjekur hobit tuaj dhe për të investuar në marrëdhëniet tuaja personale? (Shënim: të gjithë duhet të lënë pak kohë për hobit e tyre dhe për njerëzit e tjerë. Kjo pyetje lidhet vetëm me sa shumë kohë do të lini për to.)
Hiatt sugjeron që t’i bëni vetes pyetje të tilla si: “Sa shpesh dua që të përmirësoj aftësitë dhe ekspertizën time gjatë kësaj faze të karrierës time?” dhe “A jam unë në një fazë sprinti apo në një maratonë të karrierës sime?”
Pasi të jeni të qartë për këta faktorë kyç që kontribuojnë për një karrierë të lumtur, të qëndrueshme dhe vetëpërmbushëse, do të jeni në një pozicion shumë më të mirë për të vlerësuar mundësitë specifike që ju vijnë.
A duhet ta pranoni ofertën e re të punës, apo të hapni një biznesi? Referojuni këtyre tre elementeve. A keni nevojë për arsimim apo trajnime shtesë? Mendoni nëse kjo do t’ju ndihmojë për këto tre elemente. Ju keni nevojë për një vizion se ku dëshironi të arrini, përpara se të filloni ta drejtoni me vetëdije jetën tuaj në atë rrugëtim. / *Jessica Stillman, INC