Ne shpesh mendojmë se veprimet, kontributet dhe kërkesat tona do të anashkalohen ose do të refuzohen, qoftë kjo një kërkesë për rritje page, propozimi i një ideje, apo thjesht kërkimi i një nderi.
Por studimet tregojnë se në shumë raste, këto shqetësime nuk pasqyrojnë aspak realitetin. Përkundrazi, ato janë rezultat i paragjykimeve psikologjike që na bëjnë të nënvlerësojmë ndikimin tonë. Studimet kanë zbuluar se njerëzit parapëlqejnë të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë, jo të refuzojnë.
Si të jeni më bindës
Si psikolog social dhe profesor i sjelljes organizative, kam zbuluar se njerëzit më bindës bëjnë tre gjëra ndryshe nga shumica e të tjerëve – dhe të gjithë mund t’i ndjekim këto strategji për të rritur shanset tona që të tjerët të na shohin ndryshe, të na dëgjojnë dhe të na pranojnë.
- Mos u shqetësoni për t’i thënë gjërat në mënyrë të përsosur
Kur jepni një sugjerim, mund të mendoni se shefi po analizon çdo fjalë tuajën. Por, studiuesit e komunikimit në Universitetin e Teksasit, kanë zbuluar se njerëzit në fakt nuk po e dëgjojnë ose nuk e mbajnë mend shumicën e asaj që ju thoni, për të krijuar një kundërargument.
Sipas “teorisë së gjurmëve të paqarta”, e cila u zhvillua nga neuroshkencëtarja Valerie Reyna në Universitetin Cornell, kur hasim një pjesë të informacionit, ne e përpunojmë atë në dy mënyra:
- Në një zonë të trurit, ne kujtojmë atë që u tha fjalë për fjalë.
- Në një zonë të ndryshme, ne njëkohësisht përpunojmë dhe kujtojmë thelbin e asaj që u tha.
Por në një kohë që ne kodojmë detajet dhe thelbin e asaj që u tha, kujtesa për informacionin fjalë për fjalë, zbehet mjaft shpejt, ndërsa kujtesa e thelbit zgjat shumë më gjatë. Kjo do të thotë se shefi juaj ka shumë të ngjarë të mbajë mend vetëm thelbin e sugjerimit tuaj, jo faktin sesa i artikuluar ka qenë.
- Bëjeni personalisht
Kur përpiqemi të bindim ose të pyesim dikë për diçka, ne zakonisht mendojmë se ku duhet ta nisim nga ana fizike. A duhet ta marrim në telefon? T’i dërgojmë një email? Të shkojmë në zyrën e personit?
Në pamje të parë, email-i mund të duket si opsioni më i mirë. Dhe nëse mendojmë se ka të ngjarë të refuzohemi, është shumë më pak e vështirë të refuzohesh me email sesa personalisht. Por email-i i jep personit në anën marrëse një rrugëdalje të lehtë, prandaj paraqitja personalisht është një nga taktikat më të efektshme të ndikimit.
- Rrisni nivelin e besimit në vetvete
Studimet kanë treguar se kur po përpiqemi të sugjerojmë diçka, ne zakonisht nuk kemi shumë besim në vetvete. Besimi jo tepër i madh te vetja nuk është gjithmonë diçka e keqe. Mund t’i bëjë njerëzit të përpiqen më tepër, të kontrollojnë dy herë punën e tyre, të kryejnë kërkime rigoroze dhe të jenë të hapur ndaj këshillave. Por gjithsesi është një gabim.
A keni kaluar ndonjëherë një kohë të gjatë duke përpiluar, përpunuar dhe riredaktuar një email, vetëm për të marrë një përgjigje me dy fjalë, 30 sekonda më vonë?
Shumë psikologë pajtohen se ne të gjithë duhet të jemi më të sigurt në vetvete. Pra, çfarëdo përshtypjeje të mirë që mendoni se keni lënë tek një person tjetër, hamendësoni se është shumë më e mirë se aq, dhe çfarëdo përshtypjeje negative që mendoni se do të lini, hamendësoni se është shumë më pak. /CNBC
Me te dyten nuk jam dakort, levizjet elektronike kan filluar von