3 këshilla të mençura nga Jack Ma

11/09/2019 1:26 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

E njoftoi një vit më parë.

Sot (dje) Jack Ma, largohet prej rolit të tij si CEO i Alibaba, të cilën e themeloi pikërisht 20 vjet më parë, më 10 shtator 1999, në një festë lamtumire me 80 mijë persona në stadiumin “Hangzhou Olympic Sport Centre” dhe një show spektakolar. Jo rastësisht kishte zgjedhur këtë ditë, duke qenë se sot (dje) përveçse është 20-vjetori i krijimit të shoqërisë, është edhe 55-vjetori i lindjes së Jack Ma.

Sipërmarrësi miliarder – “Forbes” vlerëson se pasuria e tij neto është 38,6 miliardë dollarë – do t’ia lërë drejtimin e kolosit të e-commerce Daniel Zhang, 47 vjeç. Ish-mësuesi i anglishtes e krijoi Alibaba-n në një apartament në Hangzhou (10 shtator 1999). Që prej atëherë, Alibaba është rritur dhe sot vlen 480 miliardë dollarë.

“Nuk është fundi i një epoke, por fillimi i një epoke të re për mua. Kam ende shumë ëndrra për të realizuar. Ata që më njohin e dinë se nuk më pëlqen që të rri pa bërë asgjë. Bota është e madhe dhe unë jam ende i ri. Dua të provoj gjëra të reja, dua të realizoj ëndrra të reja”, pati shkruar një vit më parë në një letër, në të cilën njoftonte largimin e tij si CEO i Alibaba.

Ma do t’i kushtohet filantropisë. Me tetë manjatë (tycoon) kinezë themeloi në vitin 2015 “Hupan University” në Hangzhou, një institucion i cili, në pak kohë, është bërë një ndër rrjetet më të fuqishme të biznesit në vend. Ma e ka përsëritur gjithnjë se nuk dëshiron të vdesë në zyrë, por nën një çadër në plazh”.

Sipërmarrësi ka qenë gjithnjë me idenë se “në moshën mes 50 dhe 60 vjeç duhet të punosh për të investuar tek më të rinjtë, duke u përcjellë atyre gjithë njohuritë dhe përvojat që na kanë formuar në vitet e mëparshme. Kur të arrijnë në këtë moshë, të rinjtë me siguri do të dinë të veprojnë më mirë se ne”.

Në një letër dërguar punonjësve të tij më 10 shtator të vitit të kaluar, Ma tha se dëshiron t’i kthehet mësimdhënies. “Kam ende shumë ëndrra për të realizuar. Dua t’i kthehem mësimdhënies, gjë që më emocionon me aq shumë bekime, sepse kjo është ajo gjë që më pëlqen të bëj”.

 

 

Ndërkohë që Ma largohet, më poshtë janë 3 këshilla të mençura nga themeluesi i Alibaba-s.

Puna juaj e parë është më e rëndësishmja

Në World Economic Forum të zhvilluar në fillim të këtij viti në Davos, Ma dha disa këshilla karriere për Komunitetin e Global Shapers. “Kur ju përfundoni universitetin dhe jeni në kërkim të një pune, puna juaj e parë është më e rëndësishmja. Jo domosdoshmërisht një kompani me një emër të madh. Ju duhet të gjeni një shef të mirë që t’ju mësojë se si të jeni njeri dhe si t’i bëni gjërat ashtu siç duhet. Qëndroni aty për të paktën tre vjet”.

T’u mësoni fëmijëve ‘soft skills’ është jetike për të ardhmen

Në Davos 2018, Ma tha se ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si i mësojmë fëmijët, që t’i dallojmë njerëzit nga Inteligjenca Artificiale. “Nëse ne nuk e ndryshojmë mënyrën se si japim mësim, pas 30 vjetësh do të kemi telashe. Ne u mësojmë fëmijëve se çfarë ka ndodhur në 200 vitet e fundit dhe, duke u bazuar në njohuri, nuk mund t’u mësojmë atyre të konkurrojnë me makineritë që do të jenë më inteligjente.

“Duhet t’u mësojmë fëmijëve diçka unike, në mënyrë që një makinë të mos arrijë kurrë nivelin tonë: vlerat, besimin, mendimin e pavarur, punën në grup, kujdesin për të tjerët – soft skills – sport, muzikë, pikturë, art, që të sigurohemi se njerëzit janë të ndryshëm nga makinat”.

Nuk ka asnjë ekspert të së nesërmes

I pyetur nga Komuniteti i Global Shapers nëse kishte dyshime kur ai themeloi Alibaba, Ma pranoi se kishte frikë, por asnjëherë nuk dyshoi në aftësinë e tij për të arritur suksesin.
“Ishte viti 1999, ditët e para të internetit. Të gjithëve u jepet një mundësi, nuk kishte asnjë ekspert në atë kohë. Edhe sot madje. Nuk ka një ekspert të së nesërmes”.

*Kate Whiting, Senior Writer, Formative Content
Burimi: World Economic Forum

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of