Arritja e qëllimit që i keni vendosur vetes mund të jetë diҫka sfiduese, sidomos nëse nuk dini hapat që duhet të ndërmerrni.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një detyrë në punë apo për karrierën juaj, është e dobishme të jeni të qartë për hapat që duhet të ndërmerrni për të arritur aty ku dëshironi. Qartësia vjen si rrjedhojë e të menduarit.
Qartësia për mënyrën se si arrihet një qëllim kërkon përqendrim. Këtu janë tre këshilla për të përmirësuar vendimmarrjen tuaj:
- Shmangni vendimet e shpejta
Vendimet mund të jenë stresuese. Disa njerëz e shmangin marrjen e vendimeve ose i marrin vendimet shpejt, në mënyrë që të mos duhet të mendojnë shumë gjatë për një situatë të tensionuar.
Vendimmarrja e shpejtë mund të jetë e lehtë, por mund të ketë pasoja. Ju mund të zgjidhni një opsion që ka efektin e kundërt të asaj që dëshironi. Mund të zgjidhni të bëni diҫka që bie ndesh me qëllimin tuaj, ose diҫka që nuk mund të zhbëhet më.
Ka disa lloje vendimesh që mund të merren shpejt, kështu që nuk është nevoja për t’u menduar shumë gjatë për të gjitha vendimet që merrni. Por, nëse detyra në fjalë është e rëndësishme ose komplekse, mund të ishte mirë të ngadalësoheshit pak dhe të zhyteshit më thellë në mendime për qasjen tuaj. Procesi i vendimmarrjeje do të ndihmonte në këto raste.
Mendoni për rastet kur i keni pranuar vetes se vendimi që keni marrë nuk ka qenë i duhuri. Vlerësoni nëse kjo situatë do të ishte përmirësuar nëse do të kishit kaluar nëpër një proces vendimmarrjeje apo nëse do të kishit shpenzuar pak më shumë kohë për të marrë vendimin e duhur. Përdorni mësimet nga eksperiencat e kaluara për t’u bërë një vendimmarrës më i mirë.
- Shkruani procesin në një letër
Jepini mundësi vetes të përfytyroni hapat e procesit të vendimmarrjes. Shkruajini ato dhe mbajini në tryezën tuaj.
Kujtohuni gjithmonë për të ndjekur me kujdes hapat e rëndësishëm dhe shmangni marrjen e vendimeve të shpejta.
- Kërkoni njerëz me të cilët mund të bisedoni
Thënia e njohur “dy mendje janë më mirë se një” është e vërtetë. Teksa mendoni se si të arrini qëllimin tuaj, dikush tjetër mund të jetë në gjendje të shohë disa aspekte apo zgjidhje ndaj problemeve, të cilat nuk mund t’i shikoni dot vetë.
Për shembull, zhvillimi i produkteve të reja është një fushë ku diversiteti i mendimeve sjell rezultate më të mira. Mund të qëllojë që ta keni shumë të qartë se çfarë doni të ndërtoni, si ta ndërtoni atë dhe çfarë do t’u ofrojë përdoruesve ai produkt. Por, mund të mos keni konsideruar disa funksionalitete negative të produktit, që mund të rrisin hapësirat për mashtrime ose të ndikojnë te shëndeti mendor i përdoruesve.
Perspektiva e një personi tjetër mund të hedhë dritë mbi aspektet të cilat ju nuk i keni konsideruar. Të qenurit i përqendruar për të arritur qëllimin është diҫka shumë mirë, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëni më shumë dëm se sa mirë.
Jepini mundësi vetes që të ndani mendimet me të tjerët. Sa më i hapur të jeni, aq më shumë mundësi do të keni për të arritur qëllimin tuaj. Idetë e njerëzve të tjerë mund t’ju bëjnë një vendimmarrës më të mirë. / Forbes