Shkencëtarët Roger Penrose, Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez janë fituesit e Çmimit Nobel të këtij viti në Fizikë, për zbulimet e tyre revolucionare mbi vrimat e zeza.
Puna e kërkuesve ka ndihmuar në zbulimin e “sekreteve më të errëta të universit” – tha sekretari i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, Göran K. Hansson.
Penrose, një fizikan-matematicien britanik, i Universitetit të Oksfordit, është vlerësuar për “zbulimin që krijimi i vrimave të zeza është një parashikim i fortë i teorisë së përgjithshme të relativitetit” – tha Komitetit i çmimit.
Ai ka “shpikur metoda gjeniale matematikore për të eksploruar teorinë e përgjithshme të relativitetit të Albert Einstein”.
“Edhe vetë Einstein nuk besonte se vrimat e zeza ekzistonin me të vërtetë, këto monstra super të rënda që kapin çdo gjë që hyn në to” – tha studiuesi britanik Penrose. “Asgjë nuk mund t’u shpëtojë, madje as drita”.
Penrose i thelloi studimet në vitin 1965, por vetëm në vitet ’90, Reinhard Genzel e Andrea Ghez, secili në drejtimin e një grupi astronomësh, e hodhën shikimin në qendrën e mbuluar me pluhur të galaktikës sonë të Rrugës së Qumështit, te një zonë e quajtur Shigjetari A, ku po ndodhte diçka e çuditshme.
Astronomia amerikane, Andrea Ghez, gruaja e katërt e cila fiton Çmimin Nobel në Fizikë, dhe astrofizikani gjerman, Reinhard Genzel, u vlerësuan për “zbulimin e një objekti kompakt supermasiv në qendër të galaktikës sonë” – u shpreh Komiteti i Nobelit.
Ata zbuluan se kishte “një objekt jashtëzakonisht të rëndë dhe të padukshëm që tërheq grumbullin e yjeve, duke i bërë të vrapojnë me shpejtësi të çmendur”.
Ishte një vrimë e zezë. Jo një vrimë e zezë e zakonshme, por një vrimë e zezë super masive, 4 milionë herë më shumë se masa e Diellit tonë. Tani shkencëtarët e dinë se të gjitha galaktikat kanë vrima të zeza super të mëdha.
“Shpresoj të frymëzoj gra të tjera të reja në këtë fushë. Eshtë një fushë që të jep kënaqësi të pamatë dhe nëse e keni pasion shkencën, ka kaq shumë për t’u bërë” – u shpreh Ghez në konferencën për shtyp nëpërmjet telefonit.
Nga viti 1901 deri më 2019, Çmimin Nobel në Fizikë e kanë fituar 113 persona. Vitin e kaluar, çmimi iu dha një kozmologu kanadezo-amerikan dhe dy shkencëtarëve zviceranë për eksplorimin e universit dhe për zbulimin e një lloj tjetër planeti jashtë Sistemit tonë Diellor që rrotullohet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin.