Edhe kur shkollat kishin mundësi për mësim online, shumë nxënës nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në të, për shkak të mungesës së pajisjeve të përshtatshme apo të një lidhje me internetin
Pandemia nxori në pah hendekun mes atyre që kishin mundësi të aksesonin teknologjinë dhe atyre që nuk e kishin këtë mundësi. Kjo qasje e pabarabartë – shpesh e quajtur “hendek dixhital” – ishte veçanërisht e mprehtë kur bëhej fjalë për mësimin në distancë, duke qenë se shkollat në të gjithë botën u detyruan të mbyllnin dyert.
Edhe kur shkollat kishin mundësi për mësim online, shumë nxënës nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në të, për shkak të mungesës së pajisjeve të përshtatshme apo të një lidhje me internetin.
Për shumë komunitete të varfra dhe rurale, pandemia mund ta ketë përkeqësuar problemin, por sigurisht nuk ishte fillimi. Këto tre startup-e, pjesë e komunitetit Top Innovators UpLink të World Economic Forum, synojnë ta trajtojnë problemin në fjalë. Duke përdorur teknologji me kosto të ulët dhe lehtësisht të aksesueshme, ato po përpiqen të sjellin mësimin te nxënësit më pak të privilegjuar në botë.
- Learnable
Learnable përdor Inteligjencën Artificiale, machine learning dhe realitetin e shtuar, duke i ndihmuar mësuesit të krijojnë burime të pasura për studimin, që mund t’i ndajnë nëpërmjet aplikacioneve mobile specifike apo WhatsApp. Aplikacioni u krijua duke pasur në mendje mësuesit në Afrikë, duke u dhënë mundësinë të dërgojnë apo të marrin përmbajtje të kuruara me cilësi të lartë.
Në këtë mënyrë, themeluesi Shoriwa Shaun Benjamin shpreson të ndihmojë në kapërcimin e hendekut dixhital, që pengon shumë nxënës të kenë akses në përmbajtje mësimore, për shkak të mungesës së teknologjisë së përshtatshme apo lidhjes me internet. Learnable përdor teknologjinë për të thjeshtuar procesin e krijimit të leksioneve, si dhe vlerësimit dhe menaxhimit të rezultateve të studentëve.
- Ekatra
Ekatra deklaron se është platforma e parë e të mësuarit low-data/no-data, nëpërmjet mesazheve tekst, duke u lejuar nxënësve të marrin pjesë në mikro-kurse. Platforma ndihmon institucionet të krijojnë dhe të shpërndajnë mikro-mësime, dhe thotë se është një instrument i të mësuarit dixhital efikas dhe eficient.
Ekatra mbështet organizatat e fokusuara në ndihmë të nxënësve pak të privilegjuar të shkollave të mesme, të përgatiten për karrierën, duke u mësuar atyre aftësi të rëndësishme për punën dhe jetën. Duke qenë se Ekatra mbështetet në teknologji me tekst dhe audio, mund të jetë e aksesueshme nga kushdo që zotëron një celular – nuk është i nevojshëm një aplikacion apo pajisje e veçantë.
E ndërkohë që një nxënës mund të përdorë teknologjitë bazë, procesi i zhvillimit përdor instrumente të Inteligjencës Artificiale dhe të machine learning për të automatizuar procesin, duke e bërë të përshtatshëm për zbatim në shkallë të gjerë. Deri më tani, Ekatra e ka testuar procesin dhe programin e të mësuarit në thuajse 800 nxënës.
- Call-a-Kahaani
Call-a-Kahaani përdor histori dhe një platformë zanore ndërvepruese (Interactive Voice Response – IVR) për t’u dhënë nxënësve aftësi jetësore dhe një mendësi për të mësuar vazhdimisht.
Kjo teknologji është e aksesueshme duke përdorur çfarëdolloj telefoni celular apo fiks, pa qenë e nevojshme lidhja me internetin, që e bën ideale për të depërtuar në zona me pak apo aspak infrastrukturë dixhitale. Nxënësit aksesojnë histori të rrëfyera në katër minuta të ndërthurura me pyetje, të cilat përdoren për të vlerësuar nevojat e të mësuarit dhe ndikimin. Nxënësit nxiten të ndajnë historitë e tyre në platformë dhe të ndërveprojnë me të tjerët.
Historitë ndërvepruese dhe sfidat synojnë të ndërtojnë aftësi në procesin e pavarur të vendimmarrjes, duke i ekspozuar studentët ndaj vendimeve dhe zgjedhjeve të bëra nga protagonisti dhe ndikimit që kanë. Call-a-Kahaani deri më tani ka marrë 22 mijë telefonata, me kohën totale që arrin në 34 mijë minuta në telefonata, nga më shumë se 15 shtete në të gjithë Indinë.
/ World Economic Forum