Në rrethanat e mungesës së fuqisë punëtore, punëdhënësit po mbështeten gjithmonë e më tepër te politikat favorizuese për punonjësit në mënyrë që të ndikojnë në tërheqjen dhe mbajtjen e tyre.
Koha e pakufizuar e pushimeve, e cila fillimisht aplikohej gjerësisht në kompanitë e teknologjisë, është bërë një politikë që po zbatohet nga shumë firma – duke pasur parasysh se ajo pëlqehet shumë nga punonjësit dhe tregon besimin që ekziston midis organizatës dhe punonjësit.
Për fat të keq, kjo politikë është e mirë vetëm nëse njerëzit e përdorin atë.
“Në teori, pushimet e pakufizuara të paguara u japin mundësi punonjësve që të marrin leje kur është e nevojshme, për të pasur një jetë sa më të kënaqshme jashtë punës dhe për të shmangur burnout-in,” tha Nadia Vatalidis, zëvendëspresidente e marrëdhënieve me punonjësit në Remote.
Por, studimet kanë zbuluar se punonjësit po marrin më pak ditë pushimi me këto paketa të pushimeve të pakufizuara të paguara, krahasuar me ato që do të merrnin me politikat tradicionale të pushimeve. Në një sondazh të Priceline në vitin 2021, vetëm 21% e të anketuarve thanë se i përdorën të gjitha ditët e tyre të pushimit në vitin 2020, krahasuar me 30% në vitin 2019.
Ekspertët e karrierës thonë se në mënyrë që pushimet e pakufizuara të paguara të mund të funksionojë, menaxherët duhet të krijojnë një mjedis në të cilin punonjësit të ndihen se duhet të bëjnë një jetë të mirë edhe jashtë ambientit të punës, por pa ndikuar te produktiviteti. Ja disa mënyra se si mund të arrihet kjo.
Politikat duhet të jenë sa më të thjeshta
Vickie Price, drejtuese e burimeve njerëzore në firmën e konsulencës OneDigital, rekomandon që “gjërat duhet të jenë sa më të thjeshta që është e mundur”.
“Hapi i parë për të shmangur mungesën e shfrytëzimit të politikës së pushimeve të pakufizuara të paguara është vendosja e një numri minimal ditësh të pushimeve dhe të një shtrirjeje maksimale kohore që një punonjës mund të punojë pa marrë asnjë pushim,” tha Vatalidis.
“Kjo do të shërbejë si një bazë dhe njerëzit duhet të inkurajohen që të marrin më shumë pushime se sa kërkohet. Minimumi i pushimeve duhet të mos llogarisë festat zyrtare.”
Raisa Ramos, një trajnere karriere, rekomandon që kompanitë duhet të jenë shumë të qarta në politikat që zbatojnë, në mënyrë që të mos lënë shteg për keqkuptime në lidhje me ditët që llogariten si pushime. Kompanitë mund të pyesin veten: “A llogaritet te këto pushime periudha kur punonjësi është i sëmurë apo dita që ka një vizitë te mjeku? A mundet kompania që t’i llogarisë si pushime, si ditët kur punonjësi është i sëmurë, ashtu edhe ditët kur ai është me pushime në Haëaii?”
Pavarësisht nëse këto ditë pushimi janë të ndara apo llogariten së bashku, shtoi ajo, kompanitë duhet t’u sqarojnë punonjësve mënyrën se si llogariten ditët e pushimit, dhe kjo u jep atyre vetëbesimin për të përdorur këto pushime në mënyrën më të mirë të mundshme për ta.
Nxitini punonjësit që të marrin pushime
Është e rëndësishme të konsiderohet fakti nëse një organizatë e ka kulturën e duhur për të zbatuar politikën e pushimeve të pakufizuara, tha Price.
Nëse drejtuesit dhe supervizorët marrin pushime shumë rrallë, kjo do t’i bëjë punonjësit të mendojnë se nuk është e përshtatshme që të marrin shumë ditë pushimi. Nëse kompania shpërblen ata që punojnë më shumë orë, kjo gjithashtu mund t’i pengojë punonjësit që të marrin pushime.
“Mos i nxitni punonjësit që të mos marrin pushime, duke u ofruar atyre shpërblime apo kompensime të tjera për ditët e pushimit,” tha Vatalidis. “Disa njerëz brenda organizatës mund të bëjnë sa më pak pushime që të jetë e mundur, me shpresën që do të marrin një shpërblim të madh në fund të vitit.”
Vatalidis thotë gjithashtu se duhet të krijohet një kalendar i përbashkët për pushimet. Në këtë mënyrë, anëtarët e ekipit thjesht informojnë menaxherin e tyre për datat e pushimit. Kjo është ndryshe nga kërkimi i lejes, gjë e cila mund të dekurajojë punonjësit.
“Puna në ekip dhe komunikimi janë thelbësore,” tha ajo.
Mos harroni të shihni performancën
Politika e pushimeve të pakufizuara të paguara nuk do të thotë që punonjësit mund të shmangin përgjegjësitë e tyre. Mund të jetë e nevojshme që një punonjës me performancë të dobët të ketë kufizime në ditët që mund të marrë pushim, derisa të jetë në nivelin e duhur – tha Price.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e caktimit të pushimeve në një periudhë të tillë që nuk do të dëmtonte punën e përgjithshme të ekipit.
“Kompanitë duhet të sigurohen që menaxherët të jenë në gjendje që të kenë numrin e duhur të punonjësve për të përfunduar projektet ose thjesht për të kryer punën,” tha Price. “Disa menaxherë mund të kenë nevojë për trajnime shtesë në menaxhimin e projekteve dhe të burimeve.”
Në fund të fundit, pushimet e pakufizuara të paguara nuk mund të jetë një politikë që thjesht konsiderohet si “një përfitim i mrekullueshëm që nxit, angazhon dhe motivon punonjësit” tha Ramos.
“Çelësi i suksesit është që të bëhen të qarta pritshmëritë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se si funksionon ky program dhe deri ku janë kufijtë” – shtoi ai. / Business Insider