Pasioni, fokusi dhe shumë punë. Me siguri kjo ju tingëllon si një recetë për suksesin.
Robert Frank, ekspert i pasurisë dhe autor i librave të suksesshëm, gjatë dy dekadave studime mbi sipërmarrësit më të pasur në botë, ka identifikuar tre tipare që bashkojnë themelues si Jeff Bezos dhe Elon Musk – të cilët janë shumë larg klisheve të vjetra.
“Janë tre tipare vërtet të rëndësishme dhe nuk janë gjërat e zakonshme që thonë njerëzit” – ka thënë Frank në intervistën me Jon Fortt në CNBC në programin “Fort Knox” javën e kaluar.
1. Injoranca
Së pari, themeluesit më në zë janë verbërisht injorantë ndaj problemit që po përpiqen të zgjidhin – ka thënë Frank. Kjo do të thotë që ata mendojnë jashtë kutisë dhe nuk stepen nga dështimi i atyre që e kanë provuar këtë gjë para tyre.
“Arsyeja se pse Jeff Bezos rishpiku shitjen me pakicë është sepse nuk ia nisi nga Macy’s. Arsyeja se pse Elon Musk rishpiku makinat është se nuk ia nisi nga General Motors”- tha Frank.
2.Fiksimi pas idesë së tyre
Së dyti, ata janë të fiksuar në idenë e tyre – pavarësisht se çfarë thonë të tjerët. “Kur ju keni një ide dhe ju shikoni vizionin e asaj ideje, çdokush do t’ju thotë që është një ide e gabuar. Nëse ju thonë të kundërtën, ju e dini se ajo nuk do të jetë një ide e suksesshme, shpjegon Frank. Pikërisht ky përkushtim absolut mes vështirësive i mban të përqendruar dhe falë tij arrijnë objektivin final. “Këta njerëz – thotë Frank – duke iu referuar themeluesve të shquar – kanë të ngulitura fort në mendje idetë e tyre dhe janë të pandreqshëm. Kur marrin diçka në dorë, ata duan ta çojnë deri në fund”.
3. Dëshira për t’i bërë gjërat ndryshe
Dhe në fund dhe ndoshta gjëja më e rëndësishme, ata duan t’i bëjnë gjërat ndryshe, thotë Frank.
“Këta njerëz përpiqen të kuptojnë se si mund ta bëjnë ndryshe gjithçka shohin. Nuk ka rëndësi se çfarë është, ata janë gjithnjë në kërkim se si ta bëjnë në një tjetër mënyrë”.
*Karen Gilchrist
Burimi: CNBC