Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar për Zhvillim shënoi 30 vjet. Një rrugëtim që nisi në vitin 1988 vetëm një vit pasi marrëdhëniet diplomatike ishin rivendosur midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Popullore të atëhershme Socialiste. Sot nga ky bashkëpunim janë investuar rreth 1 miliard euro në sektorë si uji, energjia, zhvillimi ekonomik dhe mjedisi.
Por cilët janë disa nga projektet domethënëse, cilat janë historitë njerëzore dhe cila është e ardhmja që e pret këtë bashkëpunim? Vendi ynë sot në syrin e ambasadores së Gjermanisë në Shqipëri, ekspertëve të huaj e shqiptarë, “veteranë” e të rinj që prekin çdo ditë terrenin me projekte e politika konkrete, situata optimiste dhe pesimiste, një panoramë e përgjithshme e aktualitetit.
Nga Nertila Maho
Në dalje të Orikumit, pak para se të ngjitësh gjarpërimet e Llogorasë, në të majtë të rrugës ndodhet një fabrikë e vogël që përpunon ullirin për të nxjerrë vaj. Meze Vangjeli së bashku me dy djemtë e saj, vajzën dhe nusen e shtëpisë kanë dalë të na presin. Është një biznes familjar që sigurisht, sikurse tregon ajo, nuk i ka bërë milionerë, por po i mundëson që të shkollojë fëmijët, të ketë një jetë normale dhe mbi të gjitha të mbajë këtu familjen, duke mos e parë emigracionin si opsion. Është një nga disa familjet që kanë përfituar nga skema e financimit për bizneset rurale që mbështetet nga qeveria gjermane përmes KfW.
Ky instrument mbështet investimet në infrastrukturë, rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës. “E kemi filluar në vitin 2010 punën me fabrikën, por rinovimin e fundit të gjithçkaje e kemi bërë këtë vit. Shteti nuk na ka dhënë ndonjë mbështetje, të gjitha i kemi siguruar vetë. Këtë vit rinovuam fabrikën përmes skemës dhe realisht mendojmë që do të ofrojmë përpunim më cilësor të ullirit. Ajo që ne sot bëjmë është përpunimi i ullinjve të së gjithë zonës nga Vlora në Qeparo. Ata që kanë ullishte i vjelin dhe i sjellin tek ne për përpunim dhe ne aplikojmë një tarifë 1000 lekë për çdo kuintal.
Secili në fund merr vajin e vet. Tani do të shohim mundësinë që të ofrojmë edhe paketimin, duke blerë kështu ullinjtë e zonës dhe duke i përpunuar dhe duke i ofruar si “markë” tonën. Gjithsesi zona ende ka shumë pak ullishta. Vitin e kaluar kemi përpunuar vetëm 600 tonë në total, por me hyrjen në prodhim të plantacioneve të reja që mund të jenë mbjellë, mendojmë që kjo mund të jetë pak më e lartë”, tregon Meze Vangjeli. Si kjo familje janë një seri të tjerash që kanë përfituar nga skema e mbështetjes rurale.
Bajram Korsita, drejtor i skemës rurale, tregon se zbatimi nisi në vitin 2015 me një fond 2.5 milionë euro në dispozicion për fermerët e mesëm dhe të vegjël dhe që vihen si garanci për financimin që japin bankat e nivelit të dytë. “Sot përmes kësaj skeme ne kemi mbështetur 1200 fermerë dhe 10 për qind e tyre janë në Vlorë. Profili i bizneseve që kemi mbështetur është agropërpunim, mbështetje për prodhimin e mandarinave, ferma peshku, por jo vetëm”, shprehet Korsita.
Energjia, linjat 400 KV me Kosovën, Maqedoninë dhe investimet në zonat turistike
Episodet e ndërprerjeve të energjisë elektrike sidomos në zonat turistike në pikun e sezonit nuk janë edhe shumë të largëta por duket se të paktën në dy vitet e fundit ka një lloj ndryshimi të dukshëm. Kjo sigurisht ka ardhur jo pa kosto dhe jo pa investime. Janë miliona të tëra të investuara në infrastrukturën energjetike dhe ku padyshim, institucionet financiare ndërkombëtare kanë pasur rolin kyç.
Investimi më i fundit duket se ishte ai në nënstacionin e Himarës që nisi në janar 2017 dhe përfundoi në gusht 2018, pjesë e linjës unazore 110 kilovolt për Shqipërinë e Jugut. “Ky rajon furnizohej më herët nga një linjë 35 kilovolt dhe mund ta merrni me mend se në çfarë cilësie arrinte tensioni në finale. Le të themi që ishte 40% larg asaj që konsiderohet normale.
Pothuajse e gjithë linja ka qenë e amortizuar ndërkohë që me nënstacionin e ri të Himarës, kjo çështje e furnizimit është zgjidhur. Nuk ka ndërprerje dhe mund të themi që gjithë sezoni turistik u përballua me sukses. Duke marrë parasysh edhe zhvillimin e zonës në nënstacionin e Himarës është lënë e hapur mundësia e zgjerimit të tij më tej. Sot, zona si Himara, Piluri, Borshi, Palasa, Vunoja, Qeparoja furnizohen pa probleme”, tha Redon Zenelaj, inxhinier i Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Por ashtu, si nënstacioni në Himarë dhe Orikum, pala gjermane ka mbështetur edhe vepra të tjera në sektor duke e bërë atë sektorin ndoshta me përfitimin e vlerës më të lartë të investimeve.
Në total, financimi gjerman për këtë sektor është 332 milionë euro me ndërhyrje në rehabilitimin e hidrocentraleve, sigurinë e digave, nënstacioneve të energjisë, eficencën e energjisë apo linjat e transmetimit. Lidhur me këto të fundit, dy më domethënëset janë linja e transmetimit me Kosovën, e cila ka përfunduar prej kohësh por për shkak të ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë qëndron jashtë funksionit edhe pjesa shqiptare. Aktualisht ka një proces ndërmjetësimi, ku Gjermania ka marrë drejtimin dhe janë zhvilluar një sërë takimesh mes palës serbe dhe kosovare, por që deri më tani nuk ka asnjë rezultat pozitiv. Së dyti, edhe linja me Maqedoninë po mbështetet po nga bashkëpunimi financiar gjermano-shqiptar ku banka gjermane KfW ka dhënë 50 milionë euro. Aktualisht Shqipëria është duke përgatitur pjesën e specifikimeve teknike ku Operatori i Sistemit të Transmetimit po asistohet nga konsulenti “Fichtner”. Me shumë gjasa, kontrata për nisjen e ndërtimit pasi të jenë ezauruar procedurat e prokurimit do të lidhet vitin e ardhshëm.
Turizmi kërkon investime, zv.ministri Çeku: Sektori të vendoset në binarë
Është pothuajse fundi i shtatorit dhe në Himarë, si për çudi, mund të hasësh ende turistë të huaj në shëtitoren e qytetit ose disa, edhe pse shumë rrallë, duke marrë ato pak rreze dielli që ofron ora 17:00 në këtë qytet. Jemi nisur drejt Zyrës së Informacionit Turistik të qytetit, një zyrë që ka marrë edhe mbështetjen e GIZ. Sapo hyn në mjediset e saj gjen disa broshura të renditura, si një ekspozitë me piktura ku secila shoqërohet me hartë, fakte dhe fotografi nga njëri prej 22 fshatrave të bregut.
Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, na sqaron se këtë vit sezoni është zgjatur më shumë dhe një pjesë e lokaleve dhe restoranteve vijojnë ende punën e tyre normale për shkak të prezencës së turistëve. “Këtë vit Himara dhe gjithë zona ka pasur një rritje të numrit të turistëve dhe mendojmë që është diku te 20% më shumë. Ky është një vlerësim që ne e bëjmë si për sa i përket numrit të vizitorëve por edhe raportimit të xhiros që bëhet nga bizneset. Për herë të parë, kemi nisjen e sezonit që në prill me dy aktivitete shumë të rëndësishme, festival outdoor e deri në shtator që mund ta konstatoni edhe vetë. Në funksion të kësaj tendence ka edhe investime nga sektori privat, ku për vitin e ardhshëm presim që të shtohen të paktën edhe 330 dhoma si pjesë strukturave akomoduese që ka sot zona” sqaroi kryebashkiaku Goro. Sipas tij, prezencën më të madhe e kanë italianët, francezët, gjermanët, ukrainasit.
Po kështu, ai solli në vëmendje edhe pjesën që lidhet me projektin 100 fshatrat dhe kontributin pozitiv që ka pasur bashkëpunimi me GIZ në këtë aspekt. “Ne si bashki kemi katër fshatra në programin ‘100 fshatrat’ të nisur nga qeveria. Vuno, Lukova, Dhërmiu dhe Kuçi. Me mbështetjen e GIZ po bëjmë sheshe si dhe mirëmbajtje të objekteve, që na jep mundësinë të ruajmë identitetin kulturor të tyre, por edhe na lehtëson zhvillimin e aktiviteteve që forcojnë edhe pjesën turistike”, u shpreh Goro. I pranishëm në zyrën e Informacionit Turistik ishte edhe zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrullah Çeku, i cili konfirmoi se gushti 2018 shënon rritje 27% me gushtin e kaluar për sa i përket numrit të vizitorëve, ndërsa deri në fund të vitit, pritet një rritje 6%.
“Turizmi duhet të vendoset në binarë qëndrueshmërie, por jo në shifra klasike rritjeje. Sektori ka nevojë për më shumë dhe fushata të nisura për pastrimin dhe konsolidimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve janë në funksion të këtij synimi. Duhet të fokusohemi në një program për të bërë një ribrandim të destinacioneve të caktuara. Nga ana tjetër, sa i përket menaxhimit të destinacioneve turistike s’kemi asnjë ide të saktë se si mund të strukturohen dhe si mund të ndërtohen njësitë menaxhuese. Na duhet një model dhe bashkëpunimi me GIZ për modelet pilot të suksesshme është një vlerë e shtuar, që na furnizon me informacion për politikëbërjen”, tha Çeku. Ai vlerësoi se program 100 fshatrat tani është në një fazë më të avancuar dhe se po grumbullohet informacion për modelet e suksesit, duke dhënë mundësi në finale për një diversifikim të ofertës turistike, ekonomi të qëndrueshme rurale dhe më shumë barazi shoqërore.
Përtej theksit që është vënë vazhdimisht te turizmi duket se ky sektor ka qenë i “mallkuar”: të mos ketë asnjëherë një orientim të qartë. Qeveritë njëra pas tjetrës kanë miratuar një seri strategjish, por që asnjë prej tyre nuk e ka parë dritën e zbatimit. Tashmë një tjetër strategji është hedhur për konsultim dhe parashikon ecurinë e sektorit deri në vitin 2022. Zhvillimi i sektorit kërkon mbi të gjitha harmonizimin e një sërë elementeve të tjera, të lidhura ngushtë me infrastrukturën, arsimin profesional, zgjerimin e ofertës dhe produkteve turistike. Edhe në këtë pikë duket se bashkëpunimi gjerman nuk ka mbetur pas, ku për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik janë investuar miliona euro. Referuar shifrave zyrtare në tërësinë e asaj që njihet si zhvillimi ekonomik janë investuar jo pak, por 171.6 milionë euro, ku ka më pak burokraci për 200 600 sipërmarrje, 10 mijë studentë të veterinarisë të trajnuar, 7200 fermerë të mbështetur, 42 shtigje të shënjuar për ecje në natyrë dhe 84 kilometra rrugë të ndërtuara.
Reforma tek uji, tarifat aktuale nuk i përballojnë kostot, nevoja për impiante
Në shkurt të këtij viti, qeveria nisi atë që njihet si reforma në sektorin e ujit. Prej vitesh, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve “notojnë” në humbje të mëdha financiare, duke u mbështetur nga buxheti, por edhe duke lënë pa paguar faturat e tyre të energjisë. Në një përpjekje për të ndryshuar këtë panoramë u nis edhe aksioni ndaj lidhjeve të jashtëligjshme, arkëtimit me forcë të detyrimeve të prapambetura apo futja në skemë të rregullt e atyre që nuk rezultonin si të tillë.
Pak të dhëna ka sot për mënyrën sesi ka ecur kjo reformë, ndërkohë që një pjesë e mirë e ndërmarrjeve kanë trokitur në derën e Entit Rregullator të ujit duke kërkuar rishikim të tyre pasi rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve ka nevojë për investime. Qeveria sot ka shtrirë dorën drejt donatorëve, të cilët kanë kërkuar që mbështetjen e tyre ta japin kur të shihet se ka një lloj rezultati. Pra nëse performanca e ujësjellësve në faturime, arkëtime dhe ulje humbjesh regjistron ecuri të mirë, atëherë duket se do të ketë një dritë të gjelbër.
Por kjo s’do të thotë se në fakt, paralelisht nuk vijojnë projekte të tjera sipas zonave dhe aty ku ndërhyrja konsiderohet si më emergjente. Në 30 vite bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ka pasur edhe projekte të tjera që kanë ndikuar jetën e qindra mijë banorëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në sektorin e ujit dhe kanalizimeve nga Gjermania është dhënë një fond 391.8 milionë euro dhe kanë përfituar 1.3 milionë banorë. Investimet janë shtrirë kryesisht në infrastrukturën e përpunimit të ujërave të përdorura, infrastruktura e sigurimit të ujit dhe asistenca teknike. Bledar Dollaku, nga banka gjermane KfW sqaroi se ka një angazhim të investimeve në rrjetin e ujit në disa zona në Shqipëri, por ndër të tjera, në ato me orientim turistik ku bën pjesë edhe Himara. Problem evident mbetet përpunimi i ujërave të përdorur ku sot, vetëm 40% e qytetit ka kanalizime.
“Projekti ynë synon të mbledhë 100% ujërat e Himarës dhe t’i përpunojë dhe parashikimi është që të ndërtohen pesë impiante. Do të ketë fillimisht largim të karbonit në fazën e parë të përpunimit dhe në një shkallë të dytë, trajtim edhe më të detajuar. Të paktën 270 metra nga bregu ku edhe do të trajtohen këto ujëra, do të ketë derdhje të tyre në thellësi në det. Kjo i krijon frymëmarrje pjesës urbanistike”, tha Dollaku. Ai nënvizoi se kredia që merret nga qeveria për sektorin e ujit dhe që mbështetet nga institucionet financiare bankare është një kredi zhvillimi që u kalon bashkive si grant.
“Sigurisht duke qenë një kredi zhvillimi ka kosto të ulëta por prapë ka kosto. Mirëmenaxhimi i gjithë sistemit kërkon sigurisht më shumë të ardhura dhe do të ketë edhe rishikim të tarifave sipas sezonit dhe kategorive. Gjithsesi, një element shumë i rëndësishëm që do të kontribuojë në këtë aspekt është futja në sistemin e pagesave edhe e hoteleve dhe fshatrave turistikë, që kanë nevojë për këtë lloj menaxhimi dhe që do të kenë efekt tek të ardhurat”, sqaroi Dollaku. Në thelb një situatë e tillë nuk vlen vetëm për Himarën. Vetë ERRU ka nënvizuar se investimet në ujësjellës, kanalizime apo sisteme të trajtimit të ujërave imponojnë rritje të tarifave sipas biznes planeve.
Ujësjellësit ruralë, 42 milionë euro investime deri në vitin 2025
Deri në vitin 2025, falë Programit të Ujësjellësve Rural IV parashikohet që në zonën e Himarës të investohen rreth 42 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme që do t’ju sigurojë ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të përdorura 50 mijë banorëve. Nga këto, të paktën 40 milionë do të kenë si kredi dhe 2 milionë të tjera si grant ku financues është KfW.
Përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit thanë se projekti parashikon investime të qëndrueshme në infrastrukturë, futjen e skemave të ujit me grup fshatrash, pra ku të mos ketë secili skemë më vete standarde të larta projektimi, si dhe ngritje të kapaciteteve lokale duke ndërgjegjësuar, mes të tjerash, edhe qytetarët për përdorimin e ujit. Të gjitha kostot operacionale, sipas FSHZH, do të përballohen nga tarifa të pranueshme.
Situata aktuale në Himarë dhe fshatra, edhe pse ka një përmirësim, sërish shfaq problematika. Një ndër to, sipas Fondit, është fakti që shumë fshatra, duke pasur një ujësjellës individual vuajnë mungesën e ujit në stinën e verës për shkak të pamjaftueshmërisë së ujit. Po kështu ka lidhje të shumta të jashtëligjshme, ndërkohë që problematika për gjithë zonën intensifikohet gjatë periudhës së pikut të sezonit turistik, pasi ka rritje përtej mundësive të kërkesës. Masa të pamjaftueshme të operimit dhe mirëmbajtjes, si dhe mungesa e stafit të kualifikuar duket se përbën problem.
Menaxhimi i mbetjeve ende problem, shqiptarët nuk paguajnë tarifat, iniciativat e gjelbra
Përdorimi i qeseve plastike tashmë është kufizuar me ligj duke vendosur përveçse një tarifë më të kripur për ata që i përdorin, por edhe duke imponuar një lloj plastike që biodegradohet më shpejt. Edhe pse ka një ndryshim në Tiranë, në rrethe ende kjo është më pak evidente. GIZ i është bashkuar një nisme të gjelbër e cila lidhet me fushata për nxitjen e ndarjes së mbetjeve në burim, minimizimin e përdorimit të plastikës gjatë bërjes së pazarit. Përfaqësues të GIZ thanë se projekti për menaxhimin e mbetjeve të ngurta po zbatohet në tre qytete pilot si Himarë, Rrogozhinë dhe Peqin.
“Ne kemi nisur ndërgjegjësimin nga kopshtet si pjesa më e ndjeshme, si dhe edukimi i brezave me kujdesin për mjedisin. Në Gjermani ne sot kemi shtatë ndarje të ndryshme, ju mund t’ia nisni me më pak ndarje dhe ta shtoni këtë gradualisht, por duhet ta nisni nga diku dhe mendoj që duhet ta nisni me gjeneratën e re. Ka një edukim deri diku të bizneseve që i janë bashkuar nismave për mbrojtjen e mjedisit, duke mos përdorur plastikën. Në çantat që kemi shpërndarë për Pazar, shumica e atyre që i marrin janë turistët, por ne duam që t’i përdorin banorët”, thanë përfaqësues të GIZ.
Sipas tyre, terreni ku sot operohet në vend sa i përket menaxhimit të mbetjeve është i vështirë për shumë arsye por, ndër të tjera, edhe sepse qytetarët nuk paguajnë tarifat e pastrimit. Sot Shqipëria ka një draft të menaxhimit të mbetjeve që ndodhet në tryezën e Këshillit të Ministrave ndërkohë që sfidë më vete është lufta ndaj plastikës dhe mbetjeve në det ku ka një nismë të përbashkët rajonale. Nga bashkëpunimi gjerman, vendi ynë ka arritur të përthithë 47.9 milionë euro, ndërkohë që përfitues kanë qenë mbi 654 mijë banorë.
Financimi në të ardhmen, sektorët e rinj ku po kthen sytë Gjermania
Sektorët që deri më sot kanë qenë në axhendën e bashkëpunimit gjerman do të vijojnë të mbeten të tillë, por zgjerimi drejt të rinjve do të jetë gjithashtu prezent. Maren Keller, nga ambasada gjermane në Tiranë, bëri një përmbledhje të të gjithë zhvillimeve në projektet më të rëndësishme që janë mbështetur nga qeveria gjermane, duke theksuar se energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, mjedisi dhe zhvillimi ekonomik në zonat rurale do të vazhdojnë të mbështeten me projekte të reja.
“Në nëntor pritet të ketë një marrëveshje të re mes dy qeverive për orientimin që do të ketë bashkëpunimi dhe do të ketë edhe disa projekte të reja, di të them që do të qëndrojmë në projektet që jemi, që lidhen me ujin dhe energjinë, por sigurisht do të shohim edhe sektorë të tjerë si mobiliteti, transporti apo minimizimi i impakteve negative dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve. Po kështu, edhe eficenca e energjisë në ndërtesat publike është një tjetër pjesë ku mund të angazhohemi, por që këto do të kristalizohen në një moment të dytë”, tha Keller.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.