Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia që bizneset deri në 14 milionë lekë (subjektet e vogla) të hiqet TVSH-ja, ndërsa për tatim fitimin vendimi është marrë tashmë.
“Heqja e tatim fitimit do të bëhet tani. Në rishikimin e buxhetit do të heqim tatim fitimin për gjithë biznesin e vogël deri në 2029, ndërsa për TVSH-në është ende në diskutim”, tha kryeministri.
Aktualisht bizneset e vogla nga 0 deri në 5 milionë lekë e kanë zero tatim fitimin, ndërsa nga 5 në 14 milionë lekë paguajnë tatim fitimi të thjeshtuar prej 5%.
Bizneset e mëdha, që klasifikohen ata që realizojnë një qarkullim vjetor më të lartë se 14 milionë lekë, paguajnë tatim fitimi prej 15%. Deri në fund të 2019-n në vend, sipas tatimeve, kishte rreth 91 mijë biznese të vogla (nuk ka info sa nga këta kanë qarkullim deri në 5 milionë lekë, pra nuk paguajnë dhe aktualisht tatim fitimi) dhe 22.7 mijë subjekte të mëdha.
Ndërsa për TVSH-në, pragu hyrës është 2 milionë lekë. Ky prag u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim u kundërshtua hapur në atë kohë nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohej për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha.
Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave. Por, qeveria nguli këmbë se arsyeja nuk ishte të rriste barrën për subjektet e vogla, por që të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave.
Në fakt, në 2019-n, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18.1% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare të financave. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, janë rreth 32.5 mijë subjekte të vogla që janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, të cilët nëse miratohet ky vendim do të dalin nga skema e TVSH-së.
Subjektet e vogla të përfshira në TVSH përbëjnë gati 59% të numrit të tatimpaguesve gjithsej të tatimit mbi vlerën e shtuar. Sipas tatimeve, Numri i tatimpaguesve aktive, (qe kane te pakten nje pergjegjesi tatimore) në Regjistrin Kombetar në fund të vitit 2019, sipas të dhënave të nxjerra nga raportet e SIT, rezulton: 113,829 tatimpagues gjithesej. Në këtë shifer nuk janë përfshire 44,667 Fermerë.
Nga shifra gjithesej e aktiveve janë të regjistruara në pergjegjesinë tatimore TVSH 55,243 tatimpagues, nga të cilët 32,509 janë Tp. të biznesit të vogël, nga ku rezulton se tashmë me shumë se 50% e numrit të tatimpaguesve të TVSHsë e zënë ata të BV. Nuk ka info se sa përqind të TVSH-së paguhet nga bizneset e vogla.
TVSH-ja është zëri kryesor që sjell të ardhura në buxhet. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në vitin 2019 u arkëtuan në total 132 miliardë lekë nga TVSH (rreth 1.1 miliardë euro), ose 31% e totalit të të ardhurave tatimore.
TATIMPAGUESIT, fundi 2019
113,829 tatimpagues gjithsej
55,243 tatimpagues gjithsej të TVSH-së
nga këta 32,509 jane Tp. te biznesit të vogël
Biznese të vogla Gjithsej 91,095
Biznese të mëdha 22,734
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.