Në Shqipëri 3.3 për qind e fëmijëve në grup moshën 5-17 u shfrytëzuan kryesisht në punë pa pagesë në familje më 2019. Shpesh ngarkesa me punë është e lartë dhe i shkel të drejtat e fëmijëve në këtë moshë vë në dukje Programi i Zhvillimit në Kombet e Bashkuara (PNUD).
Në kuadër të plotësimit të objektivave globale për zhvillimin e qëndrueshëm, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria, deri në vitin 2025 asnjë fëmijë nuk duhet të punojë.
Por Shqipëria ka një përqindje më të ulët të fëmijëve që punojnë në raport me rajonin. Në Maqedoni anketa e PNUD ka gjetur se punojnë 7,6% e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç, në Malin e Zi punojnë 9.4% e fëmijëve në këtë grup moshe, ndërsa në Serbi 7%.
Në rang global fëmijët e moshës 5-11 vjeç gjatë javës që janë anketuar janë përfshirë një orë punë në ndonjë aktivitet ekonomik dhe kanë kryer 21 orë në javë punë të papaguara në shtëpi.
Fëmijët e moshave 12–14 vjeç gjatë javës së referimit, u morën me të paktën 14 orë aktivitet ekonomik dhe u përfshirë në shërbime shtëpiake të papaguara për më shumë se 21 orë.
Fëmijët e moshës 15–17 vjeç, gjatë javës referuese, u morën me të paktën 43 orë aktivitet ekonomik dhe punë shtëpie pa pagesë. Anketat kanë vërejtur se një pjesë e madhe fëmijëve të moshave 5–17 punojnë në punë të rrezikshme.
Për herë të parë në historinë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) gjatë muajit gusht të këtij viti u nënshkrua një Konventë Ndërkombëtare e ratifikuar nga të gjitha Shtetet Anëtare për mbrojtje ligjore kundër formave të përfshirjes së fëmijëve në punë të rrezikshme.
ILO vlerëson se në të gjithë globin rreth 152 milion fëmijë janë të angazhuar me punë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre, 73 milionë janë në punë të rrezikshme. Shtatëdhjetë për qind e të gjithë punës së fëmijëve zhvillohet në bujqësi dhe lidhet kryesisht me varfërinë dhe vështirësitë e prindërve për të gjetur një punë të denjë.
Eliminimi i punës së fëmijëve deri në vitin 2025 në të gjitha format e tij është përfshirë në objektivin 8.7 të Zhvillimit të Qëndrueshëm Global miratuar nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.