Aftësitë dixhitale që do t’u nevojiten punonjësve për të arritur sukses në punët e tyre në të ardhmen “po zhvendosen nga Silicon Valley në Main Street”.
Studiuesit analizuan qindra miliona njoftime pune të publikuara në SHBA për të identifikuar katër aftësitë më të kërkuara në ambientet tona të punës, të cilat po ndryshojnë me shpejtësi.
Instituti Burning Glass bashkëpunoi me Forumin e Arsimit të Lartë të Biznesit (BHEF) dhe botuesin e librave arsimorë Wiley për të përgatitur raportin “Si aftësitë po ndryshojnë punën” [How Skills are Disrupting Work].
Aftësitë më të kërkuara
Analiza e 228 milionë njoftimeve për punë zbuloi se “aftësitë më të kërkuara, që kanë pasur rritjen më të shpejtë” janë:
- Inteligjenca Artificiale (IA) / Mësimi i Makinës (Machine Learning).
- Cloud computing.
- Menaxhimi i produkteve.
- Mediat sociale.
Studiuesit zbuluan se, nga të gjitha njoftimet e punës, një në tetë prej tyre rendit njërën prej këtyre aftësive si një kualifikim të nevojshëm.
Raporti thekson se, “AI/ML, Cloud Computing, Menaxhimi i Produkteve dhe Mediat Sociale së bashku janë shembulli i aftësive që sjellin ndryshim dhe shërbejnë si një laborator për të kuptuar tendencat më të gjera.”
Norma e rritjes pesëvjeçare për këto katër aftësi ishte 122% në vitin 2021, krahasuar me një normë rritjeje prej 10% për aftësitë mesatare gjatë së njëjtës periudhë.
Përfitimet nga përvetësimi i aftësive më të kërkuara
Për ata punonjës që zotërojnë ose përvetësojnë aftësitë më të kërkuara, shpërblimet do të jenë të jashtëzakonshme. Të ardhurat dhe mundësitë do të tejkalojnë ato të punëve mesatare, që nga fillimi i karrierës e deri në fund të saj.
Grafiku i mësipërm tregon se të ardhurat për njerëzit që zotërojnë aftësitë më të kërkuara, janë më të larta për shumicën e atyre që sapo fillojnë punë dhe zotërojnë aftësi në fushën e AI/ML, teknologjisë cloud dhe menaxhimit të produkteve.
Punonjësit me aftësi në fushën e mediave sociale nuk kanë një fillim kaq të mirë, por brenda tre viteve ata ua kalojnë të punësuarve në kategorinë “të gjitha punët”.
Aftësitë dixhitale po përhapen në shumë industri
Teksa transformimi dixhital po përhapet në të gjithë ekonominë, një numër gjithnjë e më i madh i sektorëve të ndryshëm të industrisë po përpiqen të tërheqin punonjës me aftësi në fushat e AI/ML, teknologjisë cloud, mediave sociale dhe menaxhimit të produkteve.
Sektorët e ndryshëm të industrisë, të tillë si siguria kibernetike, dizajni kreativ, menaxhimi i informacionit shëndetësor dhe gjuhët e kodimit, po kërkojnë gjithnjë e më shumë nga këto aftësi.
Studiuesit zbuluan se “aftësitë në fushën e AI/ML, të cilat kanë rritjen më e shpejtë të kërkesës se çdo aftësi tjetër, janë rritur me një normë prej 370% gjatë pesë viteve të fundit, një shifër kjo dy ose tre herë më e lartë se aftësitë e tjera që shfaqin shenja të rritjes së shpejtë”.
Profesionet tradicionale janë në rënie
Ndërkohë që kërkesa për aftësitë dixhitale po përhapet në shumë industri, disa profesione tradicionale, duke përfshirë edhe ato në fushën e teknologjisë, po përjetojnë rënie të shpejtë.
Raporti zbulon se “konsulenca e bizneseve, shitjet e specializuara, arkitektura dhe administrimi i bazave të të dhënave, protokollet e rrjetit, dizajni dhe zhvillimi i uebit” po shohin rënie të madhe të kërkesës.
Roli i zhvilluesve të uebit është goditur rëndë nga platformat low-code, të cilat u japin mundësi njerëzve të ndërtojnë faqet e tyre të internetit shpejt, me lehtësi dhe pa qenë nevoja për të koduar. / World Economic Forum