Nëse drejtuesit toksikë janë kaq të këqij, atëherë pse njerëzit rendin pas tyre?
Arsyeja ka të bëjë shumë me mënyrën se si funksionon mendja juaj, thotë Ronald Riggio, profesor i psikologjisë së lidershipit dhe të organizimit në Kolegjin Claremont McKenna.
Riggio ka kaluar pothuajse tre dekada duke studiuar dhe duke mësuar rreth kësaj teme, ndërkohë që ka shërbyer si konsulent për dhjetëra organizata.
Ai thotë se shumë drejtues të tillë janë të papërshtatshëm për të udhëhequr, sepse shpesh ata janë narcistë, nuk kujdesen për punonjësit e tyre dhe do të bënin gjithçka për të arritur rezultatet më të mira – edhe në kurriz të të tjerëve ose në kundërshtim me normat bazë të moralit.
Megjithatë, shumë prej këtyre drejtuesve kanë admirues dhe mbajnë poste me shumë pushtet, duke filluar nga sfera e biznesit e deri në politikë, thotë Riggio.
Njerëzit nuk mund ta dinë gjithmonë nëse do të kenë një drejtues toksik kur aplikojnë për një punë, por, pasi e kanë fituar vendin e punës, ata zgjedhin që të jenë besnikë pikërisht ndaj këtyre menaxherëve për muaj apo edhe vite me radhë, kryesisht ose sepse kanë ide të gabuara për mënyrën se si duhet të funksionojë udhëheqja e mirë, ose sepse përpiqen të marrin përfitime personale nga kjo marrëdhënie, thotë Riggio.
“Shpesh, janë tendencat tona njerëzore: ne jemi ata që po i mbajmë këta drejtues në pushtet”, thotë Riggio për CNBC.
Ja cilat janë katër arsyet kryesore specifike sipas Riggio-s që shpjegojnë pse njerëzit ndjekin drejtuesit e këqij.
- Njerëzit ngatërrojnë arrogancën dhe narcizmin me forcën
Forca dhe besimi mund të jenë cilësi të rëndësishme të lidershipit. Por, njerëzit ndonjëherë ngatërrojnë arrogancën dhe narcizmin me forcën, thotë Riggio.
Në një studim të Universitetit të Amsterdamit në vitin 2011 që caktoi rastësisht një lider në çdo grup të ndryshëm të pjesëmarrësve në studim, secili ekip duhet të bënte një detyrë në grup dhe më pas duhet të vlerësonte liderin e vet. Pjesëmarrësit i vlerësuan liderët më narcistë si më të efektshmit, edhe pse ata pengonin komunikimin dhe dëmtonin ecurinë e grupit të tyre.
Narcizmi i një drejtuesi të keq i bind punonjësit se ai ka gjithmonë të drejtë, kështu që ata refuzojnë ndihmën e të tjerëve dhe nuk mësojnë nga gabimet e tyre, thotë Riggio.
“Ne tërhiqemi nga këta njerëz që duken kompetentë, sikur ata mund të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të kenë rolin e drejtuesit”, shpjegon ai. “Por, ata mund të jenë narcistë dhe gjërat mund të dalin nga kontrolli.”
- Njerëzit bien në “dembelizmin konjitiv”
Nëse keni pasur ndonjëherë një drejtues të keq, me siguri keni menduar me vete: “Nuk dua të përpiqem për të kuptuar se si ta trajtoj këtë situatë. Duket e lodhshme.”
Kështu, ju gjeni mënyra për të bindur veten se drejtuesi juaj është në fakt një lider i mirë. Riggio e përshkruan këtë ndjenjë si “dembelizmi konjitiv”.
“Ne bëhemi dembelë dhe i pranojmë gjërat ashtu siç janë,” thotë ai.
Kur një drejtues i keq bën diçka të gabuar, njerëzit shpesh i kalojnë këto gabime, në vend se të kërkojnë nga drejtuesi i tyre që të mbajë përgjegjësi. Kjo sepse ata mendojnë se drejtuesi i tyre është mbi rregullat, duke i krijuar kështu hapësirat një drejtuesi të tillë që të ketë një sjellje edhe më të keqe, pa u përballur me ndonjë pasojë.
- Njerëzit vënë shenjën e barazimit mes rezultateve të mira dhe lidershipit të mirë
Për ju, drejtuesi që keni mund të jetë një menaxher toksik. Për dikë tjetër, ai mund të jenë dikush që arrin të japë rezultate të vlefshme, si për shembull rritje të fitimeve të kompanisë ose nënshkrimin e një marrëveshjeje tepër të suksesshme.
“Për këta drejtues, qëllimet justifikojnë mjetet,” thotë Riggio. “Nëse ata duken efikasë, njerëzit thjesht nuk e vënë në dyshim mënyrën se si ata e arritën suksesin.”
Drejtuesit e këqij mund të duken efektivë në arritjen e rezultateve të mira, por shpesh këto rezultate shkaktojnë “dëme anësore”, si krijimi i një mjedisi toksik pune duke i trajtuar keq punonjësit ose duke marrë vendime joetike, thotë Riggio.
- Njerëzit e shijojnë fuqinë e të qenët afër me të pushtetshmit
Drejtuesit shpesh janë ata që kanë pushtetin brenda një kompanie ose grupi. Riggio thotë se disa njerëz i ndihmojnë menaxherët në cilësitë më të këqija të tyre, në mënyrë që të mund të shpërblehen për besnikërinë, si për shembull duke marrë një promovim apo rritje page.
“Një drejtues i keq tërheq njerëzit besnikë që e rrethojnë, sepse atyre u pëlqen të jenë të lidhur me një person të pushtetshëm”, – shpjegon ai. / CNBC