Totali i depozitave në sistemin bankar ishte 1,114 miliardë lekë më 2016, teksa 503 miliardë lekë i mbajnë 4% e depozituesve
Qysh kur depozitat e individëve në banka u futën në skemën e sigurimit në vitin 2003, numri i qytetarëve që përfituan nga skema është gjashtëfishuar. Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në një raportim të posaçëm për Parlamentin, ka njoftuar se viti 2016 është karakterizuar nga rritja e depozitave në sistemin bankar, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit. Por gjithashtu është rritur edhe përqendrimi i kursimeve në pak individë.
Vlera e kursimeve që përfitojnë nga skema e sigurimit, arriti në 611.4 miliardë lekë (kjo shumë zotërohet nga 96% e depozituesve), teksa totali i depozitave në sistemin bankar ishte 1,114 miliardë lekë. Për rrjedhojë, 4% e individëve depozitues zotërojnë 45% të totalit të depozitave me një vlerë prej 503 miliardë lekësh.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave njofton se, vlera e kursimeve të siguruara u rrit me 18.1 miliard lekë ose 3% krahasuar me një vit më parë. Numri i depozituesve individë që i kanë depozitat me vlerë deri në 2.5 milionë lekë është 2,395,939 (përfaqësojnë 96% të depozituesve individë që përfitojnë nga skema), dhe krahasuar me një vit më parë ky numër u rrit me 12%.
Sistemi bankar i shëndetshëm
Sistemi bankar në Shqipëri karakterizohet nga një qëndrueshmëri si në strukturë, edhe në ecuri. Për sa i përket strukturës, burimi kryesor i fondeve përbëhet nga depozitat e individëve dhe mbështetja e aktivitetit me kapital mbetet në nivele të larta. Ecuria e aktiveve është në rritje dhe po në rritje mbetet niveli i kapitalit. Në vitin 2016, totali i depozitave në sistemin bankar u rrit me 4.6% krahasuar me vitin pararendës. Në lidhje me raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, mbetemi në nivelet 15.71%, pra shumë më lart se minimumi i kërkuar prej 12%.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, totali i depozitave të sistemit ka pasur trend në rënie me norma të ndryshimit mujor të ulëta, kurse gjatë gjysmës së dytë të vitit, kjo ecuri ka qenë pozitive. Në fund të dhjetorit 2016, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,114 miliardë lekë, krahasuar me 1,066 miliardë lekë që ishte një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 4.6%. Norma mesatare e ndryshimeve vjetore për shtatë vitet e fundit ishte 7.4%.
Euro e preferuar
Në rritjen vjetore të depozitave të sigurueshme të individëve, ndikim më të madh kanë pasur depozitat në monedhë të huaj, të cilat janë rritur më shpejt se depozitat në lekë (ndryshimi vjetor +4.4% kundrejt ndryshimit vjetor +1% të depozitave në lekë). Kurse sipas nivelit të mbulimit, ndikimin më të madh në rritjen vjetore të depozitave të sigurueshme të individëve e ka dhënë rritja e depozitave me vlera deri në nivelin e mbulimit (ndryshimi vjetor +3.3%, kundrejt ndryshimit vjetor +2.2% të depozitave mbi nivelin e mbulimit, 2.5 mln lekë).
Në fund të dhjetorit 2016, depozitat e sigurueshme të individëve në lekë në sistemin bankar arritën shumën prej 458.1 miliardë lekësh, duke përfaqësuar 50.2% të depozitave të individëve dhe krahasuar me një vit më parë kanë shënuar një rritje në vlerë me 4.5 miliardë lekë.
Depozitat në EUR, në fund të dhjetorit 2016, krahasuar me totalin e depozitave të sigurueshme të individëve në monedhë të huaj, zënë peshën më të madhe prej 86.3%, të ndjekura nga depozitat në USD që kanë një peshë 10%. Depozitat në EUR të konvertuara në lekë arrijnë vlerën 392.6 miliardë lekë, dhe janë rritur me 4.6% krahasuar me një vit më parë.
ASD zgjerohet fondi i sigurimit
Performanca financiare e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2016 është karakterizuar nga një rritje e qëndrueshme e fondit të sigurimit të depozitave në banka. Më 31 dhjetor 2016, vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka është 31.24 miliardë lekë ose 12.9% më e lartë se një vit më parë. Rritja e qëndrueshme e fondit të sigurimit të depozitave në banka dhe ecuria e depozitave të siguruara në sistemin bankar kanë sjellë një rritje të vazhdueshme të raportit të mbulimit nga 2.01% në vitin 2009 në 5.11% në fund të vitit 2016. Raporti i mbulimit mbi 5% të depozitave të siguruara u arrit për herë të parë që nga krijimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Realizimi i këtij objektivi, si një tregues i përfshirë në Ligjin për Sigurimin e Depozitave, është i rëndësishëm sepse dëshmon për efikasitetin e skemës për t’ju përgjigjur detyrimeve ndaj depozituesve, si dhe ecurinë pozitive të fondit të sigurimit të depozitave në banka ndër vite. Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin në raportim, ishin 2.99 miliardë lekë ose 3.2% më të larta se një vit më parë, në harmoni me rritjen e depozitave të siguruara në sistem. Ndërsa të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2016 ishin 782.2 milionë lekë. Të ardhurat e Agjencisë në total u realizuan në masën 97.4% në krahasim me planin për vitin. Shpenzimet korrente janë realizuar në masën 92% në krahasim me planin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.