Ekuilibri midis jetës profesionale dhe personale, elasticiteti dhe shëndeti mendor janë në plan të parë për punonjësit të cilët presin qartësi për të ardhmen nga punëdhënësit, sipas një raporti të ri.
Kompanitë në të gjithë botën po vlerësojnë politikat dhe mënyrën e të punuarit, pasi pandemia shkatërroi zakonet tradicionale të punës.
Sipas një raporti të McKinsey & Company, punonjësit duan që kompanitë t’i japin më shumë vëmendje rëndësisë së elasticitetit, pagës konkurruese dhe mirëqenies kur pandemia të përfundojë. Ata kanë shprehur disa shqetësime mbi faktin që dëshirat dhe nevojat e tyre mund të mos përkojnë me ato të punëdhënësve.
4 çështje që kanë dalë në pah nga studime për të ardhmen e punës:
1. Ekuilibri jetë profesionale – jetë personale
Më shumë se gjysma e punonjësve pohuan se duan modele pune virtuale më elastikë dhe hibridë, ku punonjësit të punojnë herë nga zyra e herë në distancë – shkruan raporti McKinsey.
“Modeli hibrid mund të ndihmojë kompanitë të shfrytëzojnë më mirë talentin kudo që ai ndodhet”. – thekson raporti. Në të njëjtën kohë “mund të ulë kostot dhe të përmirësojë ecurinë e kompanisë”.
2. Elasticiteti
Në këtë model hibrid, pjesa më e madhe e punonjësve duan të punojnë nga shtëpia tre ditë në javë, sipas të dhënave të McKinsey. Ata madje janë gati të lënë punën nëse kushtet nuk plotësohen. Më shumë se një e katërta e të intervistuarve thanë se do të merrnin në konsideratë të ndryshonin punë nëse kompanitë e tyre do të ktheheshin dhe të punonin me kohë të plotë në zyrë.
3. Vizioni i qartë
Politikat efikase dhe transparente dhe komunikimi i tyre në mënyrë të qartë ishte gjithashtu i rëndësishëm, me shumë të intervistuar që pohuan se mungesa e qartësisë i bënte të ndiheshin në ankth. Më shumë se një e treta e të intervistuarve i renditën orët e punës dhe pritshmëritë për të bashkëpunuar ndër pesë politikat e para. Edhe mjetet për të bashkëpunuar dhe rimbursimi i pajisjeve të zyrës në distancë ishin mjaft të vlerësuara.
4. Shëndeti mendor, në fokus
Mirëqenia është e rëndësishme për shumë punonjës, me më shumë se tre të katërtat e të intervistuarve në një sondazh të Arizona State University, World Economic Forum dhe Rockefeller Foundation që thonë se shëndeti mendor i punonjësve është tani përparësi absolute,
Punëdhënësit duket se janë duke iu përgjigjur, me më shumë se gjysmën që raporton rritje në përdorimin e burimeve të kompanisë për shëndetin mendor – shkruan studimi i McKinsey.
“Dihet se ankthi zvogëlon rendimentin në punë, ul kënaqësinë dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërpersonale me kolegët dhe pasoja të tjera negative. Për ekonominë globale, humbja e produktivitetit për shkak të gjendjes së keqe mendore – duke përfshirë edhe ankthin – mund të kapë shifrën 1 trilion dollarë në vit” – shkruan studimi i McKinsey.
Burimi: World Economic Forum & McKinsey