Barcelona, Real Madrid dhe dy klube të tjera spanjolle morën një goditje të rëndë financiare, pasi u detyruan të paguanin miliona euro ndihmë të paligjshme shtetërore, pas një vendimi nga Gjykata më e lartë e BE-së.
Në një vendim të vitit 2016, Komisioni Europian tha se Barcelona, Real Madrid, Athletic Bilbao dhe Osasuna kanë gëzuar një normë takse prej 25% për më shumë se 20 vjet, duke u dhënë atyre një avantazh të padrejtë sipas një ligji spanjoll të miratuar dekada më parë.
Katër klubet gëzonin nivelin më të ulët të taksave, pasi trajtoheshin si organizata jofitimprurëse në vend të klube profesionale futbolli me përgjegjësi të kufizuar. Tani, klubet janë urdhëruar të paguajnë deri në 5 milionë euro secili për taksa të prapambetura.
Barcelona, në vështirësi të mëdha financiare, e kundërshtoi vendimin e parë të BE-së, duke pretenduar se nuk kishte asnjë provë ligjore për një avantazh ekonomik. Por Gjykata Europiane e Drejtësisë doli në krah të Komisionit, duke gjetur se kushtet plotësonin përkufizimin e ndihmës shtetërore, sipas ligjit europian.
“Skema e ndihmës në fjalë ishte, që nga koha e miratimit të saj, në gjendje të favorizonte klubet të cilat veprojnë si subjekte jofitimprurëse krahasuar me klubet që operojnë si shoqëri sportive publike të kufizuara, duke u dhënë atyre një avantazh, i cili mund të përfshihet në Nenin 107, paragrafi 1 të TFEU*”, tha gjykata, duke iu referuar rregullave të BE-së në lidhje me ndihmat shtetërore.
*Treaty on the Functioning of the European Union – Traktati për Funksionimin e Bashkimit Europian
Burimi: Inside World Football