Të kuptuarit e parimeve të suksesit në vendin e punës është kritike, veçanërisht në mjediset e punës në distancë apo asaj hibride.
Çdo zyrë është një mikrokozmos individësh me role të ndryshme – jo vetëm për sa u përket punëve të tyre individuale, por edhe për sa i përket domethënies që kanë për njëri-tjetrin. Në një ambient të punës në distancë ose asaj hibride, bëhet edhe më e rëndësishme të kuptoni këto role dhe të zhvilloni strategji për t’i bërë ato që të funksionojnë në favorin tuaj.
Suksesi është gjithmonë një kombinim i talentit, këmbënguljes dhe mjedisit të duhur. Nëse pyet dikë që ia ka dalë në jetë, ai me shumë mundësi do të kujtojë disa individë që kanë luajtur rol kyҫ në trajektoren e karrierës së tij – jo thjesht menaxherin e fundit që e promovoi.
Ju (dhe drejtuesi juaj) duhet të jeni të vetëdijshëm për katër lloje punonjësish që janë çelësi për suksesin e gjithsecilit – si dhe për një lloj të veҫantë nga i cili duhet të keni kujdes.
Miku i mirë
Gjithkush ka nevojë për të paktën një nga ata njerëzit që ju ndihmojnë në një ditë sfiduese në punë. Miku i mirë i zyrës është dikush në rrethin tuaj të ngushtë që kupton gjithҫka që po ndodh në punë, sheh dinamikën rreth jush dhe ju ofron mbështetje kur keni nevojë. Ata janë aty për t’ju dëgjuar, jo vetëm kur mendoni se është koha për t’u shfryrë, por, më e rëndësishmja, edhe kur doni të merrni përshtypjet e tyre të sinqerta. Psikologjikisht, ata ju kuptojnë plotësisht si person, dhe kjo do të thotë shumë, sidomos në një mjedis tepër konkurrues.
Mentori
Pavarësisht pozicionit në të cilin ndodheni, ju keni nevojë për një mentor. Ata mund t’ju ndihmojnë të përballeni me sfida të caktuara dhe të krijoni lidhjet e duhura me të tjerët, kur është e nevojshme. Nëse nuk e keni ende një të tillë, sigurohuni që të identifikoni dikë që e admironi dhe nga i cili mendoni se mund të mësoni. Shumica e njerëzve ndihen shumë të lumtur kur u kërkohet që të bëhen mentori i dikujt.
Miku te Burimet Njerëzore
Megjithëse njerëzit në departamentin e burimeve njerëzore duhet të jenë konfidencialë për disa gjëra, ata mund t’ju japin informacione të brendshme që shumë veta do të donin t’i dinin – ndoshta jo çdo detaj, por ju gjithsesi mund të jeni në gjendje të merrni informacione në lidhje me vendet e reja të punës që pritet të hapen, ose për ndryshimet e rëndësishme organizative që nuk janë bërë ende publike.
Sekretarët
Disa dyer janë më të vështira për t’u hapur se të tjerat. Ndoshta, mund t’ju duhet që të flisni me presidentin apo me menaxherin e përgjithshëm. Zakonisht, janë sekretarët ata që vendosin nëse do të zini një hapësirë në axhendën e tyre.
Mund të ndodhë që këtë detyrë ta kryejë edhe recepsionisti. Sekretarët ndërveprojnë në përditshmëri me njerëz nga të gjitha departamentet, duke përfshirë edhe ata në nivele menaxheriale.
Pavarësisht nëse ju duhet të bindni presidentin e kompanisë që të gjejë 10 minuta kohë për ju ose nëse doni të merrni informacione rreth një projekti të ri që nuk është bërë ende publik, sekretarët shpesh mund t’ju ndihmojnë për këto gjëra. Gjeni metodat e duhura për të krijuar lidhje me ta në mënyrë sa më rastësore dhe të fitoni besimin e tyre si koleg.
Këto janë katër llojet kryesore të punonjësve, por ju duhet të kuptoni se si të silleni me një lloj kolegu që po jua vështirëson jetën.
Bullizuesi
Fatkeqësisht, ndodh që një bullizues të jetë pranë jush në një pikë të caktuar të karrierës suaj. Natyrisht, duhet të shmangni përballjet me këtë bullizues sa herë që të mundeni. Kufizoni tërësisht kontaktin tuaj me ta, përveҫse në momentet kur është absolutisht e nevojshme për punën tuaj. Siç thotë eksperti i inteligjencës emocionale Kevin Allen:
“Ka qindra arsye pse një person mund të bullizojë dikë në punë: Ndoshta, ata janë ziliqarë për arritjen tuaj të fundit, ndoshta janë ziliqarë për ju si person ose, ndoshta ata thjesht paragjykojnë dhe e kanë të vështirë të pranojnë identitetin tuaj.”
Pavarësisht nga lloji i bullizuesit me të cilin keni të bëni, komunikimi efektiv do ta zgjidhë problemin. Pasi të kuptoni qartë situatën dhe politikat e kompanisë suaj, duhet të identifikoni rrugën më të mirë të veprimit.
Përpara se të përfshini burimet njerëzore në këtë situatë, mendoni nëse është e mundur që ju dhe ky person të arrini një lloj marrëveshjeje vetë. Organizoni një takim me ta privatisht, ku të mund të diskutoni mendimet tuaja në mënyrë konstruktive dhe profesionale. Sigurohuni që të shpjegoni qartësisht se cili është problemi, si dhe mënyrën se si kjo gjë po ndikon te ju dhe te puna juaj. Ndonjëherë, bullizuesi nuk e ka idenë se si pakujdesia e tij po ndikon te ju dhe te të tjerët.
Nëse kjo qasje nuk funksionon, atëherë duhet të flisni me burimet njerëzore ose me menaxherin tuaj. Mos harroni, duhet të përqendroheni specifikisht te mënyra se si kjo sjellje po ndikon negativisht në produktivitetin dhe në aftësinë tuaj për të punuar. Morali i ekipit nuk është shaka për bizneset, kështu që nëse ka diçka që po e ndikon atë, drejtuesit do ta marrin seriozisht.
Siç thotë Kevin Allen: “Tek e fundit, sigurohuni që t’i dilni për zot kontributit tuaj në punë. Bullizuesit shfaqen aty ku ka dyshim, jo nga paaftësia. Mbani parasysh kontributet tuaja pozitive dhe përpiquni të përcaktoni përparimin që po bëni.” / Fast Company