4 mënyra për të nxitur lumturinë në mjedisin e punës

31/05/2017 5:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Statistikat kanë treguar herë pas here se punonjësit e lumtur janë më shumë produktivë dhe të suksesshëm në punën e tyre. Personat që merren me shitje, kur janë të lumtur, shesin 37 për qind më shumë, janë 12 për qind më produktivë, sëmuren më pak dhe qëndrojnë më gjatë në punën e tyre.

Është e natyrshme që çdo drejtues kompanie të dojë të krijojë një mjedis pune ku ata të mund të merrnin plotësisht përfitimet e lumturisë. Por realiteti, për fat të keq, është se jo çdo punonjës është i lumtur. Ka nga ata punonjës që janë të pakënaqur me mjedisin e tyre të punës, por nuk flasin për këtë çështje, pasi nuk duan të zhgënjejnë drejtuesin e tyre. Përpara se të humbni një tjetër punonjës për shkak se është i pakënaqur, merrni në konsideratë këto katër mënyra që të vlerësoni dhe të rrisni lumturinë te punonjësit tuaj.

1.Përktheni komunikimin joverbal.

Hapi i parë është që të identifikoni punonjësit e pakënaqur. Kjo mund të jetë shumë e thjeshtë për t’u bërë, duke i kushtuar vëmendje komunikimit joverbal, si për shembull gjuhës së trupit. Sipas Reference for Business, “kërkuesit kanë gjetur se njerëzit mund të identifikojnë me saktësi të madhe 7 tipe emocionesh të ndara njerëzore, vetëm duke parë shprehjen e fytyrës apo shprehinë e syve: trishtim, gëzim, zemërim, frikë, befasi, përbuzje dhe interes”.

Edhe pa folur asnjë fjalë, një shprehje e fytyrës mund të jetë një burim informacioni për të tjerët. Për shembull, shikimi në sy ose mungesa e kontaktit mund të tregojë shumë për qëndrimet dhe emocionet e një personi. A e shkëput kontaktin me sytë një punonjës kur ju i kërkoni të punoni disa orë ekstra? A marrin krahët e tyre një qëndrim mbrojtës kur ju i kërkoni një punonjësi të bashkëpunojë me dikë tjetër. Çfarë ndodh në bisedë kur ju përmendni një projekt të rëndësishëm? Duke studiuar këto sinjale joverbale kur komunikoni me punonjësit tuaj, mund të jeni në gjendje të identifikoni punonjësit që janë të lumtur dhe ata që janë të frustruar.

2.Bëni pyetje

Pasi të keni identifikuar një punonjës të pakënaqur ju duhet të thelloheni për të gjetur shkakun e pakënaqësisë. “Vlerësimi dhe supozimi janë dy fjalë shumë të ndryshme” – thotë Sujan Patel, bashkëpunues për Entrepreneur.com.

“Përpara se ju të shkoni te përfundimet, përpiquni të thelloheni dhe të gjeni se çfarë po ndodh me personin në fjalë. Ata mund të jenë të mërzitur me ju, me statusin aktual në punë ose me ndonjë punonjës tjetër. Mund të ndodhë që ata të mos jenë të lumtur për ndonjë arsye që nuk lidhet me punën. Me disa pyetje të bazuara në sugjerime joverbale që keni vëzhguar, përpiquni të kuptoni se çfarë i mban ata pak punonjës një hap larg lumturisë në vendin e punës.

3. Inkurajoni zgjidhjen e konflikteve

Nëse kuptoni se një punonjës nuk është i lumtur për shkak të një konflikti me një punonjës tjetër, ju duhet t’i ndihmoni ata të gjejnë kurajën të gjejnë zgjidhjen.

“Konfliktet në vendin e punës ndodhin kudo dhe t’i injorosh ato mund t’ju kushtojë shtrenjtë. Çdo konflikt i pazgjidhur shkakton humbjen e rreth 8 orë thashethemesh dhe aktivitetesh joproduktive”, – ka thënë Joseph Grenny, bashkëthemelues i VitalSmarts, në një artikull për Society of Human Resource Management. Nxisni komunikimin ballë për ballë, në një mjedis në të cilin punonjësit të mund të diskutojnë dhe të zgjidhin konfliktet. Sigurohuni më pas që t’i pyesni se si shkoi takimi.

Kujdesi juaj do të tregojë shqetësimin tuaj dhe mbështetjen që tregoni për punonjësit e pakënaqur.

4. Rrisni besimin e punonjësve

Besimi dhe lumturia ecin dorë për dore kur bëhet fjalë për punonjësit, kështu që ju si drejtues duhet të kërkoni mundësi për të rritur besimin në mjedisin e punës.

Kërkuesit ekonomikë në Universitetin e Warwick thonë se “emocionet pozitive duket se i bëjnë më të forta qeniet njerëzore”, sipas të cilëve lumturia çon në një rritje të produktivitetit me 12 për qind. Kërkoni mënyra për të rritur mirëbesimin – duke përfshirë demonstrimin e respektit, duke festuar arritjet e suksesit, duke deleguar përgjegjësinë, duke lejuar kreativitetin dhe duke krijuar një frymë ndershmërie – gjithë kompania do të përfitojë nga këto benefite.

Nëse shpresoni që të krijoni një mjedis me punonjës të lumtur, produktivë dhe me besim, niseni së pari duke identifikuar punonjësit e pakënaqur, zbuloni arsyet e mundshme të frustrimit, nxitini punonjësit tuaj në zgjidhjen e konflikteve dhe kërkoni për mundësi për të rritur besimin te punonjësit tuaj.

*David K. Williams, CEO i Fishbowl dhe autor i librit “The 7 Non-Negotiables of Winning: Tying Soft Traits to Hard Results”.
Burimi: Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of