4 mujori: TVSH e brendshme rritet 22.4%, koncesionari “do fuste në xhep” 4.3 milionë euro

24/05/2016 8:53 AM 0 komente

Nëse partneriteti publik-privat për TVSH-në do të ishte në fuqi, koncesionari do të merrte, jo për meritë të tij rreth 4.3 milionë euro, apo rreth 54% të rritjes së të ardhurave nga TVSH mbi 11%. Të dhënat e 4 mujorit po tregojnë se parashikimet e financave rrezikonin që t’i falnin koncesionarit një shumë të konsiderueshme të ardhurash, për një rritje që siç po dëshmohet, mund të bëhej edhe me mjetet aktuale, pa vendosjen e sistemit të ri të administrimit të TVSH-së….

Të ardhurat neto nga TVSH e brendshme në katër muajt e parë të këtij viti shënuan një rritje prej 22.4%, sipas statistikave të Ministrisë së Financave. Nga 9.4 miliardë lekë që u mblodhën në janar-prill 2015, tatimet arritën të arkëtonin 11.5 miliardë lekë në katërmujorin e parë 2016. Në vlerë absolute, të ardhurat u rritën me 2.1 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro. Një rritje këto që tatimet e arritën me “forcat e veta”.
Nëse qeveria do të kishte arritur të miratonte koncesionin e TVSH-së, i planifikuar në fillim të këtij viti, koncesionari do të kishte marrë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të rritura, mbi 11%, që llogaritet se do arrinte 4.3 milionë euro (shiko tabelën në fund).
Sipas skemës fillestare dhe formulës së ndarjes së të ardhurave në partneritetin publik privat (PPP) në fushën e administrimit të TVSH-së, ndarja e rritjes së të ardhurave do të fillonte mbi rritjen prej 11% të të ardhurave dhe konkretisht; nëse rritja do të jetë 0-4% mbi 11%, atëherë partneri do të marrë maksimalisht 90% të shtesës. Nëse rritja do të jetë nga 4-6% (mbi 11%) do të marrë maksimalisht 65% dhe po arriti nga 7-10% (gjithnjë mbi 11%) partneri privat të marrë 45% të shtesës.

Kufiri prej 11% u vendos, sipas zyrtarëve të fnancave, pasi nga të dhënat historike ka rezultuar se vetë administrata nuk mund të rrisë të ardhurat më shumë se kjo vlerë. Në fakt, pas 2008-s, ritmi i rritjes së të ardhurave të TVSH-së ka qenë negativ. Por, në 2014-n të ardhurat nga TVSH e brendshme u rritën me 10% dhe në 2015-n, e kaloi kufirin e ndarjes së të ardhurave me koncesionarin, duke u zgjeruar me gati 15% (14.7%).
Rritja e lartë prej 22.4% në katër muajt e parë të vitit po dëshmon se edhe me mjetet që administrata zotëron aktualisht mund të ketë një rritje dyshifrore, sidomos pas aksionit informalitet që ka disiplinuar përdorimin e faturave nga bizneset, dhe futjen e sistemit të ri të deklarimit online.
Këto të dhëna po tregojnë se parashikimet e financave rrezikonin që t’i falnin koncesionarit një shumë të konsiderueshme të ardhurash, për një rritje që siç po dëshmohet, mund të bëhej edhe me mjetet aktuale, pa vendosjen e sistemit të ri të administrimit të TVSH-së.

Koncesionari, si do merrte 4.3 milionë euro, jo për meritë të tij

Në vlerë absolute, të ardhurat nga TVSH u rritën në total me rreth 2.1 miliardë lekë (15 milionë euro) në katër muajt e parë të vitit. Nëse supozojmë se skema e ndarjes së të ardhurave do të funksiononte sipas propozimit fillestar, financat do të duhej të ndanin të ardhurat e rritura mbi 11%, sipas formulës së mësipërme. Në vlerë absolute, shtesa totale e të ardhurave për rritjen mbi 11% është rreth 1.1 miliardë lekë (rreth 7.8 milionë euro). Nga kjo shtesë, llogaritjet në tabelë tregojnë se sipas formulës fillestare koncesionari do të merrte 589 milionë lekë, apo rreth 4.3 milionë euro (rreth 54% të shtesës mbi 11%, apo gati 30% të shtesës gjithsej të të ardhurave). Në kushtet kur koncesionari do të kishte zbatuar sistemin e propozuar do të ishte shumë e vështirë të ndahej se për meritë të kujt kishte ardhur rritje.
Ndonëse, edhe nëse do të ishte miratuar koncesioni nuk do të ishte bërë funksional në 4 muajt e parë të vitit, e sollëm këtë shembull për të treguar se si në këtë partneritet publik privat, i vetmi që do përfitonte do ishte privati (në kushtet kur tatimet po arrijnë pa ndihmën e koncesionarit të kenë rritje të të ardhurave nga TVSH e brendshme mbi 20%).

tabela e tatime

A kanë hequr dorë përfundimisht financat nga koncesioni TVSH-së?!

I planifikuar për t’u shpallur në shkurt, koncesioni për PPP-në në administrimin e TVSH-së u shty në heshtje nga financat. Shtyrja erdhi pas presionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkoi që të bëhet një analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve të tij. Termat e referencës iu dërguan për rishikim FMN-së dhe ky i fundit ka hartuar një raport me rekomandime. Mbetet të presim nëse financat do të tërhiqen plotësisht nga ky plan apo do të dalin me një version të rishikuar, ku kanë përfshirë edhe sugjerimet e FMN-së.
Thelbi i propozimit të partneritetit publik-privat ishte një platformë teknologjike, që zëvendeson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of