Shpeshherë, një nga pyetjet më të thjeshta të një interviste mund të jetë më e vështira për t’iu përgjigjur.
Për shembull, shumë njerëz e kanë të vështirë t’i përgjigjen pyetjes “pse duhet t’ju marrim në punë?”.
“Pothuajse çdo kandidat i përgjigjet kësaj pyetjeje duke thënë fjalë të mira për veten. Por, kjo nuk është mënyra e duhur për t’iu përgjigjur asaj,” shkruan ish-menaxheri i burimeve njerëzore, Liz Ryan, në një artikull për Forbes.
Kleҫka është të gjesh vijën e mesme. Nuk duhet të dukeni si arrogantë, por, nga ana tjetër, nuk duhet as të fshihni cilësitë tuaja të mira.
Mos thoni se jeni më i miri – shpjegoni arsyet pse e pëlqeni atë punë
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk duhet të jetë që ju jeni më i zgjuari apo më i miri.
Ryan dha katër përgjigje që mund t’i përdorni si model kur përballeni me pyetjen: “Pse duhet t’ju marrim në punë?”
1.”Me sa kuptoj për punën, ky është një pozicion ku duhet të punosh shpejt gjatë gjithë ditës. Ky është pikërisht lloji i punës që unë preferoj. Më pëlqen të jem i zënë me punë dhe të punoj për disa detyra njëkohësisht. A e kam kuptuar saktë se si është ky pozicion pune?”
2.”Mendoj të ndaj me ju përshtypjen time për këtë pozicion dhe të shoh nëse e kam kuptuar qartë atë. Me sa duket, kjo punë është shumë e lidhur me sistemin e inventarit dhe me pjesën e databazës të kompanisë tuaj.”
“Kam përshtypjen se punonjësi juaj i ri do të shkojë në takimet javore të departamentit të prodhimit dhe do të sigurohet që çdo pjesë që ju nevojitet për skedulin e prodhimit të javës pasardhëse është gati. Nëse nuk është, atëherë duhet të marrë masat për ta rregulluar këtë problem Kur furnitorët të ndërrojnë pjesët ose t’i rinumërojnë ato, ky person do të sigurohet që databaza të përditësohet. A janë këto detyrat më të rëndësishme të këtij pozicioni?”
3.“Sinqerisht, do ta kisha të vështirë të thoja me bindje ‘Duhet të më punësoni mua!’, sepse ju do të takoni edhe kandidatë të tjerë, ose ndoshta i keni takuar tashmë, ndërsa unë sigurisht që nuk i kam takuar ata”.
“Por, do të thoja vetëm se jam vërtet i emocionuar për kompaninë tuaj dhe për perspektivat e saj. Unë kam punuar në kontrollin e inventarit dhe planifikimin e prodhimit edhe më parë dhe kam pasur shumë sukses. Më pëlqen kjo punë. Nëse ju dukem si personi i përshtatshëm për këtë pozicion do të kisha shumë dëshirë të vazhdoja këtë bisedë me ju.”
4.”Në bisedën tonë të mëparshme, ju më thatë se është një sfidë reale që të mbash në inventar pjesë për produkte që prodhohen në sasi të vogla. Në punën time të fundit, unë ngrita një sistem me furnitorët për pjesët e produkteve tona që prodhoheshin në sasi të vogël, sepse përndryshe do të ishte shumë e lehtë që të kishte ngatërresa me furnitorët për këto lloje pjesësh.”
“Gjithmonë mbaja një grafik përpara meje, nëpërmjet të cilit arrija të identifikoja momentet kur po na mbaronin pjesët që duheshin për produktet që prodhoheshin në sasi të vogla, sepse duhej t’i porosisnim këto pjesë shumë më përpara, në mënyrë që të vinin te ne në momentin kur na nevojiteshin.
Si rezultat i kësaj metode pune, qëllonte shumë rrallë ose pothuajse fare që ne të kishim mungesa në magazinë për këto produkte. Më pëlqen që, në ҫdo kompani ku jam, të identifikoj menjëherë problemet e prodhimit që kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur dhe që janë më irritueset dhe të merrem fillimisht me zgjidhjen e tyre.”
Çelësi është të përdorni shembuj konkretë që tregojnë se e doni atë vend pune. Edhe një shembull konkret i vetëm do ta bindë rekrutuesin dhe do ta bëjë atë të kuptojë se ju keni aftësitë dhe përkushtimin që nevojitet për atë punë. / Insider