Fondi Europian i Investimeve (EIF), pjesë e Grupit të Bankës Europiane të Investimeve (BEI), do të sigurojë deri në 41 milionë euro për Fondin Slloven të Borxhit Privat, për të financuar Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme sllovene dhe kroate.
Investimi nga EIF mbështetet nga Fondi Europian për Investime Strategjike (EFSI), shtylla kryesore e Planit të Investimeve për Europën. EIF është një nga 11 investitorët institucionalë dhe privatë në ALFI, përmes të cilit Fondi grumbulloi një total prej 41 milionë eurosh për investime në NVM-të.
ALFI është një menaxher fondesh, i krijuar si një nismë e përbashkët midis KF Finance dhe Trigal.
Angazhimi i EIF-së buron nga programi “Kredi Private të Përshtatura për NVM-të” i krijuar në vitin 2018, për të siguruar financim për NVM-të europiane, duke kombinuar burimet nga EIF-ja dhe Fondi Europian për Investime Strategjike (EFSI). Programi i menaxhuar nga EIF nxit investimet institucionale private në mbështetje të më shumë zgjidhjeve të financimit të përshtatshme për NVM-të europiane.
Shefi Ekzekutiv i EIF-së, Alain Godard, tha: “EIF do të vazhdojë me mbështetjen për NVM-të sllovene dhe kroate, si dhe rritjen dhe zhvillimin e tyre. Investimi ynë “do të hapë mundësi të reja financimi për NVM-të sllovene dhe kroate, duke ofruar zgjidhje fleksibël dhe të përshtatshme për të mbështetur planet e tyre. Partneriteti ynë me ALFI është një hap përpara për të siguruar tregun e përshtatshëm të financimit alternativ, i cili është kyç për të përmirësuar qasjen në financa në Slloveni dhe Kroaci dhe për të krijuar një ekonomi të aftë për të konkurruar me sukses në të gjithë globin”.
Komisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni, tha: “Me Planin e Investimeve për Europën, ne po mbështesim zgjidhje financimi të bazuara në treg dhe të përshtatura për bizneset, në mënyrë që ata të ruajnë dhe të rrisin operacionet e tyre dhe të mbështesin vendet e punës. Fondi ALFI, i mbështetur nga Plani i Investimeve dhe EIF, është një shembull i shkëlqyer: ai do të ofrojë mundësi të reja financimi për NVM-të kroate dhe sllovene dhe në këtë mënyrë do të forcojë ekonominë lokale”.
Rok Ambrožič dhe Miha Štepec, partnerë në firmën ALFI, thanë në një deklaratë të përbashkët: “Në mjedisin aktual sfidues, aq më tepër tani gjatë pandemisë, ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që kemi arritur këtë objektiv të rëndësishëm. Ne jemi krenarë që jemi njohur nga NVM-të si një ofrues i besueshëm dhe profesional i zgjidhjeve alternative të financimit. E gjithë kjo po krijon një themel të fortë për të arritur objektivin përfundimtar prej 80 milionë eurosh në 6 muajt e ardhshëm”.
David Benedek, anëtar i Bordit në Triglav, tha: “Ne jemi të kënaqur që po mbështesim fondin e borxhit privat ALFI, pasi kjo na mundëson nga njëra anë të diversifikojmë më tej portofolin tonë të investimeve dhe nga ana tjetër, të ofrojmë alternativa të vlefshme financimi për NVM-të në tregjet tona në Slloveni dhe Kroaci. Kemi qenë një investitor kryesor në ALFI që nga viti 2019 dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur me zhvillimin dhe rezultatet e fondit deri tani”.
Fondi do të investojë kryesisht në firmat e vogla dhe të mesme dhe do të mbështesë strategjinë e tyre të rritjes. EIF gjithashtu mbështet firmën ALFI në tërheqjen e kapitalit privat nga investitorët vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe tërheqjen e investitorëve të rinj.
Zgjerimi i mundësive të financimit për NVM-të është thelbësore për ekonominë globale
ALFI synon të sigurojë deri në 80 milionë euro investime në më shumë se 80 kompani dhe të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm, si dhe rritjen e konkurrencës së NVM-ve në Slloveni dhe Kroaci. Aktivitetet e Fondit hapin mundësi të reja financimi të padisponueshme për NVM-të vendase, duke i lejuar ato të zgjedhin opsionin më të mirë të financimit për planet e investimit.
Kjo lloj mundësie i vë kompanitë sllovene dhe kroate në një pozitë të barabartë me konkurrentët e tyre në tregjet financiare më të zhvilluara dhe në të njëjtën kohë, përshpejton rimëkëmbjen e NVM-ve nga COVID-19.