Ndërsa tregu i punës vazhdon të rikuperohet nga tronditja e pandemisë së koronavirusit, e ardhmja e punës ka qenë shpeshherё e pasigurt. Por një ndryshim është i qartë: marrëveshjet e punës fleksibël do tё vazhdojnё edhe nё tё ardhmen.
Në shtator, EY kontaktoi 1,000 drejtues tё bizneseve globale dhe zbuloi se 79% e kompanive synojnë të bëjnë “ndryshime në masë të moderuar ose të madhe pёr sa i pёrket punës hibride”. Këto plane vijnë si përgjigje e një kërkese tё jashtёzakonshme për punë fleksibël nga punonjësit, pasi 90% e tyre thanë se dëshirojnë fleksibilitet më të madh për vendin ku punojnë dhe mënyrën si punojnë.
“Do të vazhdojmë të shohim numra të lartë të punëve në distancë dhe atyre hibride gjatë vitit 2022” – thotë Brie Reynolds, menaxhere e zhvillimit të karrierës dhe trajnere e karrierës në FlexJobs, për CNBC Make It.
“Por një sfidë e madhe me të cilën po përballen punëdhënësit është gjetja e mënyrës se si t’i mbajnë ekipet e tyre të lidhura, të angazhuara dhe gjithashtu të ofrojnë mundësi për rritje në karrierë–shprehja ‘larg syve, larg mendjes’ nuk ndihmon në këtë rast.” Një sondazh i gushtit nga Monster zbuloi se 86% e punonjësve mendojnë se rritja e tyre profesionale është në vendnumëro për shkak të pandemisë.
Aftësitë e nevojshme për të ecur përpara me një vend pune hibrid bashkojnë si punën në shtëpi ashtu edhe atë në zyrat e korporatave. Për të pasur sukses në këtë mjedis, ju duhet të bëheni të aftë për të lundruar në dy botë të ndryshme. Studimi i ri nga FlexJobs dhe PAIRIN, një platformë që ofron softuerë të planifikimit të punës, identifikon pesë “aftësitë soft” ose aftësitë ndërpersonale më të rëndësishme, me fokus te komunikimi, lidershipi dhe puna në grup.
PAIRIN e përcaktoi këtë renditje bazuar në vlerësimet e aftësive të dërguara nga supervizorë dhe punonjës të ndryshëm përmes softuerit të tyre, si dhe te të dhëna nga O*NET, një bazë të dhënash publike që mbledh përshtypjet nga supervizorë dhe punonjës në industri të ndryshme.
Këtu janë pesë aftësitë kryesore soft që punonjësit në punët hibride duhet të zotërojnë, si dhe mënyrat për t’i praktikuar ato në punë:
- Përkrahja
Përkufizimi i PAIRIN: “Përpjekja për të ndihmuar, për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të tjerët në nevojë emocionale ose fizike.”
Si ta përdorni këtë aftësi: “Kontrolloni axhendën tuaj çdo mëngjes dhe nëse keni një ditë jo të ngarkuar, kontaktoni kolegët me të cilët punoni më afër dhe ofroni ndihmën tuaj,” thotë Reynolds. “Dërgojuni një mesazh dhe thojuni: ‘Ҫ’kemi, kam një hapësirë të lirë në orarin tim, mund të të ndihmoj me diҫka?’, sepse kjo është diҫka e sjellshme dhe proaktive.”
- Vetëbesimi
Përkufizimi i PAIRIN: “Të shprehesh dhe të ndërveprosh me guxim, entuziazëm dhe besim.”
Si ta përdorni këtë aftësi: “Nëse një menaxher po kërkon ide ose pёrshtypje gjatë një takimi, ngrini dorën dhe jepni mendimin tuaj ose shprehni mbështetjen/shtoni diҫka për idenë e një kolegu”, thotë Reynolds. “Edhe kur nuk keni diçka të re për të shtuar, mund të thoni: ‘Më pëlqen shumë ideja e këtij personi, bën më shumë sens për mua.’”
- Përshtatja
Përkufizimi i PAIRIN: “Të ruash vetëdisiplinën dhe të përshtatesh me planin, rregullat, vullnetin ose drejtimin e dikujt tjetër.”
Si ta përdorni këtë aftësi: “Shkruani një listë të detyrave që keni për të bërë ose zhvilloni një metodë për të mbajtur në kontroll punët që duhet të kryeni çdo ditë,” rekomandon Reynolds. “Por gjithashtu tregojini menaxherit tuaj ose shpjegojini atij se si po e organizoni veten, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë se ju keni vetëdisiplinë dhe jeni të përgjegjshëm për përmbushjen e pritshmërive të punës pa pasur nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme.”
- Menaxhimi i Konfliktit
Përkufizimi i PAIRIN: “Aftësia për të negociuar dhe për të zgjidhur në mënyrë efektive mosmarrëveshjet.”
Si ta përdorni këtë aftësi: “Kur diçka shkon keq, supozoni se ka qenë një gabim dhe jo keqdashje,” thotë Reynolds. “Ne e kemi të pamundur të shohim shenjat fizike që një koleg po ndihet i lodhur përballë kompjuterit, siҫ mund ta bëjmë këtë në zyrë, kështu që është më mirë të merremi me zgjidhjen e problemit dhe të ofrojmë zgjidhje, sesa të drejtojmë gishtin dhe të krijojmë konflikte të panevojshme.”
- Menaxhimi i Marrëdhënieve
Përkufizimi i PAIRIN: “Përpjekja për t’u afruar dhe për t’i qëndruar besnikë një personi tjetër ose njerëzve në përgjithësi – për t’u lidhur me të vërtetë dhe për të punuar me kënaqësi me ta.”
Si ta përdorni këtë aftësi: “Fillojeni një takim me disa biseda të vogla, për shembull: ‘Si e kaluat fundjavën?’ ose ‘Çfarë jeni duke pritur me padurim për këtë javë?’” sugjeron Reynolds. “Duhet gjithashtu të planifikoni një bisedë 20-minutëshe në kafe me kolegët tuaj për të mësuar më shumë rreth tyre si njerëz jashtë ambientit të punës dhe për interesat e tyre, në mënyrë që të mund të krijoni një marrëdhënie.”
Puna nga shtëpia mund të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për të përmirësuar përqendrimin, pasi minimizon shpërqendrimet në zyrë, si zhurma në sfond ose biseda me kolegët në tavolinë, por kjo mund të vijë në kurriz të marrëdhënieve që krijohen në punë, shton Reynolds.
“Marrëdhëniet me kolegët janë shumë më të lehta për t’u krijuar në një zyrë kur haseni me njëri-tjetrin në korridor ose hani drekë së bashku” – thotë ajo. “Në një mjedis pune në distancë, duhet të jemi më të kujdesshëm për sa i përket krijimit të marrëdhënieve me njerëzit.”
Një tjetër problem që Reynolds ka vënë re mes punonjësve të një mjedisi hibrid ose në distancë, është mbingarkesa e punës. “Puna tani është kudo, gjatë gjithë kohës,” shpjegon ajo. “Flisni me menaxherin tuaj për të planifikuar pritshmëritë e angazhimit tuaj dhe sigurohuni që kolegët ta dinë se mund të mos jeni të disponueshëm në orare të caktuara… vendosja e kufijve të qartë është vërtet e rëndësishme për të shmangur burnout-in.”
Planifikimi i kohës në axhendën tuaj për të zhvilluar këto aftësi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për t’i praktikuar ato gjatë takimeve apo për krijimin e marrëdhënieve me një koleg, është e dobishme si për mirëqenien tuaj ashtu edhe për rritjen në karrierë.
“Të gjitha këto aftësi mund t’ju ndihmojnë të keni një ditë të mirë pune ku të mundtë ndiheni të arritur,” thotë Reynolds. “Ato gjithashtu ju ndihmojnë për t’i treguar menaxherit tuaj se çfarë jeni të aftë të bëni, si dhe ju sjellin mundësi të reja ndërsa ecni përpara në karrierën tuaj.”
Edhe nëse po aplikoni për një punë të re, shton ajo, mund t’i përmendni këto aftësi gjatë një interviste ose bisede profesionale dhe të tregoni se si këto teknika ju kanë bërë një punonjës më të fortë dhe një lojtar në skuadër akoma më të mirë. / CNBC