Përveç festivalit të famshëm të përvitshëm të filmit, qyteti i Kanës në bregdetin juglindor të Francës, është i njohur për plazhet, kazinotë dhe lundrimin.
Turistët zakonisht shëtisin në La Croisette, një bulevard 2 km që shtrihet përgjatë bregdetit nga Casino Barrière Le Croisette pranë Portit të Vjetër në perëndim, deri tek Sheshi Verdun pranë Portit Pierre Canto në lindje.
Rruga është e mbushur me dyqane të bukura dhe restorante – por mos u shpërqendroni nga aroma e ushqimeve të shijshme, pokeri dhe Moët, sepse në këtë vend ka shumë më tepër për t’u zbuluar. Këtu janë pesë arsye shtesë për të vizituar Kanën…
- Kultura
Galeria e artit bashkëkohor La Malmaison ndodhet në mes të La Croisette, që në shekullin XIX funksiononte si hotel. Sot ndërtesa përdoret për të ekspozuar skulptura dhe fotografi të shekullit XX dhe XXI. Galerie Hurtebize Cannes, Vieceli de Cannes dhe JP Art Galerie ndodhen gjithashtu aty pranë. Galerie Arista në perëndim ekspozon vepra bashkëkohore nga Banksy dhe artistë të tjerë.
- Arkitektura
Vizitorët nuk mund të humbasin InterContinental Carlton Hotel. I ndërtuar gjatë Belle Epoque (Epokës së Bukur) në vitin 1911 nga arkitekti vendas Charles Dalmas, ai ka ballkone të stilit Juliet prej guri të punuar me dorë dhe mbi të lartësohen dy kupola.
Ndërtesa e Bashkisë së Qytetit, në ngjyrë crème brûlée, është po aq madhështore. E përfunduar në vitin 1877, ajo përmban kolona, statuja dhe orë që zbukurojnë fasadën dhe çatinë e saj me pllaka terrakote.
Palais Bulles në jug të qytetit është më modern. Ai u dizenjua në vitet ’80 nga arkitekti Antti Lovag dhe është shtëpia private e stilistit francez Pierre Cardin.
- Historia
Për të shijuar Kanën para se të nisë sezoni i jahteve luksoze dhe i festivalit të filmit, shëtisni nëpër lagjen e vjetër Le Suquet, me ndërtesat e saj ngjyrë rozë të çelët, rrugët me kalldrëm dhe restorantet që frekuentohen nga vendasit.
Kthehuni pranë Portit të Vjetër, dhe do të gjeni Muzeun Castre, i ndodhur brenda një ish-kështjelle dhe manastiri. Tani ai strehon një koleksion të objekteve dhe pikturave mesjetare.
- Shtigjet e hiking
Kur mendoni për Kanën, ecjet në natyrë mund të mos jenë aktiviteti i parë që ju vjen në mendje, por si Hong Kongu dhe Los Anxhelosi, ajo ka mjaft shtigje të drejta pyjore. Qyteti shtrihet nga aeroporti në perëndim, deri në lumin Vallon de Mauvarre në lindje, dhe brenda kësaj hapësire mund të ecni në La Croix des Gardes, një pyll prej 80 hektarësh në veri të plazhit Midi.
- Sportet në ujë
Nëse nuk ju pëlqejnë jahtet ose lundrimet me anije, mund të merrni me qira një kajak nga Go Kayak Cannes në La Croisette Cape dhe të vozisni në Iles de Lerins.
Shkolla e Zhytjes Plongee Club de Cannes ndodhet në skajin tjetër të La Croisette, në Portin e Vjetër. Ju gjithashtu mund të notoni në plazhin Midi, një hark rëre prej 700 metrash ose në plazhin Croisette në qendër të qytetit, i cili është i rrethuar nga Le Petit Train dhe një kopsht me trëndafila dhe skatepark në Sheshin 8 Maj 1945. / MSN