Në fillim të karrierës, ndiheni sigurisht entuziastë dhe gjithë dëshirë për të punuar. Por, me kalimin e kohës, për motive të ndryshme, puna që gjithnjë e keni dashur aq shumë mund të shndërrohet në një aktivitet që ju jep pak kënaqësi, si nga ana ekonomike, si personale.
Një studim i Universitetit të Phoenix në vitin 2013 ka gjetur se më shumë se gjysma e të rinjve që punojnë janë të interesuar për një ndryshim në karrierën e tyre.
Megjithatë, kjo përqindje ulet me kalimin e moshës. Për shkak të krizës që ka prekur botën ekonomike, janë të paktë ata që mund t’ia lejojnë vetes të japin dorëheqjen nga puna në të cilën janë për të kërkuar një më të mirë.
Më poshtë janë 5 arsye pse duhet të ndryshoni punë.
1.Zgjidhni rrugën që pëlqeni
Një ndër avantazhet e të ndryshuarit punë është ndjekja e rrugës që keni në zemër. Shpesh ndodh që të kënaqeni me punën e parë që gjeni për shkak të nevojës, sidomos në këto kohë krizash. Por nuk duhet të harroni që duhet të mendoni për të ardhmen me optimizëm dhe të ndiqni ëndrrat tuaja.
2.Mundësi më të mëdha
Të ndryshosh punë do të thotë të kesh mundësi më të mëdha për të përmirësuar karrierën. Kjo vlen edhe për ridimensionimin e rolit tuaj si në kompaninë për të cilën punoni, si për një kompani tjetër. Duhet të keni parasysh që gjithsesi ekziston një përqindje rreziku kur flitet për ndryshime profesionale.
3.Vlerësoni kulturën e kompanisë
Vlerësoni kulturën e kompanisë për të cilën punoni dhe cilësinë e marrëdhënieve me kolegët dhe superiorët. Disa kompani promovojnë kulturën e bashkëpunimit dhe marrin në konsideratë mendimin e çdo punonjësi, të tjera janë të ftohta, tepër konkurruese dhe kanë si synim vetëm të ardhurat. Në këtë rast, një punë e re do t’ju japë mundësinë që të rriteni si në anën profesionale, si në atë njerëzore, duke zhvilluar aftësi më të mëdha për të punuar dhe për të arritur synimet që i keni vënë vetes.
4.Fitoni përvojë
Një punë e re do t’ju vërë sërish në provë dhe kjo sigurisht do të bëjë që të fitoni përvojë. Ekspertët këshillojnë që ju të ndryshoni profil në të njëjtin sektor një herë në tre-katër vjet: statistikisht, çdo dhjetë vjet, punëmarrësi duhet të ketë fituar një përvojë të vlefshme në tre fusha alternative që nga pozicioni i fillimit. Në këtë mënyrë ju rrisni mundësitë për të ecur përpara në karrierën tuaj në të ardhmen.
5.Kalimi i më shumë kohe me njerëzit e dashur
Mendoni se sa vlerë ka për ju kalimi i kohës me njerëzit e familjes. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë punonjës janë të mbingarkuar apo të nënpaguar, të tjerë kanë vendosur që t’i japin një rrjedhë krejt tjetër jetës së tyre, duke kërkuar për zgjidhje që u lejojnë të kalojnë më shumë kohë me njerëzit e dashur.
Burimi: Lavoro e Finanza